Foto nga koncerti i vitit 2017. Foto: ProCredit Bank/Facebook

Aktivistët kërcënojnë me protesta ndaj koncertit me fishekzjarrë të ProCredit Bank

Aktivistët mjedisorë kosovarë kanë bërë thirrje për bojkot të koncertit të këngëtares Elvana Gjata që pritet të mbahet të shtunën në mbrëmje në Prishtinë, duke thënë se fishekzjarrët e paralajmëruara rrezikojnë njerëzit dhe kafshët.

Ata kanë kërcënuar me protesta pasi planifikimeve për ndezje të fishekzjarrëve në koncertin e organizuar nga ProCredit Bank.

Koncerti i financuar nga banka gjermane është bërë disi si traditë: një herë në vit banka mban koncert falas, të përcjellë me ndezje të trazuar të fishekzjarrëve pranë Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Këtë vit, në koncert do të performojë këngëtarja shqiptare, Elvana Gjata, dhe në të është paraparë edhe një shou piroteknik.

Por aktivistët janë të shqetësuar për zhurmën dhe ndotjen e ajrit në qytet dhe po bëjnë thirrje [ër bojkot të koncertit dhe protestë kundër fishekzjarrëve.

Koncerti i vitit të kaluar i mbajtur më 1 qershor, sipas aktivistëve, ngriti nivelin e ndotjes në qytet gjatë ditëve në vijim dhe rrezikoi njerëzit dhe kafshët.

Nora Ahmetaj dhe Vjosa Shkodra, dy banore dhe aktiviste nga Prishtina, kanë bërë një kërkesë me shkrim në komunën e Prishtinës dhe në ProCredit Bank për t’i ndalur fishekzjarrët. Por të dy kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Ne e kemi dërguar një kërkesë për ndalimin e fishekzjarrëve me anë të emailit te kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, dhe drejtori i Inspeksionit, Brahim Mehmetaj. Fatkeqësisht asnjëri nuk ka kthyer përgjigje”, shpjeguan Ahmetaj dhe Shkodra.

ProCredit Bank, në anën tjetër, ftoi dy aktivistet në një takim të cilin ato e refuzuan “sepse kërkesa është e qartë, ndalja e fishekzjarrëve dhe kohëzgjatja”, tha dy aktivistet. Sipas asaj që zyrtarët e bankës i kanë thënë dy aktivisteve, ndezja e fishekzjarrëve do të zgjasë gjashtë minuta.

ProCredit Bank nuk është përgjigjur në pyetjet që Prishtina Insight i ka dërguar përmes emailit në kohën e publikimit të artikullit.

“Tymi i fishekzjarrëve është i dëmshëm për shëndetin. Copat metalike të emetimit të fishekzjarrëve paraqesin rrezik për shëndetin, në veçanti për njerëzit që vuajnë nga astma”, ka shkruar Ahmetaj duke cituar një studim të publikuar nga Journal of Hazardous Materials.

“Zhurma që vjen nga fishekzjarrët gjithashtu mund të shkaktojë shqetësim te njerëzit dhe kafshët”, ka shpjeguar aktivistja.

Të dy aktivistet kanë hapur një faqe në Facebook të titulluar “Një Prishtinë pa Fishekzjarre”, e cila brenda dy ditëve ka marrë një mbështetje modeste prej rreth 300 ndjekësve. Administratorët e faqes po u bëjnë thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë koncertin që është thirrur të mbahet të shtunën në mbrëmje.

Të premten, organizata “Let’s Do It Kosova” gjithashtu iu bashkua thirrjes për ndalimin e fishekzjarrëve te institucionet kompetente për ta parandaluar shoun piroteknik.

“Përveç Bibliotekës Kombëtare dhe fakulteteve, ka shumë ndërtesa tjera rezidenciale përreth që janë në rrezik nga fishekzjarrët. Nëse institucionet publike nuk e parandalojnë këtë aktivitet, ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë”, shkroi kjo OJQ në Facebook.

Sipas ligjit për përdorimin civil të eksplozivëve, Ministria e Punëve të Brendshme lëshon leje për përdorimin e fishekzjarrëve nga civilët, përderisa Policia e Kosovës është e ngarkuar për sigurinë publike.

Zyrtarë të ministrisë, deri në kohën e publikimit të artikullit, nuk konfirmuan nëse MPB ka lëshuar leje  por Policia konfirmoi se të gjitha kërkesat janë bërë me kohë.

Zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, tha se komuna ka pranuar shumë ankesa rreth përdorimit të fishekzjarrëve gjatë viteve të kaluara.

“Komuna ka pranuar komente dhe ankesa për shkak të fishekzjarrëve dhe ndotjes. Nëse do të kishte qenë brenda kompetencave të komunës, komuna do ta shqyrtonte nëse do të jepte leje apo jo për ndezjen e fishekzjarrëve”, tha Mullafazliu.