Interesim i madh në Fakultetin e Mjekësisë dhe Edukimit, e shumë pak interesim në Ekonomik

Universiteti i Prishtinës nuk ka arritur të plotësojë numrin e studentëve për vitin e ri akademik. Në konkursin e parë për vitin akademik 2018/19, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nga 7 mijë e 66 vende të lira për studentët, ka arritur t’i regjistrojë vetëm 4 mijë e 817 kandidatë.

Për afatin e dytë, UP-ja do të tentojë t’i regjistrojë në vitin e parë akademikë edhe 2 mijë e 249  studentë. Shprehur në përqindje, janë plotësuar 69% të vendeve të lira, ndërsa edhe 31 për qind pritet të plotësohen në afatin e dytë.

Konkurrenca më e madhe ishte në fakultetin e Mjekësisë dhe në Edukim. Në fakultetin e Mjekësisë kanë konkurruar 4 persona për një vend. Përkundër konkurrencës së madhe, ky fakultet nuk ka arritur t’i pranojë gjithë numrin e studentëve të planifikuar fillimisht.

E Fakulteti Ekonomik ishte ekstremi tjetër. Në këtë fakultet janë planifikuar të pranohet 1963 studentë, por kanë aplikuar vetëm 1 mijë e 321 persona. Edhe prej totalit të personave të aplikuar minimumin e pikëve të vendosura kanë arritur të kalojnë vetëm 660 studentë. Madje pragu për pranimin si studentë në Ekonomikë ka qenë shumë më i ulët se sa në Universitetet e tjera.

Kandidatët duhet të arrinin së paku 40 për qindëshin e pikëve të parapara për provim pranues për t’u futur në listën e studentëve të pranuar në UP. Ndërsa, me 30 për qind mund të pranoheshin vetëm kandidatët e familjeve të dëshmorëve, të komunitetit jo-shumicë dhe ata nga Mali i Zi, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Maqedonia dhe Shqipëria. 7 mijë e 373 kandidatë nuk kanë arritur të pranohen në fakultetet në të cilat kanë aplikuar në Universitetin Publik, “Hasan Prishtina”.

Numri minimal i studentëve të pranuar në secilin departament, degë, drejtim apo program duhet të jetë 20, por pas rezultateve të afatit të parë 32 programe nuk kanë arritur ta përmbushin numrin minimal të kërkuar nga Universiteti i Prishtinës.

Sipas rezultateve përfundimtare, në disa nga fakultetet e UP-së mund të shihet që iu është dhënë përparësi për t’u pranuar kandidatëve të cilët kanë pasur më shumë pikë në provimin pranues pavarësisht numrit të ulët të pikëve nga shkolla e mesme dhe testi i maturës.

Rezultatet përfundimtare të afatit të parë të këtij konkursi, tregojnë që nuk është përmbushur numri i kërkuar i studentëve, prandaj edhe pritet të shpallet konkurs plotësues.

Më poshtë mund të gjeni edhe numrin e kandidatëve të pranuar në secilin program të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, gjithashtu edhe numrin minimal të pikëve me të cilat janë pranuar këta studentë:

Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore; 453 studentë janë pranuar

Në programin Biologji, 75 kandidatë janë regjistruar si të rregullt, ku i fundit në listë kishte 60.6 pikë, dy kandidatë janë pranuar nga komunitetet pakicë dhe kandidati i dytë apo i fundit kishte 72.1 pikë.

Ndërsa, në programin Ekologji-Mbrojtje e Mjedisit janë pranuar 123 kandidatë të rregullt dhe i fundit prej tyre kishte 50.65 pikë. Në programin Fizikë, FSHMN-ja ka pranuar 30 kandidatë të rregullt, me më së paku 51 pikë.

Programi Gjeografi, kishte regjistruar 75 kandidatë të rregullt, ku i fundit në listën e të regjistruarve kishte 56.4 pikë. Në Kimi janë pranuar 37 kandidatë të rregullt, i fundit me 54.35 pikë.

Ndërkaq, në Kimi Inxhinierike janë pranuar 25 kandidatë të rregullt, i fundit prej kandidatëve kishte grumbulluar gjithsej 61.05 pikë. Në Programin Matematikë janë pranuar 32 kandidatë të rregullt, me më së paku 58.1 pikë, një kandidatë është pranuar nga kategoria e Malit të Zi, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me 67.5 pikë.

