Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

"Kërcënimi" me konflikt, llogaritë e Vuçiqit në sytë e analistëve kosovarë

Krahasimi i raporteve të Kosovës me Serbinë me konfliktin në Nagorno Karabak nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nxitur reagime në vend.

Menjëherë pas kësaj deklarate, pala kosovare kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të reagojë, ndërsa sipas analistëve, presidenti serb ka qëllim që të mos arrihet një marrëveshje dhe të krijohet një konflikt por, sipas tyre, gjasat për konflikt të ngjashëm si në vitet e ’90-ta janë shumë të vogla.

Kurse, reagim pati vetëm nga NATO që tha se vazhdojnë të mbështesin dialogun Kosovë-Serbi me ndihmën e BE-së, ndërsa BE nuk ka reaguar ende.

Njohësja e çështjeve të sigurisë, Shqipe Mjekiqi, tha për KALLXO.com se përfaqësuesi i një vendi që synim ka anëtarësimin në BE, nuk duhet të japë deklarata të tilla.

“Serbia, pra përfaqësuesit e saj, fatkeqësisht ende vazhdojnë të jenë dekonstruktiv në raport me Kosovën. Përfaqësuesi i një vendi që pretendon me qenë anëtar i BE-se në të ardhmen nuk duhet të dalë me këso deklaratash”, thotë ajo.

Sipas Mjekiqit, deklarata e djeshme e Vuçiqit reflekton dëshirën e tij që dialogu mos të përfundojë me marrëveshje.

“Vuçiq po kërcënon me përdorim të forcës nëse dialogu Kosovë-Serbi nuk prodhon një marrëveshje. Por, arritja e marrëveshjes është pikërisht peng i destruktivitetit te Vuçiqit dhe përfaqësuesve tjerë serb. Si duket Vuçiq këtë synim e ka – që të mos arrihet marrëveshje por, të shkaktojë dhunë”, shtoi ajo për KALLXO.com

Ndërsa, Donika Emini, analiste politike dhe drejtoreshë e platformës “CivKos” thotë se deklarata e presidentit serb, është një deklaratë e një stabilitokrati i cili, sipas saj, pas marrëveshjes në ShBA po tenton të maksimizojë benefitet edhe nga BE-ja.

“Pas panikut për siguri dhe stabilitet të shkaktuar nga konflikti në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit, pas fjalimit të Macron që vuri në theks rëndësinë e sigurisë për BE dhe frikën nga desabilizimi i Ballkanit gjatë Samitit të Sofjes në kuadër të Procesit të Berlinit, Vuçiq po tenton që të gjenerojë jo stabilitet që pastaj që sigurojë stabilitet duke bërë veten faktor kyç për stabilitet në Ballkan dhe Evropë”, tha Emini për KALLXO.com.

Emini po ashtu është e mendimit që Vuçiq këtë deklaratë e ka bërë pas ngjarjeve të fundit në Gjykatën Speciale dhe presionin që ai po e bënë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Këto deklarata nuk duhet me u kthy me ton të njëjtë nga pala kosovare, sepse kjo vetëm e bën Kosovën pjesë e një strategjie të Vuçiq, të cilën e ka përdorur në raport me Kosovën dhe BE-në. Konflikti me një vend që ka mision aktiv të NATO-s është gabim strategjik për Serbinë”, ka shtuar Emini.

Dialogu me marrëveshje apo konflikt?

Drejtoresha e platformës “CivKos” po ashtu thotë se dialogu Kosovë-Serbi do të përfundojë me marrëveshje, por sipas saj, do të pengohet me provokime të tilla.

“Por edhe me pauza në proces si pasojë e ngjarjeve brenda dyja vendeve por edhe ngjarjeve në BE. Dialogu për një kohë të gjatë në vend të normalizimit është shndërruar në preventivë të konfliktit kjo pikërisht për shkak të stabilitokracisë që Vuçic dhe Thaçi kanë përdorur përgjatë një dekade”, deklaron Emini.

