Komuna e Gjakovës i preu pemët në qytet për të shtruar asfalt

Komuna e Gjakovës ka filluar realizimin e një projekti infrastrukturor dhe për këtë ka prerë disa pemë në qytet.

Një qytetar gjatë ditës së djeshme publikuar një video në rrjetin social ‘Facebook’, ku shihen disa punëtorë duke i prerë pemët.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Gjakovës është arsyetuar për prerjen e pemëve duke thënë se po bëhet për zgjerimin e një rruge.

“Arsyeja e prerjes së këtyre pemëve është për shkak të nisjes së realizimit të projektit për zgjerimin e segmentit të rrugës “Bardhyl Çaushi”, projekt ky që konkretisht do të realizohet nga semaforët në qendër të qytetit deri tek zona pranë Gjykatës Themelore të Gjakovës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjakovës.

Komuna ka thënë se këto pemë që janë prerë do të zëvendësohen, ndërsa nuk ka treguar se a ka ndonjë plan konkret se si do të bëhet zëvendësimi i pemëve dhe gjithashtu nuk janë përgjigjur në pyetjen se sa të vjetra kanë qenë pemët që janë prerë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.