Vjosa Osmani kërkon nga NATO dhe BE të reagojnë ndaj kërcënimit të Vuçiqit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se zgjidhja me Kosovën do jetë ose përmes dialogut ose një konflikt i mundshëm si ai i Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Osmani lidhur më këtë deklaratë i bëri thirrje NATO-s dhe BE-së që t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme.

“Unë pres që Bashkimi Evropian dhe NATO t’i përgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, i bërë nga Vuçiq,” shkroi Osmani.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë para gazetarëve se në mëngjesin e të enjtes (12 nëntor) ka pasur takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, dhe ka thënë që konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë.

“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiq.

Vuçiq: Zgjidhje përmes dialogut ose konflikt i mundshëm