Zgjedhjet nacionale ‘befasojnë’ qeverisjet komunale

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit përveç që përmbysën qeverisjen në nivelin qendror, kanë shkaktuar tronditje edhe në atë lokal.

Në shumë komuna që udhëhiqen nga subjekte të caktuara politike, rezultatet preliminare të zgjedhjeve të së dielës (06.10.2019) shpërfaqën mbështetjen e qytetarëve për të tjera parti politike.

Lëvizja Vetëvendosje e cila pritet të udhëheqë Qeverinë e re të Kosovës pas certifikimit të rezultateve përfundimtare, arriti sukses edhe nëpër komuna të mëdha e të vogla të vendit.

VV-ja e Albin Kurtit doli e para në 9 komuna, apo në 23 përqind të komunave në nivel vendi, duke fituar gjithsej 113 mijë e 876 vota (Vetëm në 9 komuna).

Ky rezultat duket se çoi sinjale jo te mira në adresë të konkurrentëve politikë të cilët udhëheqin në ato komuna.

Lëvizja Vetëvendosje, arriti të marrë shumicën e votave edhe në komunat e mëdha si në Komunën e Prishtinës me 37 mijë e 387 vota, në Prizren me gjithsej 16 mijë e 926 vota, Ferizaj me gjithsej 17 mijë e 221 vota dhe në Komunën e Gjilanit me 17 mijë e 864 vota.

VV-ja doli e para edhe në komunat më të vogla si në Komunën e Vushtrrisë me 10 mijë e 471 vota, në Komunën e Kamenicës me 4 mijë e 772 vota, Komunën e Kaçanikut me 5 mijë e 10 vota dhe në Komunën e Han të Elezit me 1 mijë e 278 vota.

Deçani, Gjakova dhe Klina nuk e ndërrojnë AAK-në

Me 100 përqind të votave të numëruara, koalicioni parazgjedhor Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate (AAK –PSD), kanë marrë shumicën e votave në Komunën e Deçanit.

Kjo komunë qeveriset nga AAK-ja, me kryetar Bashkim Ramosaj.

Ky koalicion në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i ka marr 10 mijë 33 vota apo 63.38 përqind.

Ndërkaq, 3 mijë 604 vota apo 22.77 përqind i ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kandidaten për kryeministre, Vjosa Osmanin, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila në këtë komunë ka marrë 6.34 për qind të votave.

Duke iu referuar rezultateve preliminare të KQZ-së, vendin e tretë e ka zënë Partia Demokratike e Kosovës me 4.79 për qind të votave.

Sipas KQZ-së, përqindja e votuesve në këtë komunë është 39.33 përqind.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, në Komunën e Gjakovës rezultatet preliminare tregojnë se koalicioni AAK-PSD ka marr shumicën e votave, gjithsej 14 mijë e 53 apo 34.60 përqind.

Komuna e Gjakovës qeveriset nga Ardian Gjini i AAK-së.

Pas AAK-PSD, renditet Lëvizja Vetëvendosje e cila i ka grumbulluar 30.86 për qind të votave, ndërkaq e treta është pozicionuar LDK-ja me 18.01 për qind, për ta lënë pas PDK-në me 8.98 për qind.

Në Gjakovë, 36.12 përqind e qytetarëve kanë dalë në votime të dielën.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Edhe qytetarët e Klinës në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit më së shumti vota i kanë dhënë koalicionit parazgjedhor AAK-PSD me gjithsej 4 mijë e 456 vota apo 27.03 për qind.

Kjo komunë poashtu udhëhiqet nga Zenun Elezaj i cili vjen nga radhët e AAK-së.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve, me 100 përqind të votave të rregullta që janë numëruar, pas AAK-së në këtë komunë renditet LDK-ja me 4 mijë e 444 vota ose 26.96 për qind.

Në radhë tutje është PDK-ja e cila i ka marr 4 mijë e 412 vota apo 26.77 për qind.

Në këtë komunë në votime kanë dalë 35.03 për qind e qytetarëve.

Komuna e Drenasit ‘qëndron’ në PDK

Në Komunën e Drenasit numrin më të madh të votave ka arritur ta marr Partia Demokratike e Kosovës (PDK) qytet ky i cili njihet si bastion i këtij subjekti politik.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja në Drenas ka marr 65.29 përqind të votave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 11.09 përqind, si dhe Nisma-AKR-PD që kanë grumbulluar 1733 vota apo 7.77 përqind.

Kryetar i Komunës së Drenasit është Ramiz Lladrovci i PDK-së.

Dragashi i qeverisur nga PDK, me 6 tetor e votoi LDK-në

Në Komunën e Dragashit të dielën e 6 tetorit në zgjedhje kanë dalë 33.05 për qind e qytetarëve, ndërkaq më së shumti vota ka arritur të fitojë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ky subjekt ka marr 3 mijë  e 659 vota apo 28.92 përqind.

