Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Rezoluta qeveritare që synon ta marrë nga duart e Thaçit dialogun me Serbinë

Rezoluta për dialogun e miratuar nga Kuvendi i Kosovës këtë fundjavë, rrit përpjekjen qeveritare për të marr në dorë timonin e dialogut me Serbinë, në kohën kur presidenti Hashim Thaçi po akuzohet për hartimin e një marrëveshje sekrete me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq, e cila prek territorin e Kosovës.

Mëngjesin e hershëm të së dielës, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët partive të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) miratuan një rezolutë me tri pika që mes tjerash vë theksin në atë se askush nuk ka të drejtë të negociojë për integritetin e sovranitetin të shtetit të Kosovës.

Kurse, në pikën e tretë të rezolutës, thuhet se “në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese është Qeveria e Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe dialogun me Serbinë brenda vijave të pakalueshme të rendit kushtetues”.

Rezolutat e Kuvendit të Kosovës janë akte që shprehin vullnetin apo qëndrimin e legjisativit për çështje të ndryshme politike.

Ndërkaq, nga shoqëria civile thonë se rezoluta për dialogun me Serbinë e votuar në Kuvend shpreh përkushtimin e qeverisë që territori i Kosovës të mos jetë temë diskutimi në këto negociata.

Derisa për ditë më radhë nuk arrinin të takoheshin, Kryeministri Abin Kurti dhe Presidenti Hashim Thaçi javën e kaluar nga disatanca u përfshinë në akuza të rënda për njëri-tjetrin.

Të mërkurën nga foltirja e Kuvendit, Kurti deklaroi se Thaçi e ka të gatshme një marrëveshje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe do t’ua servojnë qytetarëve.

Pas kësaj Thaçi e ka quajtur Kurtin njeri pa dinjitet, qesharak e që ka pasur qëndrime fyese e të rrezikshme në raport me ShBA-të.

Dy ditë më vonë, krerët e shtetit zhvilluan një takim rreth dy orësh, pas të cilit pa dhënë shumë detaje, thanë se janë marrë vesh për tu takuar përsëri për t’i harmonizuar qëndrimet për politikën e jashtme, e dialogun.

Presidenti në vazhdimësi e ka mohuar se ka diskutuar për ndarjen e Kosovës, por se ka theksuar se duhet të bëhet përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

Ndërkohë, procesi i negociatave Prishtinë – Beograd, mbetet i pezulluar që nga viti 2018, për shkak të vendosjes së tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, vendim i cili së fundi ka përplasur partnerët e koalicionit qeverisës LVV – LDK.

Përderisa LDK po kërkon heqjen e menjëhershme të tarifës, Kryeministri Kurti ka thënë se po mundohet ta bind partnerin qeverisë se tarifa duhet të zëvendësohet me reciprocitet.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se rezoluta për dialogun me Serbinë e votuar në Kuvend shpreh përkushtimin e kësaj Qeverie që territori i Kosovës të mos jetë temë diskutimi në dialogun me Serbinë.

“Po ashtu është rikonfirmim i dispozitave Kushtetuese dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese se Qeveria e përcakton procesin e dialogut si domen i politikës së jashtme, ndërsa e udhëheq këtë proces në konsultim me Presidentin”, thekson ajo.

Miratimi i rezolutës ndodhi pa prezencën e partive opozitare parlamnetare gjatë seancës në të cilën u votua buxhetin i Kosovës për vitin 2020.

Lideri i opozitës, Kadri Veseli nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes një reagimi tha se seanca e jashtëzakonshme për buxhetin, e ka pasur për qëllim uljen e Albin Kurtit në tryezën e dialogut me Serbinë.

“Kjo flet shumë për rrezikun që i sjell vendit papërgjegjësia dhe arroganca e kësaj Qeverie dhe e këtij Kryeministri, që për asgjë nuk kanë emocion, që askënd nuk e respektojnë dhe asnjë premtim e parim nuk e mbajnë. Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër janë rrezik nacional”, shkroi Veseli në rrjetin social Facebook.

Seanca e jashtëzakonshme për buxhetin, e ftuar nga Kryeministri, doli se nuk paska pasur për qëllim miratimin e buxhetit…

Publiée par Kadri Veseli sur Dimanche 15 mars 2020

Në anën tjetgër, sipas Violeta Haxhollit (KDI), fatkeqësisht po vazhdon mungesa e unitetit mes spektrit politik sa i përket dialogut me Serbinë.

“Kjo mungesë e unitetit dhe prezantimi i disa qëndrimeve rreth dialogut mund ta dobësojë pozicionin e Kosovës në këtë proces”, vlerëson hulumtuesja.

Ajo tutje shton se është me rëndësi që spektri politik të ndërtojë një qëndrim unik rreth dialogut dhe të përçojë mesazhin e njejtë dhe shtetëror rreth kësaj teme duke lënë anash kalkulimet partiake.