Foto: Ilustrim

Kompania u vendos në listën e zezë për falsifikim, Prokuroria nis trajtimin e rastit pas interesimit të KALLXO.com

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka vendosur në listë të zezë për një periudhë njëvjeçare Kompaninë “Pharma Leader L.L.C”, për prezantim të dokumenteve të falsifikuara gjatë aplikimit në një tender të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Kompania “Pharma Leader L.L.C” kishte hyrë në listë të zezë më 05.04.2024 dhe do të vazhdojë të jetë në këtë listë deri më 04.04.2025.

Pavarësisht se kjo Kompani ka hyrë në listë të zezë për prezantim të dokumenteve të falsifikuar, as Spitali i Gjakovës që ishte iniciues i tenderit e as Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili mori vendim që Kompaninë në fjalë ta diskualifikojë për një periudhë njëvjeçare, nuk e kanë dërguar këtë rast në Prokurorinë e Shtetit.

Procedurat hetimore kanë nisur nga Prokuroria e Gjakovës, vetëm pasi KALLXO.com është interesuar dhe ka dërguar pyetje, 10 muaj pasi Operatori Ekonomik “Pharma Leader L.L.C” është vendosur në listë të zezë në lidhje me tenderin e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” për “Furnizim me aparatura të Hemodializës”.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se ky rast nuk evidentohet në Regjistrat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, mirëpo ju informojmë se pas kërkesës suaj lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve, lidhur me këtë rast.” – tha për KALLXO.com, Drin Domi, zëdhënës i Prokurorisë së Gjakovës, më 03.02.2025.

KALLXO.com ka pyetur Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda” nëse e kanë dërguar rastin në Prokurorinë e Shtetit, por ata në një përgjigje përmes emailit kanë treguar se kanë dërguar Kërkesë në OSHP për diskualifikim të Kompanisë “Pharma Leader L.L.C”.

“Ju sqarojmë se Njësia e Prokurimit, pas dyshimit të bazuar se OE ‘Pharma Leader L.L.C’ ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme në tenderin ‘Furnizim me aparatura të Hemodializës’ me Nr. të prokurimit: 70020-23-3503-1-2-1, sipas detyrimit nga Neni 99 i LPP-së, ka inicuar procedurën për diskualifikim të Operatorit Ekonomik. OSHP me Vendimin Nr. 738/23 ka konfirmuar pretendimet tona dhe të njëjtin OE e ka diskualifikuar.” – tha për KALLXO.com Mirgjend Çeku, zyrtar i Prokurimit. 

Pas shqyrtimit të Kërkesës së Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, më 05.04.2024, mori vendim për vendosjen e Kompanisë “Pharma Leader L.L.C” për një vit në listë të zezë.

Paneli Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit konstatoi se Kompania “Pharma Leader L.L.C” në tenderin për “Furnizim me aparatura të Hemodializës”, i iniciuar nga Spitali Rajonal “Isa Grezda”, më 13.04.2023, ka falsifikuar me dokumentacionin e dorëzuar në këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas Vendimit të asaj që njihet si “Gjykata e tenderëve”, pretendimet e Autoritetit Kontraktues, në këtë rast, Spitalit Rajonal “Isa Grezda” janë të qëndrueshme, meqë Kompania “Pharma Leader” i kishte përshtatur parametrat e pajisjes me Dosjen e Tenderit, kur e kishte dërguar herën e dytë katalogun. Parametra të ndryshëm kishte dorëzuar kur e kishte dërguar katalogun për herë të parë.

Si lindën dyshimet për falsifikim?

Në kërkesën që Autoriteti Kontraktues i ka dërguar Organit Shqyrtues të Prokurimit, më 26.06.2023, theksohet se “Pharma Leader” kishte paraqitur fillimisht një katalog me të dhënat e pajisjes – pompës së gjakut të hemodializës, mes tyre edhe të dhënat e “transportation rate” apo “normës së transportimit”, ku kapaciteti i pajisjes ishte: 50 deri në 60 ml/min, ndërsa në specifikat teknike të Dosjes së Tenderit ishte kërkuar që pajisja të ketë kapacitet nga minimumi 30 deri në 600 ml/min.

Autoriteti Kontraktues, përmes letrës standarde të kërkesës për sqarim të tenderit, më 12.05.2023, ka kërkuar nga Operatori Ekonomik ta ridërgojë katalogun e pajisjes.

“Pharma Leader L.L.C” më 17.05.2023 kishte ridërguar katalogun. Komisioni vlerësues gjatë shqyrtimit të tij kishte vërejtur se parametrat e pompës së gjakut ishin ndryshuar.

