Zveçan. Foto: Antigonë Isufi/Kallxo.com

Jeta në qytetet që nuk i lidh transporti me Prishtinën

Komunat e veriut të Kosovës nuk kanë linja të rregullta të transportit ndërurban me Prishtinën. Qytetarët udhëtojnë me kombi dhe mënyra alternative, kurse nga institucionet thonë se nuk ka kërkesa për linja të rregullta.

Në rrugën që të shpie në Zveçan në një autobus me mbishkrimin Novi Pazar- Leposaviq – Mitrovicë – Prishtinë, ishte ulur vetëm një burrë rreth të gjashtëdhjetave, shqiptar nga Lezha që ishte duke u kthyer nga një vizitë në Novi Pazar. Për një udhëtar, autobusi shkoi deri në Prishtinë.

Autobusët nga Novi Pazari i Serbisë janë të vetmit që kanë linjë të rregullt me Prishtinën e që kalojnë nëpër veri të vendit.  Qytetarët e katër komunave veriore: Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut e Zubin Potok, që punojnë në Prishtinë, qoftë shqiptarë apo serbë, në mungesë të autobusëve, zakonisht udhëtojnë me kombi.

Autobusi Novi Pazar- Leposaviq- Mitrovicë- Prishtinë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Në këto komuna ekzistojnë tri narrativa në lidhje me transportin ndërurban me Prishtinën: shqiptarët po braktisin fshatrat si pasojë e mungesës së transportit, serbët që punojnë në Prishtinë shprehin dëshiren për linja të rregullta, dhe një pjesë e serbëve nuk janë të interesuar që të shkojnë fare në Prishtinë.

Sfidat e transportit me të cilat përballen komunat veriore të Kosovës, veçanërisht në lidhjen me Prishtinën, nxjerrin në pah ndërveprimin kompleks të faktorëve politikë, etnikë dhe historik në rajon.

Megjithatë qytetarët mundohen të gjejnë zgjidhje tjera të përshatura. Zakonisht udhëtojnë me vetura personale, me autobusë të Novi Pazarit ose më së shpeshti nëse shkojnë njëherë në jug të Mitrovicës për të vazhduar më pas në Prishtinë.

Si pasojë e mungesës së kërkesave nga qytetarët, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), thotë që nuk ka linja të rregullta në këto drejtime. Ndërkaq, nga shoqëria civile treguan që pavarësisht që një numri të vogël të qytetarëve u duhen linja të rregullta për shkak punojnë në Prishtinë, përsëri nuk ka kërkesa të mjaftueshme që të realizohet një gjë e tillë në mënyrë institucionale.

“10 udhëtarë u ndalën në Mitrovicë, për një (udhëtar) po shkojmë deri në Prishtinë, edhe ai është shqiptar, se serbë zakonisht nuk ka. Mas pari ka shumë pak, po edhe kështu nuk ka hiç, kërkesa është shumë e vogël. Ata që dojnë shkojnë në jug për që të vijnë në Prishtinë”- tha për KALLXO.com, shoferi i autobusit të Novi Pazarit.

Çka thonë qytetarët, çka komuna e çka Ministria?

KALLXO.com vizitoi komunat veriore për të parë nëse ka linja të autobusit dhe nëse qytetarët kanë nevojë për autobusë për në Prishtinë. Pak qytetarë serbë të komunave të veriut në mënyrë anonime shprehën vullnetin e tyre që të shkojnë në Prishtinë, ndërkaq asnjë autobus për në Prishtinë nuk shihej në asnjë nga stacionet.

Në Zubin Potok qytetarët serbë na thanë që zakonisht shkojnë në jug të Mitrovicës nëse synojnë Prishtinën. “Nuk kemi pse të shkojmë”- ishin disa nga përgjigjjet.

“Është vetëm një në ora 2, vjen një linjë prej Novi Pazarit Nëse dojmë me shku në Prishtinë, shkojmë me kombi – po rrallë shkojmë. Po nëse shkojmë, shkojmë me kombi privat që na dërgojnë deri në jug, e andej shkojmë me autobus” – tha një nga qytetaret e Zubin Potokut, derisa blinte perime në një nga tregjet e qytetit.

Zubin Potok. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Ndërsa, një qytetare tjetër etnike serbe, tha që nuk kanë asnjë stacion të autobusëve në qytet, “po kush do të shkojë në Prishtinë mundet të shkojë me veturë.”

Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut tregoi që nuk as një linjë as në Mitrovicë Jugore për në Zubin Potok, sepse sipas tij autobusët udhëhiqen nga një kompani e ish-kryetarit të Zubin Potokut dhe “natyrisht kanë më shumë linja të autobusëve për Beograd se sa për qytete tjera e që domethënë për Prishtinë nuk ka hiç”.

