Dezinformimi, ‘armë’ për ndërtimin e narracioneve propagandistike dhe të dëmshme

Dezinformimi është një nga format më të dëmshme të çrregullimit informativ dhe përdorimi i tij për propagandë politike është i vazhdueshëm nga disa vende të botës. Motivet për prodhim e shpërndarje të dezinformatave variojnë, megjithatë në periudha të caktuara, motivi politik e dominon edhe atë financiar. Dallojnë edhe format që përdoren për të dezinformuar, nga përmbajtje komplet e trilluar deri te manipulimi i përmbajtjes, qoftë edhe duke ia ndërruar kontekstin.

Manipulimi i informacionit duke ndërhyrë në kontekst është një formë e dezinformimit që ka zënë vend në disa raste edhe te ne. Manipulim i tillë është bërë në periudhën e tensionimit të situatës në veri dhe në domenin e raporteve, Kosovë-Serbi. Dy vite më parë, portali serb në Kosovë, “Kosovo-Online” kishte publikuar një dezinformatë me kontekst të manipuluar. Në janar të vitit 2006 ishte rrëzuar një aeroplan me ushtarë të Sllovakisë, që po ktheheshin në shtëpi pas shërbimit në Kosovë në kuadër të KFOR-it. 14 vite më vonë, “Kosovo-Online” e riaktualizon këtë rast dhe manipulon duke shpërndarë dezinformatë se aeroplani ishte rrëzuar sepse përmbante dëshmi të varreve masive dhe krimeve të UÇK-së, pretendim i avokatit serb, Goran Petronijevic. Siç argumenton edhe media boshnjake që merret me verifikimin e fakteve, Raskrinkavanje, të njëjtin narracion e shpërndanë edhe disa medie tjera në Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi: RTV Mir, DanNovostiAloVesti online, Srbin, MedijiPravdaBalkanspress RTRS,, Big portalSrbija danas, B92ObjektivRejtingInfo BijeljinaTrebevicTV MostOzon i B1info. Këto medie përdorën tituj me pyetjen nëse avioni i rrëzuar “kishte dëshmi të krimeve të UÇK-së” ose shkuan edhe më tej, duke bërë konstatim, psh “avioni me prova u rrëzua qëllimisht”, titull në artikullin e publikuar nga ueb-faqja e RTRS-së, radio-televizioni i Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë. Për manipulimin e këtyre medieve kishte raportuar edhe media boshnjake që merret me verifikimin e fakteve, Raskrinkavanje.

E njëjta dezinformatë u shpërnda sërish pas disa javësh, kur Sputnik-u e publikoi një artikull nga një emision i këtij televizioni dhe shpërndau pretendimet e avokatit Petronijevic se aeroplani sllovak ishte rrëzuar me qëllim. Megjithatë, kjo situatë ishte qartësuar nga institucionet sllovake dhe ato hungareze, që në kohën kur ka ndodhur aksidenti, ndërkaq vitin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Sllovakisë kishte bërë të ditur se dokumentacioni për këtë rast tragjik tashmë është i hapur për publikun. Ndërkohë, në Kosovë është përuruar edhe një pllakë përkujtimore për ushtarët sllovak të KFOR-it, të cilët kishin vdekur në atë aksident.

Pavarësisht kësaj, tekstet që qarkullojnë në internet për këtë rast kanë qëllim dezinformimin dhe narracioni i ndërtuar është kundër Kosovës. Ky manipulim i një tragjedie të para më shumë se një dekade tregon se kur motivet politike qëndrojnë prapa dezinformatës, ajo mund të jetë edhe më e rrezikshme, sepse qëllimi është thjesht për të dëmtuar. Njëkohësisht, kjo shtron nevojën urgjente që institucionet tona të orvaten të pengojnë ose mënjanojnë qarkullimin e dezinformatave të tilla duke punuar që e vërteta të triumfojë mbi propagandën.

Ky shembull tregon se si gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos bien pre e propagandës dhe të mos ripublikojnë përmbajtje të cilat mund të jenë të rreme dhe të shtrembëruara qëllimisht. Çdo veprim i ngutshëm nga gazetarët, që mund të jetë edhe si pasojë e ngarendjes për të qenë të parët, mund të riprodhojë propagandë. Maskimi nën petkun e gazetarit me qëllim propagandimin dhe forcimin e një narrative të caktuar është gjithmonë i rrezikshëm, sepse qytetarët janë të prirë që t’u besojnë më lehtë informacioneve që i marrin në media të njohura për ta. Por, marrë parasysh që format e manipulimit janë të llojllojshme, atëherë gazetarët duhet të demaskojnë pseudogazetarët dhe pseudomediat që luajnë rolin e ‘altoparlantit’ propagandistik. Madje, gazetarët duhet të jenë ‘gatekeepers’ të informacionit të vërtetë dhe duhet të përmbushin misionin e mbajtjes së mirëinformuar të shoqërisë.

Në dinamikën e sotme të rrjedhës së informacionit dhe në ambientin informativ në të cilin jetojmë, gazetari gjithashtu duhet të angazhohet në demaskim të informacioneve të tilla të rreme e manipuluese. Pra, nuk mjafton vetëm që të mos e ripublikojë, por njëherësh duhet të informojë publikun se ai informacion është i manipuluar dhe nuk është i vërtetë. Kjo është një nga detyrat e gazetarit të ditëve të sotme dhe duke qenë mbrojtës të informacionit të vërtetë, gazetarët duhet çdoherë të demaskojnë manipulimet dhe propagandat që qarkullojnë. Kjo kërkon përditësim të gazetarëve me teknikat e dekonstruktimit të informacionit, qoftë tekst ose pamor. Këtë duhet ta kuptojnë redaksitë dhe vetë gazetarët, që në disa raste hezitojnë t’i ndjekin trajnimet që trajtojnë zhvillimet e fundit teknologjike dhe mjetet e reja të verifikimit. Mjetet si InVid, TinEye apo edhe Google Lens duhet të jenë pjesë e përditshmërisë së punës së një gazetari. Përvoja në media është një aset që kur kombinohet me teknikat e reja të dekonstruktimit të informacionit rritë profesionalizmin, mbron informacionin dhe vetë profesionin e gazetarit që sot është katërçipërisht i sulmuar.