“Me të vërejtur ky ndryshim i parametrave në mes të dy katalogëve, të dërguar nga i njëjti OE nga ku për të njëjtën pajisje, si dhe analizimi i katalogut të ridërguar nga OE ku mund të vërehet se renditja e faqeve të katalogut nuk është në mënyrë analoge, sepse pikërisht në faqen e katalogut këto të dhëna mungojnë: numrat rendorë të katalogut dhe rezolucioni i shkronjave është dukshëm më i dobët se në faqe tjera.” – thuhet në Kërkesën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Kjo ka nxitur AK-në të bëjë hulumtim në internet, për të gjetur katalogun e pajisjes në fjalë.

“Nga kërkimi AK ka gjetur katalogun e pajisjes në fjalë, teksa vërehet se parametrat e pajisjes janë ndryshe nga parametrat të cilat OE i ka dërguar përmes sqarimit të ofertës, ku sipas këtij katalogu vlerat janë 50-600 ml/min dhe jo 30-600 ml/min, siç i kishte dërguar OE.” – sqarohet në Kërkesën që Autoriteti Kontraktues i kishte dërguar Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Më 29.05.2023, Kompania “Pharma Leader L.L.C” është përgjigjur në Kërkesën e Autoritetit Kontraktues – duke e shpjeguar dallimin e parametrave. Por, sipas Spitalit “Isa Grezda” Kompania i ka dërguar vetëm disa broshura të tjera, por jo edhe linkun e katalogut ku mund të vërtetohen se parametrat e pompës së gjakut janë 30-600 ml/min, siç i ka dorëzuar në procedurë të tenderimit.

Kurse, në përgjigjen dërguar OSHP-së të datës 05.07.2023, kjo Kompani thekson se Autoriteti Kontraktues është lëshuar në konkluzione të pavërteta, duke mos u konsultuar me ekspertë të fushës.

“Autoriteti Kontraktues i referohet vetëm vlerës së përshkruar, por nuk i referohet edhe përshkrimit të manualeve të përdorimit të pajisjes. Në manuale të ndryshme janë të përshkruara vlera të ndryshme, të cilat i mundëson aparatura e ofertuar. Ndryshimi i vlerave në manuale varet edhe nga viti kur është përpiluar ai manual dhe nga kërkesat nga Njësiti kërkues.” – thuhet në përgjigjen e Kompanisë “Pharma Leader L.L.C”, të datës 05.07.2023.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kompania “Pharma Leader L.L.C” vazhdon t’i konsiderojë të padrejta edhe Kërkesën e Autoritetit Kontraktues, edhe Vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për vendosje në listë të zezë.

“Si Kërkesa e AK Spitalit ‘Isa Grezda’, ashtu edhe Vendimi i OSHP-së janë jo të drejta dhe nuk janë të bazuara, pasi që AK për dyshimet e veta e ka kontaktuar prodhuesin gjerman të pajisjes me të cilën kemi ofertuar dhe prodhuesi i ka konfirmuar AK-së që pajisja dhe specifikimet janë në përputhje të plotë me kërkesat e tenderit. Por, edhe përkundër kësaj AK – Spitali ‘Isa Grezda’ ka mbetur në të njëjtin qëndrim, se katalogu nuk është në përputhje me pajisjen dhe ‘kinse’ është falsifikuar – gjë që kjo nuk qëndron.” – vijon përgjigja e Kompanisë për KALLXO.com.

Për Kompaninë “Pharma Leader L.L.C” “është e çuditshme se si mund të pranohet një Kërkesë e tillë (nga OSHP) – pretendimet e së cilës vetë prodhuesi i pajisjes i demanton”.

E njëjta Kompani “Pharma Leader L.L.C” është në listë të zezë, edhe me Kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve në tenderin për “Furnizim me insulina analoge nga lista esenciale”. Për këtë rast, përmes një komunikate për media të datës 14.06.2023, Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar se, më 13.06.2023, në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike, kishte dorëzuar njoftimin për dyshimin e falsifikimit të dokumentit nga ana e Kompanisë “Pharma Leader”.

Pse OSHP nuk i dërgon në Prokurori të Shtetit rastet e dyshimta?

Organi Shqyrtuesi i Prokurimit dhe Prokurori i Shtetit nuk kanë bashkëpunim në dërgimin dhe në trajtimin e rasteve në të cilat konstatohet se ka falsifikim të dokumenteve.

