Krenohet Skender Hyseni, Ministrinë e nisa me nje Laptop

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, në emisionin ‘DebatPernime’, foli për sfidat me të cilat është përballur në atë kohë në krye të kësaj Ministrie.

Hyseni ishte ministri i parë i Jashtëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“E kam fillu Ministrinë e Jashtme me një laptop, kaq kam patur në ditën e parë të punës, as staf e as veturë dhe normalisht që ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme që për 4-5 muaj të rekrutosh stafin dhe të fillosh punët diplomatike nëpër botë”, tha ai, duke përmendur të arriturat gjatë qeverisjes së tij.

“Kemi dështuar që dialogun ta kanalizojmë dhe ta strukturojmë si dialog midis shteteve. Diplomatët në kohën time kanë pasur instruksione rigoroze që në dialog të flasim vetëm për dialog mbi bazën shtet me shtet, që të evitohej çdo përcepcion për vendet që nuk e kishin njohur, se statusi i Kosovës qenka ende i pazgjidhur. Këtë e konsideroj si të paarritur të cilën për fat të keq nuk kemi pasur kohë që ta shtyjmë para”, ka thënë Hyseni.

Gjithashtu, në mesin e dështimeve gjatë qeverisjes së tij, ai përmend edhe pranimin e fusnotës në kuadër të ‘riformatizimit’ të dialogut Kosovë-Serbi.

“Si një dështim tjetër e shoh edhe pranimin e riformatizimin e dialogut Kosovë – Serbi si dialog Prishtinë – Beograd. Si rrjedhim i kësaj e kemi fusnotën fatkeqe e cila nuk po shkrihet dot. Na është imponuar si instrument të Kosovës do t’i hapte dyert do të anëtarësohen lehtë dhe të përfaqësohej lehtë në botë por ka ndodhë e kundërta dhe pranimi i fusnotës ka qenë mesazh i paqëndrueshmërisë dhe panguleshmerisë sonë”, u shpreh ai.

I pyetur nëse në atë kohë ishte kritikuar për punësime më të njohshëm, ai përmend ambasadorët të emëruar nga ai nëpër disa vende të ndryshme të botës për të cilët thotë së ndjehet krenarë.

“Ma përmendi një që unë e kam fut më të njohshëm në ministri. Meqë ma hape gojën, po i përmendi ambasadorët e parë që janë vendosur nëpër qendra në botë; Muhamedin Kullashi, Avni Spahiu – Uashington, Muhmet Haliti – Londër, Ilir Dugolli – Bruksel, Sabri Kiçmari – Vjenë, Lulëzim Peci – Stockholm, Bekim Sejdiu – Ankara, këta i kam lënë unë, dhe ma thuani që cili nuk ka përformuar në mënyrën më të mirë të mundshme, jam krenar se janë dëshmuar që e duan vendin”, tha Skender Hyseni.

Në emisionin #debatpernime në ZgjidhjeparaZgjedhjeve po diskutohet për politikën e jashtme, integrimet edhe sigurinë.