Këshilltarët Votojnë Shitjen e Audi Q7-ës së Mustafës (TV)

Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Prishtinës të mërkurën me shumicë votash aprovuan propozimin e kryetarit Shpend Ahmeti, që vetura Audi Q7 të dalë në shitje.

Shitja e makinës së blerë 76 mijë e 300 euro nga administrata e kaluar e Prishtinës për ish-kryetarin Mustafa, ishte premtim elektoral i Shpend Ahmetit.

Nga 37 këshilltarë komunalë që ishin  prezentë, 27 votuan për, ndërsa grupi parlamentar i LDK-së bojkotoi votimin. Komuna e Prishtinës ka 51 këshilltarë, 18 nga të cilët janë të LDK-së.

Mustafa që nga viti 2010 është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa Prishtinën e drejtoi nga viti 2007 deri në 2013-ën.

Këshilltarët e partisë së drejtuar nga Mustafa, kundërshtuan shitjen e kësaj makine me arsyetimin se kjo është çështje politike dhe interes personal i kryetarit, ndërsa, të gjithë këshilltarët e tjerë të partive politike votuan pro.

Vetëvendosja ka 10 asamblistë, PDK-ja 8, AKR-ja dhe AAK-LDD-ja nga 4, Lëvizja për Bashkim dhe Partia e Drejtësisë nga 2, Lista Srpska, Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) dhe Partia e Fortë nga 1 këshilltar në kuvendin komunal të Prishtinës të dalë nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të vitit të kaluar.

Këshilltari nga Partia e Fortë Visar Arifaj tha se e përshëndet iniciativën e kryetarit Ahmeti për të shitur veturën, duke shtuar se subjekti i tij politik është gati për ta blerë këtë veturë.

Kryetari Ahmeti tha se kjo veturë nuk ia vlen më të mbahet. Sipas tij kjo veturë ka shpenzime të mëdha. Duke pasur parasysh varfërinë e madhe në Kosovë, Ahmeti deklaroi se nuk dëshiron që të vozitet me vetura luksoze, ndërsa paratë e shitjes do t’ua dedikojë të varfërve. 

“Unë si kryetar jam tepër i interesuar që në vend se të kemi një makinë të tillë të luksit, të cilën unë nuk dua ta shfrytëzoj, aman që këto para t’i përdorim së paku për mirëqenie sociale, të cilën e kemi aq të nevojshme në komunën e Prishtinës”, tha Ahmeti.

Këshilltari komunal i PDK-së  Muhamet Selmani, propozoi që çmimi fillestar në ankand publik të mos jetë më pak se 45 mijë euro.

Këshilltarët e LDK-së akuzuan kryetarin Ahmeti se po e shet vetëm Audi-në Q7, pa futur në plan edhe veturat tjera.

“Lidhja Demokratike, grupi parlamentar i saj, nuk do të votojë sepse është tipike politike dhe nuk janë dhënë arsyetimet e mjaftueshme se çka, pse, ku janë veturat tjera? Edhe ato rrinë të pashfrytëzuara, por është zgjedhur që të bëhet pak aferë”, tha Sami Hamiti.

Ahmeti këtyre kritikave iu përgjigj me fjalët se do të do t’u vijë koha e shitjes edhe makinave tjera, duke përfshirë edhe Tuareg-un e ish-kryetarit Ismet Beqiri.