Diskriminimi në Telekom: Me grada e pozita të njëjta, marrin paga të ndryshme

Në raportin e auditimit për vitin 2018 të Telekomit të Kosovës është konstatuar se 61 pozita ku punëtorët nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.

Në Ligjin e punës thuhet se “Punëdhënësi duhet t’i paguajë femrave dhe meshkujve kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së njëjtë, kompensim i cili mbulon pagën bazë dhe shtesat e tjera”.

Sipas përgjigjes së kompanisë arsyet për rastet e identifikuara kur punonjësit me pozita të njëjta paguhen me grada të ndryshme janë: kualifikimi shkollor dhe përvoja, dallimi në mes punës në departamente, ndryshime me vendime gjyqësore, i punësuar përmes konkursit publik me gradë përkatëse.

Mirëpo sipas Auditorit, këto nuk janë kritere që i ka paraparë ligji apo ndonjë rregullore e brendshme e Kompanisë dhe punonjësi duhet të paguhet për detyrën që kryen dhe përgjegjësitë që ka.

Në raportin e auditimit thuhet se pagesa e punonjësve për pozita të njëjta me grada të ndryshme rrit rrezikun e pakënaqësisë së punonjësve të cilët edhe mund të ngritin padi eventuale ndaj kompanisë për mos trajtim të barabartë.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë që përmes akteve të brendshme të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë që punonjësit në pozitat e njëjta paguhen me grada të ndryshme”, thuhet në rrekomandimin e Auditorit për vitin 2018.

Në raportin e auditimit për vitin 2018, thuhet se në Telekomin e Kosovës janë angazhuar 178 persona pa konkurs publik gjatë vitit 2018.

Po ashtu, në raport është evidentuar se Telekomi i Kosovës ka angazhuar 65 të punësuar për punë dhe detyra specifike duke mos respektuar afatin e përcaktuar me ligj.