Ajo po ashtu thekson se nuk do të mund të ketë një konflikt të ngjashëm si në vitet e ’90-ta, por konflikte të vogla ndër-etnike.

“Gjasat për konflikt të ngjashëm me vitet 1990 janë shumë të vogla, kurse konflikte të vogla ndër-etnike dhe sporadike edhe mund të ketë – kjo si pasojë e nxitjes nga elitat politike që kanë përdor stabilitetin dhe nacionalizmit për të mbajtur pushtetin autoritar”, tha në fund Emini.

Reagimi i palës kosovare dhe serbe

Deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për një konflikt të mundshëm nuk u pritën mirë nga ana e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ishte e para që reagoi dhe tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiqit për “luftë të dhunshme”.

“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, i bërë nga Vuçiq”, tha Osmani.

Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kërkoi reagim nga ana e BE-së dhe NATO-s, derisa shtoi se Kosova është e përkushtuar  për paqe e stabilitet në rajon.

“Deklarimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Ato janë në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”, ka thënë Hoti.

Reagim pati edhe nga ana e ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila tha se Vuçiq po kërcënon të gjitha vendet e rajonit që janë pjesë e NATO-s.

“Pasi nxiti luftën e Nagarno Karabakh me armë të bëra nga Serbia, ministri i informacionit i Millosheviçit, Aleksandër Vuçiq tani kërcënon të gjitha vendet fqinje të rreshtuara krah NATO-s se do vazhdojë të përgatitet ushtarakisht për luftëra të reja në Ballkan”, shkroi Haradinaj.

Pa reagim nuk ishte as ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i cili tha se Kosova nuk është e interesuar për luftë dhe sipas tij, dëshiron të jeton në paqe.

“Fare nuk jemi të interesuar për luftë, duam të jetojmë në paqe, por nëse lufta është e pashmangshme, ne si çdo herë do të fitojmë”, ka shkruar Quni në Facebook.

Edhe ushtruesi i detyrës i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, reagoi dhe tha se duhet të ketë reagim të shpejtë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

“I vetmi kërcënim për stabilitetin dhe paqen rajonale mbeten pasuesit e Millosheviqit në qeverinë serbe dhe aparatin e sigurisë. Komentet e sotme nga Aleksandar Vuciq kërkojnë një reagim të shpejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Rajoni mund të lëvizë vetëm kur Serbia përballet me gjenocidin që ajo ka kryer në Kosovë”, ka shkruar ai në Tëitter.

Kurse, zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi si “histerike” reagimet e autoriteteve të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se mesazhi kryesor i Vuçiqit sot ka qenë se, për Serbinë dhe popullin serb, “paqja është më e rëndësishmja”.

“Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë njësoj të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi. Serbia dhe presidenti i saj konfirmojnë vazhdimisht, edhe me fjalë, edhe me vepra, se ne jemi garantuesi më i fortë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe këtë e kuptojnë dhe e mbështesin të gjithë faktorët relevantë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Petkoviq.

NATO mbështet dialogun

Për deklaratën e presidentit serb, pati një reagim nga ana e NATO-s, por deri më tani nuk ka reaguar Bashkimi Evropian.

Zyrtarë të NATO-s nuk pranuan të komentojnë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt si në Nagorno Karabak, nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se si e sheh NATO paralelen që ka tërhequr Vuçiq midis Kosovës dhe Nagorno Karabakut, nga selia e aleancës ushtarake thanë se “misioni i KFOR-it [në Kosovë], i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë dje.

Konflikti në Nagorno Karabak

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene.

Luftimet për kontrollin e këtij rajoni kanë shpërthyer qysh më 27 shtator, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.

Një luftë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për këtë rajon ka përfunduar në vitin 1994 me armëpushim, por pa marrëveshje të paqes.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në Bruksel, gjatë këtij viti, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.

Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret në Bruksel, sa më parë që të lejojnë mundësitë.