Foto Ilustrim: Foto: Rtv21

Konfiskohet 1,123 Kilogramë Mish në ‘ETC’ dhe ‘Viva Fresh’

Inspeksioni i Komunës së Mitrovicës i ka konfiskuar dhe asgjësuar 1,123 kilogramë mish nga dy qendra të mëdha tregtare në këtë qytet.

Konfiskimi i tyre është bërë pasi mishit i ka munguar deklaracioni.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Mitrovicë, Hysni Ahmeti.

“Më datën 13.02.2018 janë konfiskuar 573 kilogramë mish në  “Viva Fresh” në Mitrovicë, ndërsa dy ditë me vonë janë konfiskuar 550 kilogramë mish në “ETC” në Mitrovicë”, tha drejtori Ahmeti.

I pari i Inspektoratit Komunal të Mitrovicës ka treguar edhe arsyen e konfiskimit të këtij mishi në këto dy markete.

“Mishi i konfiskuar nuk ka pasur prejardhje dhe nuk ka pasur deklaracion të mallit dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse i njëjti është asgjësuar në deponinë e mbeturinave në fshatin Koshtovë të Mitrovicës”, ka sqaruar Ahmeti.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me këto dy qendra tregtare, por kontakti me ta, deri më tani, ka qenë i pamundur.