Ilustrim

Rreshteri i policisë që dyshohet se e rrahu babanë, lihet i lirë

Një rreshter i Policisë së Kosovës, më saktësisht në Njësitin e Trafikut, me inicialet B. B., po dyshohet se ka sulmuar babanë e tij tre ditë më parë.

I njëjti nuk është arrestuar, e Prokuroria e Shtetit ka vendosur që rasti të trajtohen në procedurë të rregullt, pra rreshteri të hetohet në liri.

Ka qenë Inspektorati Policor i Kosovës, që ka rekomanduar që për veprën penale ndaj rreshterit, i njëjti të suspendohet nga puna.

KALLXO.com ka mësuar se tre ditë më parë, policia ka marrë një informacion për veprën penale dhunë në familje.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes policia merr vesh se ngjarja ndodhi pas disa mosmarrëveshje për motive familjare. Në raportin e policisë të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se të përfshirë në këtë rast kanë qenë tre persona të dyshuar, njëri nga ta zyrtar policor.

Gjithashtu KALLXO.com ka mësuar se të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor për shkak të lëndimeve të lehta që i kanë marrë gjatë përleshjes mes vete.

Ani pse rast i dhunës në familje dhe me lëndime të lehta trupore, Prokuroria e Shtetit nuk e ka vlerësuar se të njëjtit duhet të ndalohen, por rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ane Inspektoratit Policor të Kosovës. Të njëjtit i kanë konfirmuar KALLXO.com se zyrtari policor ka qenë i përfshirë në një mosmarrëveshje familjare.

“Lidhur me rastin në fjalë ju informojmë se IPK ka papranuar njoftimin nga Policia e Kosovës për këtë incident që kishte ndodhur me datë 01.08.2020, në lagjen Ortakoll Prizren, ku dyshohet se një zyrtar policor është i përfshirë në një mosmarrëveshje familjare. Me të pranuar njoftimin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vend-ngjarje dhe në koordinim me prokurorinë kompetente, kanë ndërmarr disa veprime hetimore”, thuhet në përgjigjet e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

Veprimet e IPK-së sipas përgjigjeve janë se ndaj zyrtarit policor është iniciuar rasti për veprën penale të sulmit, ndërsa tutje i njëjti është suspenduar nga puna.

“Pas veprimeve hetimore, lidhur me incidentin në fjalë është hapur rast ndaj zyrtarit policor (rreshterit policor) me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm” nga neni 184 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorisë rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt, ndërsa me rekomandim të IPK-së zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është suspenduar nga puna”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.