“Nuk ka pas ndonjë tentativë nga komuna që me pas linja për Prishtinë në këto dekadat e fundit. Sigurisht që nuk kanë pas ndonjë organizim për këtë punë e as kërkesë”- tha Zeqiri për KALLXO.com, duke shtuar që zakonisht qytetarët udhëtojnë me autobusë të Novi Pazarit.

Aktivisti Miodrag Marinkovic nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, CASA, me bazë në Mitrovicë të Veriut, tha për KALLXO.com që mungesa e linjave ndërurbane që lidhin komunitetet veriore me Prishtinën është problem që daton prej luftës në Kosovë në vitin 1999. Prej atëherë nuk ka pasur kurrë asnjë linjë publike-private me Prishtinën apo ndonjë qytet tjetër të madh të Kosovës. 

“Të gjitha linjat ndërubane u anuluan dhe janë ende joaktive si pasojë e mjedisit sfidues politik dhe të sigurisë”.

Sipas tij, ndarja de facto e shoqërisë kosovare ka ndikuar në dinamikat ndërkomunitare me shumë pak njerëz, kryesisht qytetarë të punësuar në organizatat ndërkombëtare të Prishtinës, që të kenë nevojë për transport të përditshëm.

Sipas dokumenteve të vitit 2017 në Ministri të Infrastukturës, ekzistojnë vetëm linja të autobusit nga Graçanica – Çagllavicë – Mitrovicë, që vendndalje e kanë Prishtinën. 

Marinkovic tregoi që praktikat që përdoret më së shpeshti kur qytetarët udhëtojnë në Prishtinë janë shfrytëzimi i taksive dhe kombave që udhëtojnë ndërmjet veriut të Kosovës deri Graçanicë.

“Kështu njerëzit merren vesh me operatorët e kombit dhe zbresin (në jug). Pastaj udhëtojnë me linjën Mitrovicë – Graçanicë në varësi të nevojës së tyre. Këto rrugë transporti shpesh sjellin kosto shtesë për të arritur në destinacion, pasi kombit nuk funksionon në brendësi të qytetit, por më tepër i lëshon pasagjerët në periferi të Prishtinës, duke i detyruar ata të përdorin më shumë shërbime taksi”- shpjegoi Marinkovic procesin e udhëtimit të qytetarëve.

Megjithatë, Marinkovic nuk fajësoi institucionet, pasi që sipas tij asnjëherë nuk ka pasur kërkesë të mjaftueshme nga qyetarët të cilës sektori privat mund t’i përgjigjet.

 

Shqiptarët braktisin fshatrat në mungesë transporti

Tre fshatrat e banuar me shqiptarë në Leposaviq, Cerajë, Bistricë e Koshtovë nuk kanë autobusë as për në Mitrovicë.

Driton Avdyli, banor i Cerajës së Leposaviqit për të shkuar deri në Mitrovicë, e më pas për të vazhduar tutje, pothuajse shumicën e kohës iu bashkëngjitet vëllaut të tij që udhëton me veturë, ose dikujt nga fshati që ka rrugën e përbashkët.

“Shumica e banorëve që e kanë braktisë fshatin janë për shkak të mungesës së transportit.., se janë rritur fëmijët me shku në shkollë, ose duhet me shku ose me u nalë krejt prej shkolle”- tha Avdyli për KALLXO.com.

Avdyli thotë që mungesa e transportit për kohë të gjatë është problemi kryesor për banorët. Ceraja i ka rreth 30 banorë shqiptarë.

“Për transport me kanë diçka me ba, edhe shteti ish dashtë me ditë ku dhe çka me investu qe me i joshë njerëzit me nejt këtu edhe me i kthy tjerët”- tha ai, i mllefosur.

Izmir Zeqiri, tha që shqiptarët që jetojnë në atë anë, udhëtojnë me kombi-busë për shkak se as mes vete komunat nuk kanë linja.

“Edhe për shqiptarët knej është problem me shku në Prishtinë. Po pse veç në Prishtinë e jo në Pejë, jo në Gjakovë. Me ardh në Prishtinë ka edhe për Skënderaj. Pse me ardh në Prishtinë? Nuk kemi arsye. Me dekada na nuk kemi transport për anej”- tha i mllefosur një qytetar i Zveçanit i etnisë shqiptare.

Një taksist, qytetar serb, tha që zakonisht qytetarët e Zveçanit nëse duan të shkojnë në Prishtinë përdorin taksinë për të shkuar në jug të Mitrovicës, për të vazhduar më pas në kryeqytet. Taksi nga Zveçani deri në jug të Mitrovicës kushton 15 euro, në bazë të asaj çka na ofruan taksistët për të shkuar deri në jug.

Kryetari i Zveçanit, Lulëzim Peci tha për KALLXO.com që nuk është dijeni nëse ka autobusë që qarkullojnë nga komuna që drejton për në Prishtinë, por me sa ka informacion nuk ka. Sipas tij, qytetarët më shumë udhëtojnë me kombi-busë nëse kanë nevojë.