Në lidhje me kompanitë e vendosura në listën e zezë dhe bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit, KALLXO.com kishte kontaktuar me Agim Sheqirin, ushtrues detyre i Kryesuesit të Sekretariatit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Më 14.01.2025, ai kishte konfirmuar se nuk kanë marrëveshje më Prokuroritë përkatëse, teksa adresimi i rasteve ku dyshohet për vepra penale sipas Sheqirit u takon Autoriteteve Kontraktuese.

“Ajo çka di është se Autoritetet Kontraktuese janë njoftuar që çështjen me e dërgu në Prokurori. Është obligim i tyre, se në fakt ato e kanë njëfarë obligimi. Jo vetëm ata, por edhe na. Pra, nëse konstaton që ka mashtrim duhet të iniciohet rasti në organet e Drejtësisë. Autoriteti Kontraktues e ka obligim, nëse ka mashtru, ka falsifiku, ai me e paraqit, sepse falsifikimi është bërë aty. Po supozoj nëse u ba, jo te na. Me Prokurorinë nuk e di që kemi ndonjë bashkëpunim.” – theksoi Sheqiri, më 14.01.2025.

Se OSHP nuk ka dërguar ndonjë rast për të cilin dyshohet se ka elemente të veprës penale, e konfirmon për KALLXO.com edhe zëvendëskryeprokurorja e Prokurorisë së Prishtinës, Elza Bajrami.

“Prokuroria dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk është se kanë ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë sa i përket trajtimit të rasteve, ku mund të konsumojnë vepër penale dhe të cilat mund të jenë zbuluar apo të krijohet dyshimi i arsyeshëm gjatë procedurave para OSHP-së.” – tha Bajrami.

Ajo ka treguar se informacionet që i referohen veprave të mashtrimit në prokurimin publik në Prokurori shkojnë prej Policisë së Kosovës.

“Kryesisht kjo më tepër është një punë e Autoriteteve Kontraktuese, për shkak se edhe Vendimet e OSHP-së janë të tilla që ua lënë në dorë Autoriteteve Kontraktuese, që të njëjtat t’i njoftojnë organet e rendit, gjegjësisht organet e Drejtësisë: Policinë, Prokurorinë, nëse ka dyshime për veprime të tilla, falsifikimet e dokumenteve apo mashtrime, tentime të mashtrimit në prokurim publik. Deri më tani nuk kemi pasur raste të cilat janë paraqitur direkt nga ana e OSHP-së.” – kishte thënë Bajrami, më 28.01.2025, për KALLXO.com.

Një rast i bashkëpunimit të një institucioni me Prokurorin e Shtetit për dërgimin e rasteve të dyshuara për vepra penale dhe ndarjen e informacioneve të tjera është Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas Nenit 79 të Kodit të Procedurës Penale “të gjitha organet publike detyrohen t’i paraqesin veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare, për të cilat janë informuar ose për të cilat kanë marrë dijeni në ndonjë mënyrë tjetër”.

Kallëzimi penal i paraqitet Prokurorit kompetent të Shtetit me shkrim, me mjete teknike të komunikimit ose gojarisht.

Ndërkohë, pak ditë më parë, pas interesimit të KALLXO.com në lidhje me një Vendim të OSHP-së për vendosjen e Kompanisë “Fortesa Sh.P.K” në listën e zezë, në lidhje me një tender në Komunën e Gjilanit, Prokuroria e Gjilanit kishte iniciuar rastin.

Lista e zezë është një nga mekanizmat për skualifikimin e operatorëve ekonomikë, që falsifikojnë apo dërgojnë të dhëna të rreme për të marrë pjesë në proceset e prokurimit publik, për një periudhë të caktuar.

Bazuar në Ligjin për Prokurim Publik, OSHP mund të vendosë një Operator Ekonomik në listën e zezë dhe nga tre muaj deri në një vit ta përjashtojë atë nga pjesëmarrja në çfarëdo procesi të prokurimit publik.

“Në bazë të një Kërkese me shkrim nga Autoriteti Kontraktues, në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga Operatori Ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë Operatorin Ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në (1) njëvjeçare.” – thuhet në Nenin 99 të LPP-së.

Gjatë vitit 2024, OSHP ka vendosur në listë të zezë mbi 10 Kompani, kurse nga fillimi i vitit 2025 vetëm një Operator Ekonomik.

Në lidhje me procedurat e dyshimta të prokurimit e tenderët njëburimor, janë bërë deklarata, akuza e janë publikuar video të ndryshme në rrjetin social TikTok, disa prej të cilave mund t’i gjeni KËTU, KËTU dhe KËTU.