Meliza Haradinaj: Vuçiq kërcënoi të gjitha vendet fqinje të rreshtuara krah NATO-s

Ministrja e Punëve të jashtme dhe diasporës, Meliza Haradinaj, ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq se nëse nuk ka marrëveshje me dialog mund të shkojë deri në një konflikt të mundshëm.

Haradinaj përmes Twitter ka thënë se me këtë Vuçiq po kërcënon të gjitha vendet e rajonit që janë pjesë e NATO-s.

“Pasi nxiti luftën e Nagarno Karabakh me armë të bëra nga Serbia, ministri i informacionit i Millosheviçit, Aleksandër Vuçiq tani kërcënon të gjitha vendet fqinje të rreshtuara krah NATO-s se do vazhdojë të përgatitet ushtarakisht për luftëra të reja në Ballkan”, shkroi Haradinaj.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë para gazetarëve se në mëngjesin e të enjtes (12 nëntor) ka pasur takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, dhe ka thënë që konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë.

“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiq.

 

Vjosa Osmani kërkon nga NATO dhe BE të reagojnë ndaj kërcënimit të Vuçiqit