‘Dy gisht mjaltë’ drejt thyerjes së rekordeve të shikueshmërisë

Filmi “Dy gisht mjaltë” me regji të Emir Khalilzadeh dhe Ermal Mamamqi, i cili që nga 28 marsi i kaluar  po shfaqet në Cineplexx në Prishtinë, ka  zgjuar interesim  të madhe tek publiku.

Brenda 8 ditëve sa është duke u shfaqur, për këtë film të zhanrit komedi, Cineplexx ka arritur të shes 12 mijë e  300 bileta që është duke shkruar drejt thyerjes së rekordeve të shikueshmërisë.

Filmi me protagonistë të njohur të ekranit dhe muzikës shqiptare, si: Ermal Mamaqi, Elvana Gjata, Marjana Kondi, Koco Devole, Ervin Doko, Megi Pojani, flet për një çift të sapomartuar, i cili për faj të një ‘gabimi’ të dhëndërrit, në vend se muajin e mjaltit çifti ta kalojë në Karaibe, detyrohet që endet nëpër bregdetin shqiptar duke u ballafaquar me situata nga më të ndryshme.

Me skena komike, diku me ‘të nxehta’  e diku argëtuese, komedia sjellë një pasqyrë të realitetit shqiptar, ku paraja, egoja, interesi, xhelozia janë pjesë e përditshmërisë së të rinjve. Por, gjitha këto janë të mposhtura para një dashurie të vrullshme.

Realizimi, tema e qëlluar dhe loja e aktorëve e bëjnë komedinë  ‘Dy gisht mjaltë’ mjaft tërheqëse për publik, sa që në javë e parë të shfaqjes së saj në Cineplexx ‘beteja’  për të siguruar një biletë për të parë filmin del të jetë mjaft sfiduese.

Për 8 ditë sa është duke u shfaqur ky film në Cineplexx ka arritur të mbledhë 12, 300 shkues, duke u bërë filmi më i shikuar shqiptar i shfaqur në këtë kinema.

Dëfrim Puka, menaxher në Cineplexx, ka pohuar për Kallxo.com se ka interesim jashtëzakonisht të madh për këtë film.

“Prej ditës kur ka filluar të shfaqet, gjatë këtyre 8 ditëve janë shitur 12,300 bileta. Filmi ‘2 gisht mjaltë’ është në rrugë të mirë për t’i thyer të gjitha rekordet e biletave të shitura edhe për filma të huaj,  por edhe shqiptarë”, ka thënë Puka.

Momentalisht, ka shtuar ai, filmi i huaj më me së shumti bileta të shitura është “Fast & Furious 8” me 27,653 bileta, ndërsa prej filmave shqiptar është “Diamanti” me 9,200 bileta, por që në këto bileta i ka mbledhur gjatë 2 muajve sa ishte ne repertorin e Cineplexxit.

Sipas Pukës, çmimi i  biletave për ta parë filmin varion prej ditës në ditë, kështu, siç ka thënë ai, të hënën, të mërkurën dhe të enjten çmimi është 3 euro e 60 cent. Ndërkaq  të premten, të shtunën dhe të dielën çmimi është 3 euro e 90 cent.

Kurse çdo të martë për Ditën e Kinemasë, çmimi i një bilete për të parë filmin “Dy gisht mjaltë” është me zbritje,  2 euro e 80 cent.

Suksesi që po korrë kjo komedi në një farë mënyre është një tregues i nevojës që ka sot publiku kosovar për filma të tillë.

Regjisori Ben Apolloni ka potencuar në një prononcim për Kallxo.com se publiku ka nevojë për realizimin e filma të tillë, siç ka thënë ai, komedi te lehta.

“Për fat të keq që nuk ka rrjet të kinemave se filmat e tillë do të ndikonin shumë në krijimin e mundësive për produksionet që të zhvillohen”, ka thënë regjisori Apolloni.