Pemët e prera në Gjakovë

Gjakova, Komuna që iu ka ‘shpallur luftë’ pemëve

Në maj të këtij viti, komuna e Gjakovës ka filluar realizimin e projektit për zgjerimin e rrugës kryesore ‘Nënë Tereza’.

Ky projekt gjeti kundërshtimin e banorëve dhe pronarëve të bizneseve të kësaj rruge në qendër të Gjakovës, ndërsa aty operojnë rreth 270 biznese.

Ata që e kundërshtojnë këtë mbajtën një protestë me 15 maj 2020, ndërsa sipas tyre nga komuna e qeverisur nga Ardian Gjini me këtë projekt po planifikonte prerjen e rreth 150 pemëve përgjatë gjithë rrugës dhe ngushtimi i trotuarit, për t`u zgjeruar rruga për më shumë korsi, nga 2 sa i kishte.

E Ardian Gjini kishte dalur në vendin e ngjarjes dhe akuzonte opozitën lokale për politizim të projektit dhe se 100 nënshkrimet e peticionit për të kundërshtuar projektin, ishin të falsifikuara.

Në prill të këtij viti, komuna e Gjakovës kishte prerë disa pemë për realizimin e një tjetër projekti.

Pemët ishin prerë në rrugën ‘Bardhyl Çaushi’, kurse komuna arsyetohej se kjo po bëhej për zgjerimin e rrugës, duke thënë se pemët do të zëvendësoheshin.

Por në përgjigjen për KALLXO.com, komuna nuk tregonte se si do të zëvendësoheshin pemët dhe se sa të vjetëra ishin ato që ishin prerë.

“Arsyeja e prerjes së këtyre pemëve është për shkak të nisjes së realizimit të projektit për zgjerimin e segmentit të rrugës “Bardhyl Çaushi”, projekt ky që konkretisht do të realizohet nga semaforët në qendër të qytetit deri tek zona pranë Gjykatës Themelore të Gjakovës”, thuhej në përgjigje, më 22 prill 2020.

Shkamb Zajmi, prindi i të cilit ka një biznes në rrugën ‘Nënë Tereza’ thotë se aryseja pse kanë protestuar është sepse janë kundër zgjerimit të rrugës, që parasheh zvogëlimin e trotuarëve, heqjen e 156 drunjëve dhe shtimin e një korsie për makina.

Sipas tij, kërkesat kanë qenë që për këtë rrugë të shpallet konkursi publik dhe të zhvillohet gjithashtu një debat publik me qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve, që të zgjidhet ideja më e mirë.

“Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, kemi kërkuar që të mos ketë asnjë lloj ndërhyrje në këtë rrugë gjatë vitit 2020. Kjo ndërhyrje në rrugën ‘Nëna Terezë’, vështirëson edhe më shumë veprimtarinë ekonomike të bizneseve dhe rrezikon ato që të shkojnë drejtë falimentimit”, ka thënë Zajmi për KALLXO.com.

E të hënen me 15 shtator kanë rifilluar punimet për realizimin e projektit.

Banorët dhe pronarët e bizneseve në këtë rrugë, përsëri dolën në protestë për të kundërshtuar, ndonëse kësaj here në numër më të vogël.

Ndërsa mëngjesin e 18 shtatorit, qytetarët e Gjakovës u zgjuan me pemët e vjetëra rreth 50 vjeçare, të prera në këtë rrugë.

Për këtë arsye filluan reagimet si nga opozita lokale, ashtu edhe nga aktivistë që merren me çështjet të ambientit.

Flutra Zymi, aktiviste e ambientit, thotë se për të ka qenë shumë e vështirë që të sheh prerjen e drunjëve në atë rrugë të Gjakovës.

E për këtë thotë se vetëm një njeri primitiv, sipas saj, i pret drunjët për të liruar hapësirën për vetura.

“Ky projekt, të zgjerohet rruga nuk ka logjikë, sepse veturat mund të kishin një hapsirë për t`u parkuar, po e them që hapësira ka qenë e mjaftueshme që veturat të kalojnë”, ka thënë Zymi.

Të hënen me 21 shtator, KALLXO.com ka dërguar kërkesë në komunën e Gjakovës për qasje në dokumente zyrtare, për të parë dy projektet që ndikuan në prerjen e pemëve në Gjakovë. Atë të rrugës ‘Bardhyl Çaushi’ dhe ‘Nënë Tereza’.

Por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, komuna e Gjakovës nuk ka ofruar qasje për këto dy projekte.

Në anën tjetër, opozita lokale në Gjakovë ka dorëzuar kallëzim penal për kryetarin Ardian Gjini.

Dy partitë Vetëvendosja dhe Alternativa, të premten me 18 shtator kanë dorëzuar kallëzimin penal në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me pretendimin se Gjini ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, duke e mbajtur të fshehtë projektin për zgjerimin e rrugës dhe se nuk ka zhvilluar procedurat ligjore për konkursin e projektimit.

