Ilustrim

Ndahen 1.3 milion euro për vendosje të kamerave në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka ndarë 1.3 milion euro për vendosje të kamerave të sigurisë nëpër pjesë të ndryshme në qytet, të cilat do monitorohen nga ana e Policisë.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunë, Lulzim Fushtica ka bërë të ditur pwr KALLXO.com se projekti është i ndarë në tri faza përgjatë tre viteve, derisa zonat ku do vendosen kamerat janë caktuar nga policia.

“Zonat janë përcaktuar nga Policia e Kosovës sipas planit dhe projektit të përgatitur nga ata. Pra, do të vendosen fillimisht në rrugët hyrëse dhe dalëse të Kryeqytetit, udhëkryqet kryesore dhe duke vazhduar me rrugët, sheshet dhe hapësirat publike sipas planit dinamik të projektit”- është shprehur Fushtica.

Tutje, Fushtica theksoi se sipas Ligjeve në fuqi dhe rekomandimeve nga Agjencia për Informim dhe Privatësi kamerat do të monitorohen vetëm nga Policia e Kosovës.

Komuna e Prishtinës ishte zotuar të ndajë buxhet më të lartë sa i përket sigurisë, përfshirë kamerat dhe ndriçimin publik pas raportimeve për ngacmime seksuale në hapësira si parqe, por edhe zona me mungesë ndriçimi.

Në maj të këtij viti Agjencia për Informim dhe Privatësi ka konfiskuar kamera ilegale të cilat kanë qenë të vendosura në territorin e Komunës së Shtërpcës në kundërshtim me kriteret ligjore.

AIP është agjenci e pavarur, që monitoron zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizikë.

Agjencia për Informim dhe Privatësi konfiskon kamerat ilegale në Shtërpcë