Dalibor Jevtiq | Foto: BIRN

Jevtiq: Mësimi i Gjuhës Shqipe Është i Domosdoshëm

Ministri i Qeverisë së Kosovës, Dalibor Jevtiq thotë se serbët dhe shqiptarët duhet të ndërtojnë besimin dhe se fëmijët serbë të Kosovës duhet të mësojnë gjuhën shqipe për të siguruar komunikim më të mirë për të ardhmen.

“Fjala kyçe sot në Kosovë është besimi, i cili duhet të ndërtohet mes dy komuniteteve dhe ndaj institucioneve [shtetërore]”, tha për BIRN në një intervistë Dalibor Jevtiq, Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

“Njohja e gjuhës shqipe është një domosdoshmëri për komunitetin serb. Shumica e gjeneratave të moshës së mesme dhe atyre më të vjetër të shqiptarëve e njohin serbishten, gjë që nuk është rasti me popullsinë serbe dhe kjo duhet të ndryshojë gjithashtu”, tha Jevtiq.

Jevtiq, anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi që ka shërbyer si ministër në tri qeveri të Kosovës, ka thënë se në përvojën e tij profesionale dhe personale ka mësuar që gjithmonë të vendosë jetën e njerëzve të zakonshëm para politikës.

“Politika e jetës para politikës, ka provuar veten të jetë shumë e frytshme, pasi gjatë disa viteve të kaluara nuk kemi parë ndonjë incident me një rezultat vdekjeprurës midis komuniteteve shqiptare dhe serbe”, tha ai.

“Dhe nëse ne shtyjmë më shumë në këtë drejtim, të kapërcejmë stereotipat dhe të lirojmë të kaluarën në mënyrë që ta bëjmë më të mirë të ardhmen, jeta do të triumfojë në Kosovë”.

‘Serbët kishin të drejtë të mbështesin Haradinajn’

Ramush Haradinaj | Foto: Beta

Jevtiq mendon se vendimi i Listës Serbe për të mbështetur qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kryeministri i ri i Kosovës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u lirua nga akuza për krime lufte nga Tribunali i Hagës në vitin 2007, tashmë ka treguar se ka qenë një zgjedhje e mirë.

“Tani po bëjmë njëfarë përparimi për çështje shumë të vështira të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë”, tha Jevtiq.

“Nëse flasim për jetën e serbëve në Kosovë, nuk është e njëjtë në jug dhe në veri të Kosovës. Ky është fakti që duhet të merret në konsideratë nga ndonjë politikë. Kam gjetur se kryeministri është i vendosur të trajtojë çështjet si ajo që kemi në Gjakovë, i cili është ende një qytet i ndaluar për serbët. Ai më tha se do të shkojmë atje së bashku dhe do të zgjidhim këto probleme”.

Gjakova është një qytet në jug-perëndim të Kosovës ku kishte shkatërrime në shkallë të gjerë gjatë konfliktit të viteve 1998-99 dhe ku pësuan viktima të shumta civile, kryesisht në mesin e shqiptarëve.

Në vitin 2015, një përpjekje për të organizuar një vizitë për serbët e zhvendosur në shtëpitë e tyre të mëparshme në Gjakovë, u prit me protesta dhe me gjuajtje të gurëve në autobusët e tyre.

Kjo shkaktoi dorëheqjen e paraardhësit të Jevtiqit, Aleksandar Jablanoviq, pasi ai e quajti incidentin barbar dhe u shkarkua pastaj nga qeveria nën presionin publik në rritje.

Jevtiq tha se të kuptuarit popullor që serbët duhet të fajësohen për gjithçka, e cila është ende e përhapur në disa pjesë të Kosovës, duhet të trajtohet, por theksoi se kjo nuk është një detyrë e lehtë.

“Kryeministri Haradinaj nuk duhet t’ia dëshmojë patriotizmin e tij askujt, ndryshe nga paraardhësi i tij Isa Mustafa dhe kjo është arsyeja pse unë jam i bindur se ai mund ta bëjë këtë”, tha ai.

‘Çështja e gjuhës është jetësore’

Pamje nga Presheva | Foto: Beta

Besimi duhet të ndërtohet mes dy komuniteteve, sepse thjesht sigurimi i parave për të rindërtuar shtëpitë e serbëve që ikën pas luftës së vitit 1999 nuk mjafton për të siguruar që kthimi i tyre është i qëndrueshëm, tha Jevtiq.

“Mendoj se çështja e gjuhës është jetësore për ndërtimin e besimit. Besoj se do të ishte mirë nëse fëmijët serbë do të mësonin gjuhën angleze dhe shqipe si gjuhë të huaja dhe anasjelltas”, shpjegoi ai.

