Lipjan, arrestohet polici, dyshohet se rrahu bashkëshorten e tij

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot një zyrtar policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale – dhunë në familje.

IPK kishte pranuar informacione për këtë rast më 3 qershor 2020 përmes Linjës së Kaltër (080003333) nga Policia e Kosovës  lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Lipjan ka kryer veprën penale – dhunë në familje.

Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar  viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e të dyshuarit, si dhe në vazhdën e veprimeve hetimore është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit edhe zyrtari policor.

Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar, njofton IPK.

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.