Drama shqipe në udhëkryq- nga produksioni deri tek cilësia artistike
Çështja nëse drama shqipe po përballet me krizë krijuese vazhdon të ngjallë debat mes dramaturgëve, regjisorëve dhe studiuesve shqiptarë.
Krijuesit dhe studiuesit e dramës shqipe janë të ndarë sa i përket çështjes nëse ka pak apo jo produksion (krijimtari) të dramaturgjisë shqipe dhe cilësisë artistike e kreative të dramave që krijohen nga autorët shqiptarë.
Diskutimi u rikthye sërish gjatë ndarjes së çmimeve për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, më 15.12.2025, ku u artikuluan vlerësime të ndryshme për nivelin e teksteve konkurruese dhe për gjendjen e përgjithshme të dramaturgjisë vendore.
Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, tha gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve më 15 dhjetor 2025, deklaroi se juria kishte pritur një nivel më të lartë të prurjeve. Sipas tij, dramat e paraqitura nuk e kishin përmbushur pritshmërinë profesionale, ndonëse juria kishte arritur të përzgjedhë tekstet më të kompletuara nga konkurrenca.
“Sivjet (2025) kishin një prurje jo të kënaqshme që ne si juri e kishim dashur, megjithatë ne arritëm t’ i zgjedhim dramat më të kompletuar”- deklaroi ai, i cili ishte edhe pjesë e jurisë përzgjedhëse.
Një mendim i tillë u komentua në mënyra të ndryshme nga dramaturgët e regjisorët e studiues të dramës shqipe.
Drama nuk jeton pa skenë
Regjisori Ben Apolloni, për KALLXO.com ka theksuar se drama shqipe ka qenë dhe mbetet në krizë.
Ai vlerëson se drama nuk mund të ekzistojë vetëm si tekst letrar, por e merr kuptimin e saj të plotë vetëm kur inskenohet. “Teatrot në Kosovë nuk u japin hapësirë dramave shqipe, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mungesën e interesimit të autorëve për këtë zhanër”- thotë Apolloni.
Ai po ashtu kritikon kufizimin e konkursit “Katarina Josipi” vetëm për autorë brenda Kosovës, duke e cilësuar këtë si pengesë për konkurrencë dhe cilësi.
Edhe studiuesi Avni Rudaku vlerëson se drama shqipe historikisht ka qenë në krizë, si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia. Ai rendit si faktorë mungesën e shkathtësisë, kreativitetit, leximit, guximit tematik dhe tendencën për imitimin e dramaturgjisë botërore. Sipas tij, edhe ndikimi i inteligjencës artificiale mund ta thellojë më tej këtë krizë, duke dobësuar imagjinatën krijuese.
Sipas tij, faktorët janë të shumtë: mungesa e shkathtësisë dhe kreativitetit, leximi i dobët, mungesa e guximit për tema të hapura, imitimi i tepruar i dramaturgjisë botërore dhe komplekset e autorëve vendas. Rudaku shton se edhe ndikimi i inteligjencës artificiale, përmes abuzimit dhe zëvendësimit të imagjinatës njerëzore, mund ta thellojë më tej këtë krizë. Ai thotë se drama shqipe mbete dukshëm prapa asaj evropiane.
“Vetëm shihni dramat e inskenuara teatrore të autorëve të huaj, p.sh., anglezë dhe ato kombëtare, vërehen dallime të jashtëzakonshme në stil të avancuar, gjuhë, dije, tema, kreativitet etj. Nga një konkurs për dramën shqipe, prej dhjetëra dramave, si anëtar jurie, mezi u përcaktova për dy drama për t’ i shqyrtuar.
Shatrolli: Ekzistojnë drama, por jo shfaqje të nivelit të tyre
Ndryshe nga këto vlerësime, dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shprehet se nuk mund të flitet për krizë përderisa ka autorë që shkruajnë drama.
“Krizë nuk ka gjersa ka drama. Në relacion me gjininë e prozës dhe të poezisë drama i ka specifikacionet e saj në të shkruar. E përsërisë, ka drama por nuk di nëse ka shfaqje që tejkalojnë nivelin e atyre”- ka thënë ai. dramave.
Ai vlerëson autorët e shpërblyer në edicionin e fundit të “Katarina Josipit” dhe thekson se problemi kryesor qëndron tek mungesa e shfaqjeve që arrijnë nivelin e teksteve dramatike.