Përderisa ekipi i KALLXO.com shëtiti nëpër qytet të Zubin Potokut hasi vetëm në autobusë që mbishkrim kishin emërtimin Kolasin Prevoz, ndërsa stacione të autobusëve nuk kishte askund.

Zveçan. Foto: Antigonë Isufi: Kallxo.com

Izmir Zeqiri tha që autobusët Kolasin janë nga kompani të serbëve që operojnë në veri dhe jo vetëm, që zakonisht qarkullojnë në Zubin Potok, Zveçan e deri në Beograd. Sipas të dhënave në Minisitri të Infrastukturës, linja të rregullta transporti një herë në ditë të Kolasin Prevoz ka nga Gorazhdevci në Zveçan,  Klinë-Zveçan, Leposaviq-Mitrovicë, Hoxhë e Madhe (Rahovec)- Zveçan.

Nga Ministria e Infrastrukturës, thanë për KALLXO.com që  nuk ka  pasur kërkesa përkatëse, “megjithatë sipas evidencave  zyrtare të regjistrit  të rendeve  të udhëtimit në transportin ndërurban aktualisht  ka  nisje të vërtetuara që e kanë Mitrovicën”.

Megjithatë, MMPHI-ja  në nëntor  të këtij viti ka  bërë shpalljen e  nisjeve  të lira  ndërurbane  nëpër  relacione  të ndryshme, ku  përveç tjerave relacione edhe në komunat veriore.

Si kishte funksionuar më herët transporti ndërurban në komunat veriore?

Praktika tjera për transportin ndërurban mes komunave ishin përdorur viteve të kaluara, por që nuk janë më ekzistuese. Lufta e fundit në Kosovë në vitin 1999 dhe tensionet e vazhdueshme ndëretnike në veri të vendit ka bërë që kjo pjesë e vendit të mbes e ndjeshme për një organizim të mirëfilltë.

Nga viti 1999 deri në vitin 2015, në Kosovë ka ekzistuar Transporti Humanitar me Autobus (THA) që ka shëbyer pa pagesë për komunitetet jo-shumicë. Qëllimi i këtij lloj transporti ishte të mbështeten komunitetet më të cenueshme për ta siguruar lirinë e tyre të lëvizjes që mundëson realizimin e të drejtave themelore në arsim, punësim, dhe kujdes shëndetësor. 

Në fund të vitit 2013, Ministria e atëhershme e Infrastrukturës (MI) e shprehu qëllimin e saj për të bërë ndryshime në shërbimet e ofruara, përmes hartimit të një Udhëzimi Administrativ i cili do të ndërpriste programin e THA-së. Në pajtim me këtë ndryshim të politikave, në shtator të vitit 2014 të gjitha linjat e THA-së u ndërprenë dhe linjat komerciale filluan t’i mbulojnë disa nga ato linja. Që nga janari i vitit 2015, MI paraqiti një grup të ri të 13 linjave të THA-së në tërë Kosovën. Pastaj, Ministria i kishte ndërprerë të gjitha linjat e THA-së në shtator të vitit 2014 dhe më vonë kishte rifilluar funksionimin e vetëm 13 linjave në janar të vitit 2015.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës duke u mbështetur  në legjislacionin në fuqi  përkatësisht  Ligjin për  Transportin Rrugor  dhe  Udhëzimin Administrativ (UA) të vitit 2017 për subvencionimin e linjave  ekonomikisht  të paqëndrueshme,  në  transportin ndërurban  ka  bërë shfuqizimin e UA për transportin humanitar. Prej atëherë, kjo formë transporti nuk ekziston më.

Me shuarjen e THA-së, në kuadër të  autorizimeve ligjore  MMPHI-ja  ka  bërë  shpalljen e  nisjeve të  lira  ndërurbane nëpër  të gjitha  relacionet  që ka  pasur transport  humanitar  me qëllim të krijimit të  kushteve  për  operim  komercial  në  transportin ndërurban. Megjithatë Ministria tha për KALLXO.com që ka  pasur interesim  të vogël  nga  operatoret  për të marrë  rende të udhëtimit  në transportin ndërurban për relacionet në komunat veriore.

Përveç  kësaj  MMPHI-ja thotë se  ka  bërë  shpalljen e nisjeve  të subvencionuara nëpër  duke përfshirë  edhe  komunat në  pjesën veriore duke u bazuar në kërkesat e banorëve të fshatrave,   por  nuk ka  pasur interesim  nga  operatorët e  transportit ndërurban për  të aplikuar në këto nisje.

“… ku edhe aktualisht është shpallja publike për operatorët që kanë interesim për këto relacione”- u tha nga Ministria për KALLXO.com.

 

Çka parasheh Asociacioni i komunave serbe për transportin?

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, një nga objektivat e ka edhe“ushtrimin e vështrimit të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural”.

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni që vazhdon të jetë pikë e nxehtë politike në tryezën e dialogut Kosovë- Serbi, parashikon që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.