Ali Tafarshiku, asambleist nga rradhët e Alternativës thotë se ideja për zgjerimin e rrugës ‘Nënë Tereza’ nuk ka pas projekt dhe është tenderu vetëm me paramasë dhe parallogari.

Sipas tij, kryetari ka prezantuar vetëm dy fotografi, të cilat nuk tregojnë asgjë konkrete dhe se çka do të bëhet në këtë projekt.

“Ajo çka ne dhe qytetarët e dijmë janë prononcimet dhe intervistat e kryetarit Gjini i cili sa thotë që drunjët do zëvendësohen të njejta, sa na përmend drunjë kanadez, sa flet për një rrugë me tri korsi, sa me dy dhe thjesht këtë ide  ashtu si të gjitha projektet e betonizimit të Gjakovës, kryetari i  ka shëndrru në një “pazar” për interesa të grupeve të caktuara që veprojnë brenda Aleancës për shumë vite”, ka thënë Tafarshiku për KALLXO.com.

Ai thotë se projektin e kanë kundërshtuar për shkak se, sipas tij, e degradon dhe e humb identitetin e Gjakovës.

“Ky projekt shkel lirin e lëvizjes për këmbësor, përsona me aftësi të kufizuara, nëna me fëmijë, biçiklista pasi që zvogëlohet trotuari për ti bërë vend pa nevoj një shiriti shtesë për automjete. Kur gjithë kësaj ja shtojmë edhe heqjen e 156 drunjëve, mungesën e ndjekjes së procedurave, tëdebatit publik me qytetarë, shkeljet e ligjit të prokurimit publik, ligjin e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe atë të vetëqeverisjes lokale, atëherë normal që për ne si opozit por edhe për qytetarët është projekt i pa pranueshëm”, ka thënë Tafarshiku.

“Projekti” i prezantuar nga komuna e Gjakovës

I kontaktuar nga KALLXO.com, Gjini nuk ka pranuar të jap ndonjë koment në lidhje me kallëzimin penal ndaj tij dhe akuzat e opozitës në Gjakovë e të qytetarëve.

Kurse, komuna e Gjakovës në një përgjigje përmes email-it, ka thënë se ky projekt është i nevojshëm dhe i dobishëm për qytetart dhe se është projekt model e modern për gjithë Kosovën.

“Drunjtë ka qenë e nevojshme që të hiqen, banorët që jetojnë aty janë të vetëdijshëm për këtë. Ka ndodhur shumë herë që drunjtë janë rrëzuar për shkak të kalbjes, vjetërsisë. Në këtë rrugë, vit pas viti janë zëvendësuar drunjtë sipas nevojës, dmth nuk kanë qenë të njëjtë. Tani do të jenë të gjithë të njejtë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

E aktivistja Zymi e konsideron se në Kosovë asnjëherë deri tani nuk ka pasur qeveri as qendrore e as komunale që kujdeset për mbrojtjen e natyrës.

“Prandaj zëri i qytetarëve duhet të jetë i pandalur, ne si qytetarë duhet ta mbikëqyrim më shumë qeverinë dhe të protestojmë. Po ashtu, ne si aktivistë duhet të jemi më të bashkuar dhe të bashkëpunojmë më shumë në mbrojtjen e natyrës”.

Ajo ka pasur edhe një lloj ‘kritike’ për ‘shuarjen’ e shpejtë të protestave në Gjakovë.

“Është befasi se si në Gjakovë ka pak aktivizëm qytetarë, se Gjakova mbahet në mend për trima, pra duhen të ngritën sa më shumë dhe të kërkojmë drejtësinë që iu takon si çdo qytetarë në Kosovë”, thotë Zymi.

Ndërsa asambleisti Tafarshiku thotë se kryetari Ardian Gjini po i shantazhon bizneset, duke iu premtuar se nuk do të iu heq vitrinat, nëse nuk dalin në protestë. Sipas tij, Gjini po e kushtëzon edhe shoqërinë civile dhe se ka ‘vrarë’ demokracinë në Gjakovë, duke mbjellur frikë.

“Kryetari iu premton edhe publikisht (bizneseve) se nuk do ju heq vitrinat të cilat janë për 20-30 cm në pronën publike, ashtu siç i kushtëzon edhe shoqërin civile në Gjakovë përmes subvencioneve. Me këto mënyra kryetari ka vite që ka vra demokracinë në Gjakovë, duke mbjellë frikë për ata që mund ta kundërshtojnë mënyrën e qeverisjes së tij”.

Pemët në Gjakovë po vazhdojnë të prehen e projektet infrastrukturore po vazhdojnë të zgjerohen.

Duke mos mjaftuar problemi i qytetarëve të Gjakovës me deponinë në qendrën transfer në lagjen ‘Ali Ibra’, e me deponitë ilegalë në fshatin Ponoshec, e tjetrën në dalje të qytetit, komuna që udhëhiqet nga Gjini që  dikur ishte ministër i Ambientit, duket se këtë herë i ka shpallur haptas ‘luftë’ pemëve në Gjakovë.