Ilustrim - Policia në aksion

Skandal: Dyshime se Polici i Kosovës e kapi për fyti dhe e dëboi gruan pasi ajo u rrah nga kunati

Një zyrtar policor në Gjilan mbrëmë para mesnatës dhe është dërguar në ndalim për 48 orë, pasi i njëjti dyshohet se e ka kapur për fyti dhe ka dëbuar nga shtëpia bashkëshorten e tij.

Përveç policit, mbrëmë është arrestuar edhe vëllai i tij, e ky i fundit sipas burimeve të KALLXO.com brenda policisë dyshohet se ka qenë pikënisja e të gjithë ngjarjes.

KALLXO.com ka tentuar të marr nga policia një sqarim në lidhje me gjithë ngjarjen.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani ka konfirmuar se mbrëmë janë arrestuar dy persona, ndërsa nuk ka dhënë detaje për rastin.

“Policia e Rajonit të Gjilanit e konfirmon se mbrëmë ka ndodhur një rast i dhunës familjare dhe lëndimit të lehtë trupor në Velekincë dhe dy persona janë arrestuar”, tha Hashani për KALLXO.com.

Hashani rekomandoi që sqarimet të i kërkojmë në Inspektoratin Policor të Kosovës, pasi që këta të fundit kanë asistuar në rast.

Si filloi ngjarja

Mbrëmë në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit, vëllai i policit R. H., dyshohet se kishte sulmuar fillimisht bashkëshorten e këtij të fundit.

KALLXO.com mëson nga burimet e saj se, policia kishte pranuar thirrjen nga vëllai i gruas së policit.

Pas rrahjes dhe sulmit fizik nga ana e kunatit, KALLXO.com mëson se ka qenë polici, pra burri i saj, i cili dyshohet se e ka kapur për fyti dhe e ka dëbuar nga shtëpia.

Gruaja pas ngjarjes kishte shkuar në familjen e saj ndërsa siç tregojnë burimet, ka qenë vëllai i viktimës që ka raportuar rastin në polici.

Dhe më pas ishte bërë edhe arrestimi i parë, pra ndaj vëllait të zyrtarit policor.

Nga sulmi gruaja ka marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve trupore të cilat dyshohet se i ka marrë pas rrahjes nga burri dhe vëllai i burrit të saj, që të dy të arrestuar si të dyshuar për rastin.

Në lidhje me këtë ngjarje, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar që zyrtari policor i cili është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, të suspendohet.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë para mesnatës është njoftuar lidhur me një rast dhunë në familje ku si të dyshuar në këtë rast ishte një zyrtar policor dhe një qytetar. Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Gjilan”, thuhet në përgjigjet e Inspektoratit Policor drejtuar KALLXO.com.

Tutje në sqarimin e IPK-së thuhet se si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

“Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet tutje në përgjigje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan për të njëjtin rast.

Prokuroria ka thënë se kanë kërkuar masën e caktimit të sigurisë, ndaj policit për dhunë në familje ndërsa ndaj vëllait të tij për sulm fizik.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.