Pas intervistimit nga Specialja, Rrustem Mustafa, i dënuar për krime lufte, emërohet këshilltar i Hashim Thaçit

Pas kthimit nga Haga, ku ishte ftuar për t’u intervistuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, Rrustem Mustafa është emëruar këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi.

Paraprakisht Mustafa kishte humbur mandatin kur shkoi në vuajtje të dënimit prej 4 vitesh të shpallur nga gjykatat vendore.

Më 14 shkurt 2019, Rrustem Mustafa, i njohur ndryshe si Remi është emëruar këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Mustafa nuk është përgjigjur se nëse është emëruar si këshilltar i Presidentit.

“Çfarë pyetje është kjo?”, tha Mustafa para se ta mbyllte telefonin.

Me 13 janar të këtij viti, Rrustem Mustafa kishte udhëtuar në Hagë me ftesë të Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar.

“Unë po shkoj në cilësinë e të intervistuarit, normalisht jam dëshmitar i dyshuar”, kishte deklaruar Mustafa para udhëtimit për në Hagë.

Përveç si këshilltar i presidentit, ai mban edhe postin e anëtarit të kryesisë së PDK-së.

Si këshilltar i Presidentit, ai ka deklaruar edhe pasurinë.

Mustafa ka deklaruar se posedon një objekt banimi prej 1 mijë e 600 metrave katror me vlerë prej gjysmë milioni euro.

Ai ka deklaruar se në 2008 ka blerë edhe 3 ari tokë me vlerë prek 9 mijë euro.

Mustafa thotë se ka pasuri të përbashkët edhe 10 hektarë tokë të trashëguar, por që e ka vlerësuar me zero euro.

Mustafa ka deklaruar se posedon edhe një veturë të blerë në vitin 2016 me vlerë prej 20 mijë euro.

Para të gatshme në bankat e Kosovës Remi posedon 10 mijë e 450 euro. Ndërsa 16 mijë euro posedon bashkëshortja e tij.

Ndërsa fëmijët e tij posedojnë në banka 63 mijë euro.

Paga vjetore e Mustafës në Presidencë kap vlerën e 18 mijë euro.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së Rrustem Mustafës.