Foto KALLXO.com

Ekipi i KALLXO.com kërcënohet në një fshat të Skenderajt

Kërcënime serioze, fyerje, sharje e deri te ngritja e dorës drejt ekipit të KALLXO.com u bënë gjatë ditës së sotme në një fshat të Skenderajt. 

Gjatë ditës së hënë, 26.02.2024, ekipi i KALLXO.com, i përbërë nga gazetarja Adelinë Ahmeti dhe kameramani Jetmir Hoxha, janë kërcënuar seriozisht nga Mustafë Hasani, një qytetar nga Klina e Mesme, fshat në komunën e Skenderajt. 

Ekipi i KALLXO.com po trajtonte një problematikë e cila së fundmi ka dalë në pah – ndërtimi i një kishe në fshatin Klinë e Epërme.

Një ide e Ndrekë Kelmendit për të ndërtuar një kishë, e cila pretendohet se ka qenë në të kaluarën në po të njëjtin vend, ka hasur në rezistencë të banorëve të Klinës së Epërme, të cilët po thonë se toka është private dhe aty nuk mund të ndërtohet kisha.

Pasi ekipi kishte marrë versionet e banorëve të Klinës së Epërme për ndërtimin e kishës që ishte ide e Ndrekë Kelmendit, ekipi i KALLXO.com shkoi te Ndrekë Kelmendi për ta takuar dhe për të biseduar lidhur me pengesat që i pati për ndërtimin e kishës. 

Ndrekë Kelmendi ka ndryshuar emrin tash së fundmi nga Halil Hasani.

Vite më parë thotë se ishte konvertuar në fenë katolike ndërsa thotë se vazhdon të mbajë qëndrimin për ndërtimin e kishës në Klinë të Epërme. 

Më 26.02.2024, ekipi i KALLXO u nis drejt shtëpisë së Ndrekë Kelmendit, aty u prit nga ky i fundit ndërsa vetëm pak momente më vonë në oborrin e tij kishte shkuar vëllai i tij, Mustafë Hasani (i identifikuar nga Policia në Skenderaj). 

Me vrull, gjuhë fyese, kërcënuese, sharje e ofendime ekipi i KALLXO.com u ballafaqua për disa minuta nga vëllai i Ndrekë Kelmendit, Mustafë Hasani. 

Madje diskutimi nga ana e Mustafë Hasanit shkoi deri te ballafaqimi ballë për ballë me ekipin me tone të larta dhe kërcënuese ndërsa ekipi i bëri me dije se po pengohej në kryerje të detyrës dhe po kërcënohej. 

Mustafë Hasani vazhdoi edhe për disa momente fyerjen, ofendimet dhe kërcënimet ndaj ekipit të KALLXO.com deri sa në një moment tha edhe: “Ec, ec, veç të shkoj në shpi se pa jau ** atë nanë s’e la”. 

Ekipi vazhdimisht ka kërkuar nga Mustafë Hasani që të qetësohej dhe se ishin mirëpritur nga Ndrekë Kelmendi, por Mustafë Hasani nuk ka ndaluar dhe ka kërcënuar ekipin se nëse diçka del në rrjete sociale për vëllanë e tij apo për temën që kishin shkuar për ta trajtuar do të kenë telashe.

“Po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë, unë po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë”- ka vazhduar kërcënimi nga ana e Mustafë Hasanit ndaj ekipit të KALLXO.com. 

Për rreth 4 minuta ka vazhduar situata e tensionuar ndërsa Ndrekë Kelmendi disa herë i kishte kërkuar vëllait të tij, Mustafë Hasanit, që të largohet nga oborri sepse ai e priti ekipin e KALLXO.com. 

Pas kësaj situate, Ndrekë Kelmendi ftoi për bisedë, qetësisht, ekipin e KALLXO.com duke arsyetuar vëllanë e tij. 

Pas bisedës që zhvilloi KALLXO.com me Ndrekë Kelmendin u drejtua për në stacion policor. Tashmë rastin është duke e trajtuar Policia në Skenderaj. 

KALLXO.com ka mësuar se tashmë rasti është iniciuar si kërcënim dhe i dyshuari është duke u intervistuar në stacion policor.