Gjatë përurimit të zyrave të reja të punësimit në Suharekë | Foto: KALLXO.com

Zyrat e Reja të Punësimit Nuk e Zbusin Papunësinë në Suharekë

Ndërtimi i një objekti të ri në Komunën e Suharekës me bashkëpunim të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, mund të ketë krijuar kushte më komode për punëtorët e zyrës së punësimit në këtë komunë, por nuk ka pasur efekte reale mbi vetë rezultatet e punësimit.

Në tetor të vitit të kaluar, zyra për punësim në komunën e Suharekës ishte bërë me objekt të ri, të investuar nga Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale në vlerë prej 100,000 euro, në pronën të cilën e kishte ndarë komuna e Suharekës.

Sot, punëtorët e kësaj zyre, janë rehatuar në zyrat e reja, por problemet i kanë të njëjta. Kërkesat për punën në këtë komunë janë të mëdha.

Musli Kabashi, udhëheqës i zyrës së Punësimit në komunën e Suharekës, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se kushtet për punë janë dukshëm më të mira në krahasim me zyrat ku i kanë kryer punët më herët.

“Kushtet për punë në objektin e ri janë dukshëm më të mira, për faktin, se secili zyrtar e ka zyrën e vet të punës dhe pritjet e punëkërkuesit janë më afatshkurtra”, tha Musli Kabashi, udhëheqës i zyrës së Punësimit.

Edhe pse në zyra të reja, përpos që procesi bëhet më efektiv, nuk ka rënë numri i punëkërkuesve. Mbi 10,000 kërkesa për punë janë në këtë zyrë, ku mbi 200 punëkërkues janë me diplomë universitare.

Prej totalit të këtyre kërkesave, mbi 4000 punëkërkues janë aktivë. Punëkërkues aktiv konsiderohet individi që përpos kërkesës, paraqitet kohë pas kohe për përkrahje në punësim, trajnime dhe këshillime.

Bujar Sadiku, është me profesion teknik për teknologji të bujqësisë, i papunë, ndërsa që dy vite ka bërë kërkesë për punë në zyrën e punësimit në Suharekë.

“Unë në vitin 2007 e kam kryer fakultetin e bujqësisë dhe pasi që nuk ka mundur të gjej punë, para dy viteve iu kam drejtuar zyrës së punësimit në Suharekë, për tu punësuar, por deri sot jam ende i pa punë”, tha Sadiku për Gazetën JNK.

Ai shpreson ende, që një ditë të marrë përgjigje pozitive nga kjo zyrë.

Musli Kabashi e pranon që nuk është e lehtë t’u gjejë punë këtyre punëkërkuesve, por thotë se në një sërë rastesh ka ndërmjetësuar për punësim me sukses. Ai tha se tani Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka lidhur memorandum me Odën Ekonomike të Kosovës për trajnim në punë.

“Pas nënshkrimi të këtij memorandumi, firmat private kanë dërguar kërkesat për punëtorë në zyrën tonë, për plotësimin e vendeve të lira të punës, për trajnim në punë, ku deri tani kanë bërë kërkesë 9 kompani, për 69 punëtorë”, tha Kabashi.

Ai tha se numri i punëkërkuesve sillet njëjtë ndër vitet, pasi mbi 10,000 punë kërkues kanë qenë në vitin 2014, po aq punë kërkues kanë qenë në vitin 2015.

Zyra e punësimit merret edhe me integrimin në tregun e punës edhe me personat e riatdhesuar. Këtë vit janë 56 aplikime të riatdhesuarve.

Musa Demiri nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha për Gazetën JNK, se ministria është angazhuar me sukses për punësimin në këtë komunë.

Ai tha se në komunën e Suharekës për periudhën janar-maj, janë regjistruar 456 punëkërkues, prej të cilëve gjysma, 217 janë femra, ku shifrën e njëjtë ka qenë edhe në periudhën e njëjtë të vitit 2015.

“Janë ndërmjetësuar në punësim të rregullt 87 punëkërkues, prej tyre 28 janë femra. Janë ndërmjetësuar në programe dhe projekte aktive të tregut të punës 30, prej tyre 14 janë femra”, tha Kabashi.

Kosova vuan nga një normë e lartë papunësie, e cila llogaritet në rreth 35 për qind, ndërsa papunësia e të rinjve e kalon nivelin 60 për qind.

Zëdhënësi i komunës së Suharekës, Reshat Reshitaj, tha për gazetën JNK se zyra e punësimit është në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa komuna këtë zyrë e ka përkrahur me ndarjen për ndërtimin e objektit të ri, ku sot këto zyra janë të vendosur.

Kur më shumë se një vit më parë, u përuruan zyrat e reja të punësimit, kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj tha se “me këtë zyrë të re, enti për punësim është rehatuar”, por shpresonte që ajo të jepte më shumë rezultate.

“Shpresoj që në të ardhmen edhe ministria edhe ligji, ta fuqizojë zyrën për punësim, sepse për momentin e di siç është gjendja, ku ndikimi apo preferencat e zyrës nuk shkojnë askund”, tha Asllanaj.