“Kjo ishte dikur mjaft normale në Jugosllavi. Sot, serbët dhe shqiptarët e rinj komunikojnë vetëm në gjuhën angleze. Unë vetë e kuptoj mirë gjuhën shqipe, por e përdor me masë, pasi më pëlqen të shprehem shumë saktë, kështu që unë komunikoj me kryeministrin Haradinaj në gjuhën serbe”, shtoi ai.

Serbia mund dhe duhet të kontribuojë, tha Jevtiq, duke përmendur si shembull një projekt të mësimdhënies së gjuhës shqipe që u zbatua në qytetet jugore serbe të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në vitin 2012.

Ministria serbe e Arsimit, me mbështetjen e ambasadës britanike në Beograd dhe misionit të OSBE-së në Serbi, filloi një program për t’u mësuar serbisht fëmijëve shqiptarë në shkollat fillore të zonës, një projekt që synon të mbështesë integrimin dhe të ndihmojë fëmijët shqiptarë të shkojnë në arsimin e lartë në universitetet serbe.

“Njohja e gjuhës shqipe është një domosdoshmëri për komunitetin serb në Kosovë. Shumica e gjeneratave të moshës së mesme dhe të vjetër të shqiptarëve njohin gjuhën serbe, gjë që nuk ndodh [për gjuhën shqipe] në mesin e popullatës serbe dhe kjo duhet të ndryshojë gjithashtu”, tha ai.

“Kur flisni me dikë në gjuhën e tij, komunikimi është gjithmonë shumë i plotë dhe sjell rezultate më të mira”.

‘Ne po përdorim mendjen tonë’

Kisha ortodokse | Foto: KALLXO.com

Pas konfliktit të vitit 1999, rreth 240,000 serbë u larguan nga Kosova dhe deri më tani vetëm 10 për qind e tyre janë kthyer, sipas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Në vitin 2017, deri tani janë kthyer 343 njerëz, një rënie prej gati përgjysmë nga viti 2016, thotë ministria, kryesisht për shkak të faktit se gjatë këtij viti në Kosovë janë mbajtur dy palë zgjedhje, duke shmangur vëmendjen e administratës së Prishtinës nga kjo çështje.

Jevtiq theksoi se njerëzit kanë nevojë për siguri sociale dhe ekonomike për të rindërtuar jetën e tyre, duke vënë në dukje se në vitet e mëparshme, disa serbë janë përpjekur të kthehen në komunitete ku nuk ndihen të sigurt.

“Pra, ne kemi rregulluar politikat për këtë fakt dhe nëse dikush dikur ka jetuar në Ferizaj ose në Prishtinë, por sot dëshiron të jetojë në Shtërpcë ose në Graçanicë, nuk e vëmë në dyshim atë qëllim, por e ndihmojmë që kjo të ndodhë”, shpjegoi ai.

Jevtiq vuri në dukje se kthimet në komunitetet urbane aktualisht janë pak a shumë joekzistente dhe dëshiron që kjo prirje të përmbyset, edhe pse ai pranon se ka pengesa të vërteta.

“Kur kryetari i Prishtinës më thotë se serbët janë të mirëpritur, por në të njëjtën kohë e trajtojnë Kishën e Krishtit Shpëtimtar ashtu siç bëjnë ata, më bën të mendoj se kjo ftesë nuk është e sinqertë”, tha ai.

“Ata e quajnë atë si trashëgiminë e Sllobodan Millosheviqit, por edhe ndërtesa e komunës së Prishtinës është gjithashtu, kështu që a ta rrënojmë edhe atë?”

Ndërtimi i Kishës së Krishtit Shpëtimtar filloi nën sundimin e Millosheviqit në vitin 1995, në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, por ndërtimi u ndërpre nga lufta kështu që ajo mbeti e papërfunduar.

Kisha Ortodokse Serbe ka organizuar protesta pasi objekti është shkatërruar, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë protestuar për heqjen e saj, duke argumentuar se ai është një monument i regjimit shtypës të Millosheviqit.

Jevtiq argumentoi se kthimi i njerëzve të zhvendosur nga konflikti në zonat urbane gjithashtu do të varet nga ata që janë në gjendje të arsimojnë fëmijët e tyre në gjuhën e tyre amtare, edhe pse kjo çështje do të zgjasë më shumë kohë sesa sigurimi i shtëpive për të kthyerit.

“Nëse them se do të kemi kthime të konsiderueshme në qytete në një afat të shkurtër, do të ishte e papërgjegjshme, edhe pse do të doja që kjo të ndodhte nesër”, tha ai.

“Por ne nuk po flasim për atë që është në zemrat tona, po ne po përdorim mendjen tonë”.