Hetues me shkollë të mesme e me Fakultet Filozofik hetojnë krimet e luftës

19 zyrtarë policorë me grada të ndryshme trajtojnë dhe hetojnë rastet e krimeve të luftës në Kosovë, ndërsa 6 prej tyre janë me shkollë te mesme, 2 me Fakultet Ekonomik, 2 me Fakultet Fizolofik dhe 9 me Fakultet Juridik.

Kosova këtë vit shënon 23-vjetorin e përfundimit të luftës. Qindra dosje janë grumbulluar në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me krimet e luftës ndërsa shumë pak prej tyre janë duke u gjykuar në gjykatat e vendit.

Në mesin e atyre që kanë një rol të madh në hetimin e dosjeve të krimeve të luftës janë edhe zyrtarët policorë.

Këta të fundit që nga viti i kaluar kanë edhe një databazë të të dhënave të 400 rasteve të paraqitura në EULEX deri në vitin 2018 për krimet e luftës.

Kjo databazë e të dhënave është krijuar në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it ndërsa është krijuar me qëllim që hetuesit të kenë më të lehtë që të organizojnë sasi të mëdha të të dhënave, të hetojnë rastet komplekse dhe të ndërlidhura të krimeve të luftës si dhe t’i përgatisin ato me sukses për ndjekje penale.

KALLXO.com ka siguruar të dhëna nga Policia e Kosovës për zyrtarët policorë që hetojnë rastet e krimeve të luftës në Kosovë dhe profesionalizmin e tyre në trajtimin e këtyre rasteve.

Nga 19 zyrtarë policorë që hetojnë dosjet e krimeve të luftës, gjashtë zyrtarë kanë përvojë rreth 19 vite në trajtimin e këtyre dosjeve, 7 të tjerë kanë përvojë mbi 7 vite, 4 zyrtarë kanë përvojë më shumë se 2 vite ndërsa dy zyrtarë të rinj muajt e fundit janë transferuar në Njësinë për hetimin e krimeve të luftës.

Policia e Kosovës në disa përgjigje për KALLXO.com ka treguar edhe se zyrtarët policorë që trajtojnë dhe hetojnë rastet e krimeve të luftës kanë të përfunduar trajnimin bazik të hetimeve në Akademinë Policore apo edhe ndonjë trajtim të avancuar të hetimeve.

Përveç trajnimit bazik Policia e Kosovës ka treguar tutje për KALLXO.com se disa nga zyrtarët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë marrë pjesë në trajnimin bazik për hetimin e krimeve të luftës, trajnim ky i mbajtur nga EULEX në vitin 2015.

Një tjetër trajnim apo punëtori zyrtarët policorë e kanë mbajtur edhe nga OSBE ndërsa kanë marrë pjesë edhe në një vizitë studimore në Kroaci dhe Hagë për hetimin e dhunës seksuale gjatë luftës.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje se sa zyrtarë policorë dhe kush ka marrë pjesë në punëtorinë e organizuar nga OSBE dhe vizitën në Hagë dhe Kroaci.

KALLXO.com ka kërkuar sërish sqarime në lidhje me pjesëmarrësit në këto trajnime por deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, në Strategjinë e Krimeve të Luftës, të Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, në disa raste përmendet se zyrtarët që përfshihen në hetimin dhe trajtimin e dosjeve për krimet e luftës duhet të trajnohen në mënyrë të vazhdueshme për këtë çështje.

Tutje, Policia e Kosovës ka refuzuar të ofrojë të dhëna për KALLXO.com në lidhje me gradat e zyrtarëve policorë apo hetuesve policorë që trajtojnë rastet e krimeve të luftës në Kosovë.

Refuzimin Policia e ka arsyetuar duke u bazuar në Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Pozitat/ gradat janë të ndryshme, përgjigja e detajuar në këtë pyetje nuk është autorizuar për shkak të kundërshtimit me Ligjin për Mbrojtën e të Dhënave Personale”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se të gjithë zyrtarët policorë kanë të vendosura në uniformat e tyre zyrtare edhe skemat apo shenjat dalluese të gradave dhe pozitave që mbajnë brenda Policisë së Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2018, si rezultat i mandatit të rikonfiguruar të EULEX-it, këta të fundit dorëzuan dosjet e rasteve policore, prokuroriale dhe gjyqësore autoriteteve të Kosovës.

Mungesa e një databaze ishte identifikuar si njëra nga sfidat me të cilat u përball Policia e Kosovës për përfundimit të procesit të pranim-dorëzimit të rasteve të mbledhura nga misioni i EULEX-it.

Në Kosovë, janë bërë mbi 400 masakra dhe sipas të dhënave zyrtare 13 mijë e 50 persona janë vrarë në luftën e fundit.

Deri tani 1 mijë e 500 persona konsiderohen ende të zhdukur ndërsa rreth 20 mijë persona të dhunuar.

Në maj të vitit të kaluar, Gjykata e Prishtinës e shqiptoi dënimin e parë për dhunë seksuale të kryer gjatë luftës në Kosovë.

Zoran Vukotiq është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe është dënuar me 10 vite burgim për krime lufte kundër popullatës civile të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kjo është aktakuza dhe rasti i parë i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i ngritur nga prokurorët vendorë dhe i gjykuar nga gjykatësit vendorë që përfundon me aktgjykim dënues, në shkallë të parë, pasi që kujtojmë se i akuzuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.