Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kandidati për kryetar të Prizrenit, Lulzim Kabashi – Foto: Facebook

Pasuria milionëshe e nënkryetarit të AAK-së

Nënkryetari i AAK-së, kryetari i degës së AAK-së në Prizren dhe këshilltari i jashtëm i kryeministrit, Lulzim Kabashi ka deklaruar troje, lokale, banesa, garazhe e depo në vlerë  2 milionë e 687 mijë e 904 euro në total.

Vetëm te pjesa e pasurive të paluajtshme, Kabashi ka deklaruar 15 lloje të pasurive, vlera e të cilave kap shumën mbi 2.5 milionë euro.

Më e vlefshmja ndër to është një tokë për biznes, me sipërfaqe 13 mijë metra katrorë, të cilën Kabashi e ka vlerësuar me 1.1 milionë euro.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Lulzim Kabashi ka deklaruar edhe dy vetura. Njëra prej tyre e markës “Audi Q7”, me vlerë 17 mijë euro dhe tjetra “Mercedes A 170”, me vlerë 3 mijë euro. Për veturën e dytë Kabashi ka deklaruar se është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Po ashtu, Kabashi ka deklaruar në AKK se është aksionar në dy shoqëri komerciale. Kapitali i tij nga “Global” shpk është 359 mijë e 896 euro kurse sa i përket kompanisë “Iliria 2”, Kabashi ka thënë se atij duhet t’i paguhen 167 mijë euro, si pjesë borxhit për aksionet e përbashkëta deri më 2014.

Sa i përket parave të gatshme, Lulzim Kabashi ka deklaruar se mban 15 mijë euro në gjashtë banka të ndryshme në Kosovë.

Vetëm brenda një viti, Kabashi ka thënë se merr pagë mujore në vlerë 36 mijë euro, nga dy burime. Ai ka deklaruar se merr 24 mijë euro në vit nga “Iliria 2” shpk dhe 12 mijë euro nga dividenta e mbetur nga biznesi “Global” shpk.

Ai më tej ka shtuar se emërimi i tij si këshilltar i jashtëm i kryeministrit Haradinaj nuk paraqet ndonjë implikim buxhetor nga buxheti i Kosovës.

“Emërimi im si Këshilltar i jashtëm Politik i kryeministrit nuk paraqet asnjë implikim buxhetor nga buxheti i Republikës së Kosovës, sepse nuk paguhem dhe nuk gëzoj ndonjë benificion tjetër monetar apo material”, thuhet tek të dhënat e tjera në formularin e Kabashit për deklarimin e pasurisë për vitin 2019.

Kabashi ka deklaruar edhe të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij si mësuese në shkollën “Avdyl Frashëri” në Prizren, në vlerë 5 mijë euro.