Programi Matematikë financiare në banka dhe siguri, ka regjistruar 15 kandidatë të rregullt për këtë vit shkollor, ku i fundit në listë ka arritur 60.05 pikëve. Ndërsa, në Shkenca Kompjuterike janë regjistruar 37 kandidatë të rregullt, me minimumin e pikëve 60.45, një kandidat nga kategoria jashtë Kosovës me 86 pikë.

Fakulteti Filozofik – Nga 727 studentë sa pritet të regjistrohen, janë pranuar 517 studentë.
Fakulteti Filozofik – Nga 727 studentë sa pritet të regjistrohen, janë pranuar 517 studentë.

Në Antropologji kulturore, janë pranuar 7 kandidatë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 47.6 pikë, një kandidate është pranuar nga kategoria e studentëve jashtë Kosovës. Ndërsa, në Arkeologji janë pranuar 12 kandidatë, ku i fundit në listë kishte 49.3 pikë.

Në Filozofi, janë pranuar 17 kandidatë, ku minimumi i pikëve të studentit të fundit është 43 pikë. Ndërkaq, në Histori, janë regjistruar si studentë 111 kandidatë, ku i fundit prej tyre në liste kishte 44.5 pikë, dy kandidatë janë pranuar nga kategoria familje dëshmori, dy kandidatë të tjerë nga kategoria e studentëve jashtë Kosovës.

Në Psikologji, janë pranuar dy kandidatë në kategorinë familje dëshmori, tre kandidatë të komuniteteve pakicë, tre kandidatë jashtë Kosovës dhe 100 kandidatë të rregullt, ku i fundit kishte 75.9 pikë. Në Punë Sociale, janë pranuar 50 kandidatë, pikët e kandidatit të fundit në listë janë 66.2, dy kandidatë janë pranuar nga kategoria jashtë Kosovës dhe një kandidatë nga komunitetet.

Shkenca Politike, kanë pranuar 100 kandidatë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 60.5 pikë, një kandidat i komuniteteve pakicë dhe tre kandidatë të jashtëm. Në Sociologji, janë regjistruar 100 kandidatë, ku i fundit prej tyre në listë kishte 47 pikë dhe një kandidat të jashtëm.

Fakulteti i Filologjisë – Nga 686 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 435 studentë.

Në Gazetari, janë pranuar 80 studentë të rregullt, ku i fundit prej tyre kishte 57.8 pikë, një kandidat i komunitetit pakicë, me 42.1 pikë, një i jashtëm me 63.6 pikë. Ndërsa, në Gjuhë dhe letërsi angleze, janë pranuar 110 të rregullt, ku i fundit në listë ishte pranuar me 75.3 pikë, një kandidat nga kategoria familje dëshmori, me 46.4 pikë, tre studentë nga komunitetet pakicë, ku i fundit në listë kishte 42.5 pikë, tre nga jashtë, me 53.4 pikë.

Në Gjuhë dhe letërsi frënge, janë regjistruar 27 kandidatë të rregullt, i fundit në listë me 54.1 pikë, një student nga kategoria familje dëshmori, me 52.6 pikë. Ndërkaq, në Gjuhë dhe letërsi gjermane, janë pranuar 120 të rregullt, i fundit në listë kishte 74.75 pikë, pesë kandidatë nga jashtë, me më së paku 42 pikë, një kandidatë i komuniteteve pakicë, me 54.45 pikë, një student nga kategoria familje  dëshmori, me 56.7 pikë.

Ndërsa, në Gjuhë dhe letërsi turke, janë pranuar 15 studentë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 70.4 pikë. Në Gjuhë dhe letërsi shqipe, janë regjistruar 23 të rregullt, me minimumi 51.45 pikë, dy nga jashtë, me 59.3 pikë. Letërsia shqipe, këtë vit ka pranuar 32 të rregullt, ku minimumin e pikëve me të cilat është pranuar kandidati i fundit janë 44, një kandidat nga jashtë, me 48 pikë, një nga komunitetet, me 59.4 pikë. Dhe në Orientalistikë, janë pranuar 9 studentë të rregullt, ku i fundit kishte  64.45 pikë.

Fakulteti Juridik: Nga 952 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar vetëm 566 studentë.

Në Juridik, janë pranuar 550 studentë të rregullt dhe i fundit në listë kishte 59.3 pikë, dy kandidatë nga kategoria familje dëshmori, me 54.85 pikë, pesë kandidatë nga komuniteti pakicë, me 56.95 pikë dhe nëntë kandidatë të jashtëm, me 48.5 pikë.

