A janë Liderët e Ballkanit Liberalët e Rinj të Europës?

Njëzet vjet më parë, në fund të luftërave të Ballkanit, ishte e zakonshme që shtetet perëndimore të kishin mëshirë – dhe të përçmonin – Ballkanin për fjalët raciste dhe nacionaliste, si dhe për veprat e liderëve të tyre politikë.

Ai vit, 1995, ishte veçanërisht famëkeq në kalendarin e Ballkanit, për shkak të masakrës së 7000 boshnjakëve në qytetin e Srebrenicës, si dhe dëbimin e 200,000 serbëve nga Kroacia.

Si një gazetar i një gazete kombëtare britanike, më kërkohej shpesh të analizoja fenomenin e nacionalizmit të Ballkanit dhe të shpjegoja përse Ballkani gjithmonë ishte – dhe prezumohej se do të ishte përherë kështu – “ndryshe” nga ne, vendet normale.

E bëra këtë, duke iu referuar një kombinimi të shekujve dominim nga jashtë, zhvillimit të pakët ekonomik dhe mbjetimit të shoqërive fshatare që vinin në prioritet të drejtat kolektive mbi të drejtat individuale dhe unitetin kombëtar mbi papajtueshmërinë. Slogani serb “Samo sloga Srbima spasava” – “Vetëm uniteti i shpëton serbët” – dukej se i thoshte të gjitha.

Sot, teksa politika e ekstremit të djathtë çan në Europën Perëndimore dhe në SHBA, situata nuk është përmbysur, por në fakt ka pasur ri-rregullime. Hendeku mes kulturave politike të shteteve perëndimore dhe të Ballkanit po ngushtohet dhe po bëhet më i paqartë.

Shikoni – por jo vetëm – rezultatet më të fundit të zgjedhjeve rajonale franceze, ku Fronti Kombëtar i të djathtës ekstreme mori mbi 30 për qind të votave, më shumë se çdo parti tjetër, duke e pozicionuar drejtuesen, Marine Le Pen, për fushatën elektorale presidenciale të 2017.

Megjithatë, Franca nuk është i vetmi vend perëndimor që ka përjetuar një tërmet të tillë politik. Partitë e të djathtës ekstreme janë fuqizuar edhe në Belgjikë, Holandë, Austri dhe madje edhe në modelin politik të liberalizmit siç është Suedia.

Në SHBA, kandidati presidencial i republikanëve, Donald Trump është kritikuar për kërcënimin se do të ndalonte totalisht hyrjen e myslimanëve në SHBA.

Ende, me të gjithë kritikat, ai ia ka arritur tanimë një qëllim, që është të legjitimohet pjesërisht shprehja e opinioneve që dikur do të ishin konsideruar krejtësisht jashtë kursit politik të zakonshëm. Siç e theksoi dhe New York Times në një editorial të fundit, rivalët republikanë të Trump, Jeb Bush dhe Ted Cruz, nuk tingëllojnë edhe aq ndryshe.

Gjykuar nga standardi Trump, Le Pen, Geert Wilders në Holandë dhe të tjerë, politikanët kryesorë të Ballkanit janë “liberalët e rinj” të Europës. Sigurisht, ata janë të korruptuar në shumë raste dhe ata janë shpesh më autoritarë në praktikë sesa hiqen.

Problemet e rënda me të cilat përballet media dhe mbrojtësit e të drejtave në Malin e Zi dhe fushata gjysmë-zyrtare e kryer kundër BIRN në Serbi janë prova të kësaj.

Por, në disa pika të shfaqjes së tyre publike, sigurisht që ia vlen të pranohet se politikanët e zakonshëm në Ballkan tani duken më të kujdesshëm dhe më të arsyeshëm në përzgjedhjen e fjalëve rreth imigrantëve dhe islamit sesa politikanët e pakujdesshëm dhe të nxituar të të djathtës në vendet perëndimore – disa prej të cilëve nuk mund të quhen më si forca margjinale.

Disa analistë kanë sugjeruar se ky shpirt i ri i arsyes në Ballkan, ndaj refugjatëve të Lindjes së Mesme, është sipërfaqësor. Thuhet se reflekton faktin se asnjë nga këto vende nuk është një destinacion “përfundimtar” për miliona të ardhurit që kanë mbërritur këtë vit në Europë. Mund të ketë një të vërtetë në këtë gjë, por nuk është e gjithë historia.

Hungaria, Polonia dhe Sllovakia janë gjithashtu destinacione ‘jo përfundimtare’ për sirianët dhe afganët. Por kjo nuk i ndaloi liderët e tyre të përshtatin qëndrime agresive thuajse kryqëzuese ndaj rrezikut të supozuar që të gjithë imigrantët myslimanë sjellin te qytetërimit europian. Disa kanë bërë haptazi thirrje që migrantët myslimanë të ndahen nga ata të krishterë.

A është e tepërt të sugjerohet se liderët në Kroaci dhe Serbi kanë mësuar nga përvoja prej viteve 1990 – ku një prej mësimeve mund të jetë se gjuha e ashpër mund të të çojë në vende ku nuk synon të shkosh? Kjo është një shpresë. Politika e re (relativisht) e moderuar e Ballkanit mund të jetë sipërfaqësore dhe e thellë. Gjithsesi është njëlloj e mirëpritur.