‘Gjumi’ vjeshtor i deputetëve

Sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar me avazin e vjetër të mosmiratimit të  ligjeve, mungesës së efikasitetit të punës, përplasjeve politike, mungesës e kuorumit e shumë probleme të tjera.

Kuvendi deri tani ka miratuar vetëm 20 projektligje, shumica nga të cilat kanë qenë të mbetura nga sesioni pranveror kur legjislativi përballej me probleme të njëjta të funksionimit sikur në sesionin aktual.

Një gjendje e njëjtë pritet ta përcjellë Kuvendin edhe më tej, pasi që dy subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) kanë vendosur që të vazhdojnë me bojkotimin e Kuvendit, përveç në rastet kur atyre u ofrohet ta votojnë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare.

Albulena Haxhiu, deputete nga LVV dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për legjislacion, ka thënë për KALLXO.com se opozita do ta vazhdoje bojkotin aktiv deri sa të votohet rezoluta për dialogun e cila, sipas saj, ia pamundëson presidentit Thaçi diskutimin e territorit.

Në bazë të deklaratave të Haxhiut, refuzimi i partive në pushtet (PDK, AAK e NISMA) për të marrë pjesë në votimin e sotëm të rezolutës nënkupton vazhdimin e bllokadës në Kuvend.

“Kjo gjendje ka filluar kur është bllokuar kërkesa jonë për ta mbajtur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me iniciativën e Presidentit Thaçi me pazaret për territorin e Kosovës. Përballë një situate ku Kosova rrezikohet nga humbja e territorit sikurse me Malin e Zi, kemi konsideruar që nuk mund të kthehemi në normalitet”, ka thënë Haxhiu duke shtuar se zgjidhja e vetme është dorëheqja apo rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” përmes mocionit.

Për dallim nga Haxhiu, deputeti nga Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, në një deklaratë dhënë për KALLXO.com ka thënë se Kuvendi është duke iu kthyer normalitetit sidomos në pikat që kanë të bëjnë për agjendën europiane ERA si dhe agjendën e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).

“Është detyrë edhe e opozitës që t’i votojë ligjet në Kosovë. Po shihet që ka një frymë që mund të vazhdojë puna normale e Kuvendit. Shikuar me numra pavarësisht prej rezultateve nuk mendoj se ka numër të madh të projektligjeve por kemi ngecje në disa projektligje që janë në agjendën e MSA-së dhe po shpresojmë se këto do të tejkalohen dhe për këtë ftojmë të gjithë akterët politikë”, ka thënë Pajaziti.

Kuvendi i Kosovës, ndonëse ka filluar punën në sesionin vjeshtor, nuk është duke funksionuar siç duhet.

Kështu ka konsideruar hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Artan Murati.

“Vetëm në sesionin vjeshtor janë miratuar 20 projektligje. Numerikisht Kuvendi është duke punuar por nuk është duke funksionuar siç duhet. Shumica e këtyre projektligjeve kanë qenë tash e një kohë të gjatë në Kuvendin e Kosovës dhe tani shumë vonë ka marrë një epilog. Një gjendje të tillë e kemi pasur edhe në seancën e sotme ku koalicionit qeverisës përveç se duhet ta sigurojë prezencën e Listës Serbe duhet edhe disa deputetë të opozitës për t’i votuar projektligjet”, ka thënë Murati duke shtuar se është urgjente arritja e konsensusit politik në vend.

Në anën tjetër Rasim Alija, nga instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D), e ka parë si shumë të nevojshëm demokratizimin e partive politike si dhe vendosjen e kritereve në kohën e përpilimit të listave të kandidatëve për personat që duan të marrin ulësen e deputetit.

“Vendosja e kritereve nga subjektet politike për kandidatët që janë pjesë e listave të tyre zgjedhore, mos kandidimi i personave që kanë aktakuza dhe ndryshimi i votës preferenciale, nga mundësia për të zgjedhur 5 deputetë të ulet në mundësinë që të zgjedhën vetëm 3, do të mund të ishin disa hapa fillestarë për të ngritur nivelin e përfaqësimit në kuvend dhe funksionimin normal të tij”, ka thënë Alija për KALLXO.com.