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës: Nga 451 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 292 studentë.

Arkitektura këtë vit akademik ka pranuar 100 studentë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 62.55 pikë, tre kandidatë të jashtëm, me 61.50 pikë. Programi Gjeodezi, ka regjistruar 48 të rregullt dhe kandidati i fundit me 42.4 pikë.

Programi Hidroteknikë, ka pranuar 23 studentë të rregullt, me më së paku 48.6 pikë, një kandidat jashtë Kosovës, me 58 pikë. Në Inxhinieri të Ambientit, janë regjistruar 15 kandidatë të rregullt, ku i fundit prej tyre ishte pranuar me 50.6 pikë.

Konstruktivi, këtë vit akademik ka regjistruar 99 studentë të rregullt dhe kandidati i fundit është pranuar me 50.5 pikë, një kandidat i komuniteteve pakicë, me 89.5 pikë, një kandidat jashtë Kosovës, me 89.5 pikë.

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: Nga 546 studentë pritet të regjistrohen janë pranuar 286 studentë.

Programi  Automatikë e Kompjuterizuar dhe Robotikë, regjistroi 13 kandidatë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 54.55 pikë. Programi Elektronikë, pranoi 34 studentë të rregullt, dhe kandidati i fundit kishte 54.3 pikë.

Në Elektroenergjetikë, janë regjistruar 43 studentë të rregullt, ku i fundit kishte 51.15 pikë. Programi Inxhinieri Kompjuterike, pranoi 160 të rregullt, minimumi i pikëve me të cilat u pranua kandidati  fundit në këtë listë ishin 79.65, dhjetë kandidatë nga kategoritë komunitete dhe jashtë Kosovës, me minimumin e pikëve prej 56.65.

Në Programin Telekomunikacion, u pranuan 25 studentë të rregullt, i fundit me 49.45 pikë, një kandidat nga kategoria komunitete dhe jashtë Kosovës, me më së paku 53 pikë.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike – Nga 648 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 228 studentë.

Inxhinieria Industriale dhe Menaxhmenti, në vitin akademik 2018/19 pranoi 50 kandidatë të rregullt, ku i fundit kishte 40.6 pikë. Programi Komunikacion dhe Transport, ka regjistruar 40 studentë të rregullt, me më së paku 46.75 pikë.

Programi Konstruksione dhe Mekanizëm, ka pranuar 15 stedentë të rregullt, ku kandidati i fundit kishte 40.9 pikë. Mekatronika regjistroi 53 studentë të rregullt, me më së paku 43.8 pikë. Programi Prodhimtari dhe Automatizëm, pranoi këtë vit 17 studentë të rregullt, me minimumi 44.5 pikë. Termoenergjetika dhe Energjia e Ripërtrishme, regjistroi 53 studentë të rregullt, ku i fundit në listën e të pranuarve kishte 46.45 pikë.

Fakulteti i Arteve të Bukura – Nga 203 studentë pritet të regjistrohen janë pranuar 113 studentë.

Dega e Arteve të Bukura, në Programin e Arteve Vizuale-Specializimi Pikturë, pranoi 16 kandidatë të rregullt, me më së paku 69.35 pikë. Në Degën e Artit Figurativ, u regjistruan dy kandidatë nga Presheva, me 69.5 pikë, një kandidat nga Shqipëria, me 63.5 pikë. Tek Artet Vizuale-Specializimi Grafikë, u pranuan 8 kandidatë të rregullt, me minimumi 63 pikë.

Programi i Arteve Vizuale-Specializimi Arti Konceptual dhe Mediet e Reja, regjistroi katër studentë të rregullt, me më së paku 73.3 pikë. Artet Aplikative-Specializimi Dizajn Grafik, pranoi 12 të rregullt, me minimumi 71.1 pikë, dy kandidatë nga komunitetet pakicë, me 29 pikë.

Dega e Arteve Muzikore: Bachelor i Muzikës-Specializimi Pedagogji e përgjithshme muzikore, pranoi 19 studentë të rregullt, me minimumi 59.1 pikë. Në Kompozim, janë regjistruar dy studentë të rregullt, ku i dyti kishte 70.25 pikë. Tek specializimi Solo Këndim, u pranuan katër kandidatë të rregullt, me minimumi 76 pikë. Në Specializimin Dirigjim, u regjistrua një i rregullt, me 88.5 pikë.

