Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti reagon ndaj deklaratës së Vuçiqit që përmendi mundësinë për konflikt me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka paralajmëruar se mund të ndodhë ndonjë konflikt me Kosovën.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet në rajon.

“Deklarimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Ato janë në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, nën garancat e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”, ka thënë Hoti.

Tutje Hoti tha se pret nga Bashkimi Europian dhe NATO të reagojnë ndaj siç e ka quajtur ai, provokim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në rolin e saj konstruktiv në të mirë të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit.  Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojë ndaj këtyre provokimeve”, ka shkruar më tej kryeministri.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në NATO, Bashkimin Evropian dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare.

Sot, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se zgjidhja me Kosovën duhet të arrihet sa më herët përmes dialogut ose mund të ndodhë ndonjë konflikt i mundshëm