BIRN-i Hap Konkurs për Bursë Ballkanike në Gazetari

Gazetarët me përvojë nga Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia ftohen të aplikojnë në konkursin e shtatë të quajtur “Bursa Ballkanike për Përsosmëri në Gazetari”.

Tema për vitin 2013 është INTEGRITETI në kuptimin e të qenit i ndershëm dhe parimor.

Shumica besojnë se liderët dhe institucionet duhet të veprojnë me integritet por kur një gjë e tillë nuk ndodh njerëzit nuk befasohen shumë.

Çfarë ndodh kur shoqëria fillon të shikojë integritetin si diçka të pamundur, a mund të mbahen përgjegjës të fuqishmit nëse njerëzit nuk presin që ata të jenë të ndershëm dhe a mund të jenë individët e ndershëm nëse liderët dështojnë, janë disa nga pyetjet që pritet të adresohen nga gazetarët.

Afati i fundit për aplikim është 5 marsi 2013.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), në bashkëpunim me Robert Bosch Stiftung dhe Fondacionin ERSTE, fton gazetarët e interesuar për punë hulumtuese ndërkufitare në gazetari, të mos e humbasin një mundësi për të fituar një bursë në gazetari prej 2,000 eurosh, shpenzimet e udhëtimit dhe të hulumtimit të paguara dhe të merrni pjesë në seminare për zhvillim të karrierës.

Çdo vit, përzgjedhja e dhjetë gazetarëve të cilët marrin fonde dhe mbështetje profesionale për hulumtime të mëtejshme bëhet përmes një konkurrence të hapur.

Aplikuesit të cilët do të përzgjidhen nga një komision i pavarur, krahas bursës dhe dy mijë eurove shtesë për shpenzime të udhëtimit dhe për hulumtime, do të marrin pjesë edhe në seminare ndërkombëtare për zhvillimin e karrierës dhe këshillimit individual për realizimin e artikujve të tyre.

“Unë jam mirënjohëse që ky program më ka mundësuar të kryejë një kërkim të hollësishëm lidhur me një temë që është hulumtuar për një kohë të gjatë”, ka thënë fituesja e bursës për vitin 2012, Sorana Stanesku. “Pjesa më e mirë ishte mundësia për të punuar me një redaktor të përgjegjshëm dhe kjo është përvojë që ju rrallë e merrni në mediat rumune dhe e cila vetëm mund ta përmirësojë punën në artikullin e një gazetari”.

Përveç kësaj, tre artikujt e parë, të cilit do të rivlerësohen nga një komision i pavarur, do të sigurojnë shpërblime prej katër mijë, tre mijë dhe një mijë eurosh.

Punimet përfundimtare do të publikohen në gjuhën angleze dhe në gjuhët lokale, në mediat e shquara rajonale dhe ndërkombëtare.

Pas përfundimit të programit të bursave, gazetarët do të bëhen anëtarë të rrjetit alumni për përsosmëri në gazetari, që u mundëson ndërlidhjen me gazetarë të njohur rajonalë dhe ndërkombëtarë, promovimin e punës suaj, mbështetje profesionale dhe fonde të tjera për hulumtim dhe udhëtime.

Bursa u lansua në vitin 2007 nga Robert Bosch Stiftung dhe Fondacioni ERSTE në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, për të promovuar përsosmërinë në gazetari dhe për të përmirësuar raportimin ndërkufitar.

Formulari për aplikim, udhëzimet dhe informacione të tjera në lidhje me bursën janë në shërbim online: fellowship.birn.eu.com