Ndërkaq, kjo komunë aktualisht udhëhiqet nga Shaban Shabani i PDK-së.

Pas tyre, renditet PDK-ja me 3 mijë e 397 vota ose 26.85 përqind, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 11.00 përqind.

Istogu, Fushë Kosova, Lipjani dhe Peja nuk e lëshojnë LDK-në

Komuna e Istogut e cila qeveriset nga Haki Rugova i LDK-së, në zgjedhjet e 6 tetorit sipas rezultateve preliminare, ia ka besuar votat në nivel nacional të njëjtit subjekt politik, me kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani.

LDK-ja në këtë komunë, i ka fituar 8 mijë e 350 vota ose 45.88 përqind të votave.

Ndërkaq, koalicioni AAK-PSD i ka marr 3 mijë e 383 vota apo 18.59 përqind, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 2 mijë 344, apo 12.88 përqind të votave, për të vazhduar me PDK-në e cila të dielën i ka fituar 2 mijë 324  apo 12.77 përqind.

LDK-ja edhe në qytetin e Fushë Kosovës ka marr numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 6 tetorit.

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, ky subjekt ka fituar 5 mijë e 275 vota ose 30.79 përqind.

Komuna e Fushë Kosovës udhëhiqet nga LDK-ja në krye me Burim Berishën.

Edhe në komunën e Lipjanit e cila është nën drejtimin e Imri Ahmetit të LDK-së, në zgjedhjet nacionale, qytetarët i dhanë besimin të njëjtit subjekt politik.

LDK-ja në këtë qytet mori 10 mijë e 365 vota apo 37.83 përqind, përderisa pas saj, sipas rezultateve preliminare renditet PDK-ja e cila ka fituar 7 mijë e 99 apo 25.91 përqind dhe më pas renditet Lëvizja Vetëvendosje, me 19.58 përqind.

Në qytetin e Pejës 39.91 për qind e qytetarëve kanë dalë për votime të dielën e 6 tetorit.

Ndërkaq, subjekti i cili u votua më shumë në këtë qytet është LDK-ja, që mori  14 mijë e 180 apo 32.32 përqind.

Peja aktualisht udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Në anën tjetër, koalicioni AAK-PDS ka marr 26.74 përqind të votave.

Prishtina, Ferizaj, Gjilani, Kamenica dhe Kaçaniku e zgjedhin VV-në

Qytetarët e Komunës së Prishtinës, me 6 tetor, shumicën e votave ia dhanë Lëvizjes Vetëvendosje, në komunën e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti i PSD-së, ndonëse udhëheqës komune u bë sa ishte pjesë VV-së.

Në kryeqytet, VV-ja i mori 37 mijë e 387 vota apo 37.23 përqind, ndërkaq LDK-në në këtë komunë e votuan 32 mijë e 636 qytetarë, apo 32.50 përqind.

PDK-ja në Prishtinë arriti t’i marr vetëm 15.45 përqind të votave.

Ndërkaq, në Komunën e Ferizajt e cila udhëhiqet nga Agim Aliu i PDK-së, në zgjedhjet e 6 tetorit më së shumti vota në këtë qytet ka marr Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar 17 mijë e 221, apo 34.34 përqind të votave.

Ndërkaq, PDK-ja ka fituar 12 mijë e 771 vota apo 25.47 përqind.

Në komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Lutfi Haziri i LDK-së, zgjedhjet nacionale të 6 tetorit nxorën një parti tjetër fituese në këtë qytet.

Lëvizja Vetëvendosje la prapa LDK-në dhe partitë e tjera duke fituar 17 mijë e 864 vota apo 39.75 përqind, kurse LDK-ja në këtë komunë mori 12 mijë e 217 vota ose 27.18 përqind.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marr më së shumti vota edhe në Komunën e Kamenicës, kjo pasi ky subjekt të dielën e 6 tetorit ka marr 4 mijë e 772 vota ose 30.69 përqind, në komunën e cila udhëhiqet nga Qëndron Kastrati i cili iu bashkua PSD-së, pas ndarjes nga VV-ja.

Ndërkaq, LDK-ja në Kamenicë ka marr 3 mijë e 295 vota ose 21.19, pasuar me AAK-PSD-në dhe PDK-në.

Komuna e Kaçanikut e cila udhëhiqet nga Besim Ilazi i PDK-së, votoi ndryshe në zgjedhjet nacionale.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje është ajo e cila ka marr më së shumti vota në këtë komunë, me gjithsej 5010 ose 34.25 përqind.

Në anën tjetër, PDK-ja renditet e dyta me 4 mijë e 725 vota ose 32.30 përqind, kurse LDK-ja në Kaçanik ka marr 2416 vota, apo 16.52 përqind.

Rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit 2019, do të certifikohen pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë.