Alternativa dhe Vetëvendosje dorëzojnë kallëzim penal ndaj Ardian Gjinit për prerjen e pemëve në Gjakovë

Partia Alternativa dhe Lëvizja Vetëvendosje, degët në Gjakovë, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kreytarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për prerjen e pemëve në qendër të qytetit.

Komuna e Gjakovës është duke e realizuar projektin për zgjerimin e rrugës ‘Nënë Tereza’, ndërsa pemët janë prerë për t’i hapur rrugë këtij projekti.

Në njoftimin e këtyre dy partive opozitare në Gjakovë, thuhet se Ardian Gjini ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, duke e mbajtur të fshehtë projektin për zgjerimin e rrugës dhe nuk ka zhvilluar procedurat ligjore për konkursin e projektimit.

“Për më shumë kryetari i Komunës, përkundër peticionit të biznesve të rrugës “Nënë Tereza” në muajin Maj 2020, protestave të qytetarëve dhe kërkesës së vazhdueshme për publikim të projektit, në mënyrë të jashtë ligjshme ka filluar punimet për projektin e zgjerimit të rrugës “Nënë Tereza”, me 15.09.2020, ku prap kishte reagim qytetar”, thuhet në kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Po ashtu, aty thuhet se ky projekt i zgjerimit të rrugës, nuk ka kaluar në debatin publik dhe nuk është trajtuar fare me banorët dhe qytetarët e komunës.

“Ideja e kryetarit për zvogëlimin e trotuareve, shtimin edhe të një korsie tjetër për automjete dhe prerja e 156 drunjëve në rrugën “Nënë Tereza”, cenojn lirinë e lëvizjes për këmbësorët, nënat me fëmijë, përsonat me aftësi të kufizuara si dhe ngasësit e biçikletave”.

Alternativa dhe Vetëvendosje kanë kërkuar nga ana e Prokurorisë Themelore që menjëherë të fillojnë hetimet për procedurat e ndjekura nga  Komuna për realizimin e këtij projekti dhe të vendoset masa e përkohshme, që do të pezullonte punimet.

Kjo nuk është hera e parë që komuna e Gjakovës pren pemë për të realizuar projekt infrastrukturor.

Në prill të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se në rrugën ‘Bardhyl Çaushi’ po ashtu janë prerë pemët, për të shtruar asfalt.

Ndërsa komuna ishte arsyetuar duke thënë se do të realizohet projekti dhe pemët do të zëvendësohen, por nuk kishte treguar se si do të bëhej zëvendësimi i pemëve.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ardian Gjini nuk ka dashur t’i komentoj pretendimet e dy partive që e dorëzuan kallëzimin penal.

Komuna e Gjakovës i preu pemët në qytet për të shtruar asfalt