Në Piano, u pranuan pesë kandidatë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 69.25 pikë, një nga komuniteti pakicë, me 59.35 pikë. Në Instrumentet me harqe dhe tela-Violinë, u pranua si student një kandidat i rregullt, me 71.6 pikë. Në Violë, u regjistruan dy kandidatë të rregullt, me 70.75 pikë. Në Violonçel, këtë vit akademik u pranuan dy kandidatë të rregullt, me minimumi 72.9 pikë. Në Kontrabas, u pranuan dy studentë të rregullt, me më së paku 72.2 pikë.

Specializimi Instrumentet me harqe dhe tela-kitarë, pranoi katër studentë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 69.05 pikë.  Në Flaut u regjistruan katër 4 të rregullt, me më së paku 76.45 pikë. Klarineta këtë vit pranoi dy studentë të rregullt, me më së paku 68.55 pikë. Dega e Arteve Dramatike, në Aktrim, pranoi shtatë kandidatë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 68 pikë.

Në Regji teatri, u regjistrua një i rregullt, me 74.7 pikë. Ndërsa, në Regji filmi dhe televizioni, gjashtë kandidatë u pranuan si të rregullt, me minimumi 61.8 pikë. Dhe në Dizajn Skene dhe kostumografi, këtë vit u regjistruan shtatë të rregullt, ku i fundit në listë kishte grumbulluar 60 pikë.

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë – Nga 630 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 283 studentë.

Programi Teknologji ushqimore me bioteknologji, këtë vit akademik regjistroi 100 të rregullt, ku i fundit në listë kishte 68.75 pikë, tre kandidatë të jashtëm, me më së paku 60 pikë. Në Ekonomia e Bujqësisë, u pranuan 59 të rregullt, me minimumi 40.3 pikë, një fëmijë dëshmori, me 65.5 pikë.

Ndërsa, në Prodhimtari bimore, u regjistruan 57 kandidatë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 41 pikë. Në Programin Menaxhimi i biznesit në zooteknikë, u pranuan 15 kandidatë të rregullt, me minimumi 46.15 pikë. Dhe në Mjekësi Veterinare, u regjistruan 48 kandidatë të rregullt, me më së paku 52 pikë.

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit – Nga 179 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 145 studentë.

Në Programin Edukim Fizik dhe Sport, u regjistruan 141 studentë të rregullt në këtë vit akademik dhe i fundit në listë kishte 44.51 pikë, një kandidat jashtë Kosovës, me 29.12 pikëve, tre kandidatë nga komunitetet pakicë, me minimumi 52.08 pikë.

Fakulteti i Edukimit – Nga 319 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 286 studentë.
Fakulteti i Edukimit – Nga 319 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 286 studentë.

Programi fillor në këtë fakultet pranoi 120 studentë të rregullt dhe i fundit në listën e të pranuarve kishte grumbulluar 70 pikë, pesë kandidatë u regjistruan nga komunitetet pakicë, me minimumin e pikëve 42.95, tre kandidatë të jashtëm, me më së paku 48.5 pikë. Në Parashkollor, u pranuan 90 kandidatë si të rregullt dhe i fundit prej tyre kishte arritur 61.8 pikë gjithsej, një nga komunitetet, me 50.1 pikë, katër të jashtëm, me minimumi 56.5 pikë. Ndërkaq, në Pedagogji, u regjistruan 60 studentë të rregullt, me më së paku 59.85 pikë, një kandidat nga familje e dëshmorit, me 69.2 pikë, dy nga komunitetet pakicë, me minimumi 55.7 pikë.

Fakulteti Ekonomik – Nga 1963 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 660 studentë.

Departamenti Banka, Financa dhe Kontabilitet, vitin akademik 2018/19 pranoi 193 studentë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 42.3 pikë, 15 kandidatë me korrespondencë, me minimumin e pikëve 46.15, një kandidat nga jashtë, me 58 pikë, një nga komuniteti pakicë, me 60.6 pikë.

Ndërsa, në Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment(në gjuhën angleze), u regjistruan 47 kandidatë të rregullt, me më së paku 52.4 pikë, një të jashtëm, me 58 pikë. Në Programin Ekonomiks, u pranuan 57 kandidatë të rregullt, ku i fundit kishte grumbulluar 43.15 pikë, një kandidat i jashtëm, me 69.5 pikë, gjashtë kandidatë me korrespondencë, me minimumin e pikëve 45.45.

