Pasuria e zv/Kryeministrit Dardan Gashi

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Diasporës, Dardan Gashi në deklarimin e pasurisë për vitin 2018 në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar si pasuri të paluajtshme dy shtëpi, njëra me 200 metra katror e tjera me 260 metra katror.

Sipas formularit të deklarimit, shtëpia që është ne emër të tij kap vlerën e 230 mijë eurove, të cilën e ka blerë me 30 për qind me para të gatshme e të tjerat me kredi. Ndërsa, shtëpi tjetër e deklaruar është në emër të prindërve me vlerë prej 300 mijë eurove.

Ministri i Diasporës ka deklaruar edhe një veturë si pasuri të luajtshme në vlerë prej 18 mijë euro.

Gashi në emër të bashkëshortes ka deklaruar edhe aksione 100 për qind në shoqërinë komerciale “Echo”, por vlera e kapitalit është zero euro.

Para të gatshme nga familja Gashi janë të deklaruar në AKK 11 mijë e 500 euro. Në emrin vet, Dardan Gashi ka deklaruar se ka 8 mijë e 700 euro në një bankë ndërsa në një tjetër 300 euro. Në krahasim me vitin e kaluar, ai kishte deklaruar vetëm 4 mijë e 500 euro.

Në llogaritë e fëmijëve ai ka deklaruar 1 mijë euro ndërsa në emër të bashkëshortes, 1 mijë euro në një Bankë dhe 500 euro në një Bankë tjetër.

Ai ka deklaruar një kredi në kohëzgjatje prej 17 viteve të cilën e ka marrë për blerjen e shtëpisë, e që vlera e saj arrin shifrën e 91 mijë e 776 euro.

Paga prej zv. Kryeministrit e Dardan Gashit për një vit arrin në 28 mijë e 424 euro, ndërsa ai nga mëditjet ka marrë edhe 1 mijë e 268 euro e 99 cent.

Të hyrat për një vit të bashkëshortes së tij janë 6 mijë e 600 euro. Ndërsa, si të hyra të fëmijëve, ai ka deklaruar për një vit 18 mijë euro.