Kontabiliteti pranoi 68 studentë të rregullt, me më së paku 42.7 pikë, një nga komuniteti pakicë, me 65.4 pikë, një nga familje dëshmori, me 69.1 pikë. Marketingu regjistroi këtë vit 108 studentë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 42.3 pikë, pesë kandidatë me korrespondencë, me minimumi 43.9 pikë, një kandidat të jashtëm, me 39 pikë.

Kurse, Departamenti Menaxhment dhe Informatike, pranoi 130 të rregullt, me më së paku 42.15 pikë, 17 kandidatë me korrespondencë, me minimumi 48.3 pikë, një nga kategoria familje e dëshmorëve, me 55.9 pikë, gjashtë kandidatë të jashtëm, me më së paku 45 pikë.

Fakulteti i Mjekësisë – Nga 441 studentë sa pritet të regjistrohen janë pranuar 310 studentë.

Programi Farmaci, këtë vit akademik pranoi 50 studentë të rregullt, ku i fundit në listë kishte grumbulluar 56.13 pikë, dy kandidatë jashtë Kosovës, me minimumin e pikëve prej 59.42. Në Fizioterapi, u regjistruan katër të rregullt, me më së paku 64.49 pikë. Ndërsa, në Stomatologji u pranuan 70 studentë të rregullt, me më së paku 74.31 pikë, dy kandidatë nga kategoria jashtë Kosovës, me minimumin e pikëve 58.42, dy kandidatë nga komunitetet pakicë, me më së paku 67.33 pikë.

Mjekësia e Përgjithshme, regjistroi një kandidat nga kategoria familje dëshmori, me 71 pikë, 150 kandidatë të rregullt, me më së paku 83.76 pikë, tetë kandidatë jashtë Kosovës, me minimumin e pikëve 58.02, dhjetë kandidatë të komuniteteve pakicë, me më së paku 61.61 pikë. Si dhe në Programin Infermieri, u pranuan nëntë studentë të rregullt, ku i fundit në listë kishte 57.79 pikë, një kandidat jashtë Kosovës, me 66.88 pikë, si dhe një nga komunitetet pakicë, me 62.42 pikë.

Këtë vit akademik numri i kandidatëve të papranuar në universitetin publik “Hasan Prishtina” arrin deri në 7 mijë e 373.

Në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës nuk janë pranuar 253 kandidatë. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike nuk kanë arritur të regjistrohen 7 kandidatë. Në Fakultetin e Arteve numri i kandidatëve të papranuar arrin deri në 264. Në Fakultetin e Edukimit nuk kanë arritur të pranohen 1294 kandidatë.

Në Fakultetin Ekonomik numri i të papranuarve arrin deri në 661. Në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, nuk janë pranuar 129 kandidatë. Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv nuk kanë arritur të bëhen studentë 321 kandidatë. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Mekanike numri i kandidatëve të papranuar arrin në 223.

Në Fakultetin e Filologjisë 1205 kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet për t’u regjistruar si student. Ndërsa, në Fakultetin e Filozofikut nuk kanë arritur të regjistrohen 791 kandidatë. Në Fakultetin Juridik nuk janë pranuar 251 kandidatë. Në Fakultetin e Mjekësisë numri i kandidatëve të papranuar arrin deri në 1 mijë e 598. Dhe në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore nuk kanë arritur të regjistrohen 376 kandidatë.

Për të parë listat me pikët e arritura nga kandidatët që janë pranuar dhe nga ata që nuk janë pranuar nga UP-ja mund të klikoni KËTU.

Përparësia e familjarëve të dëshmorëve

Prej 7066 studentëve, 6 mijë e 156 duhej të ishin studentë të rregullt dhe 910 studentë me korrespondencë. Mirëpo, UP-ja deri tani ka regjistruar 4 mijë e 574 studentë të rregullt dhe 38 me korrespondencë.

2 për qind e studentëve apo 142 studentë të rregullt që i takojnë familjes së ngushtë të dëshmorëve, 12 për qind apo 845 studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë, 3 për qind, përkatësisht 216 studentë nga Mali i Zi, Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe 2 për qind, përkatësisht 142 studentë nga Maqedonia dhe Shqipëria.

Por, në bazë të rezultateve të publikuara nga afati i parë i pranimit të studentëve, rezulton se UP-së ka filluar t’i zvogëlohet numri i të rinjve që pranohen në fakultetet e këtij Universiteti, sepse janë pranuar vetëm 105 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. 19 studentë të familjes së ngushtë të dëshmorëve dhe 81 studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë.