Zhavorri mbi shtratin e lumit Mirusha (gusht 2016) | Foto: KALLXO.com

Shpenzimi i dyshimtë i 1.7 milion eurove në projektin e kanalizimit

Në projektin për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha në Komunën e Gjilanit, Auditori ka gjetur se ka pasur ndryshime mes punëve që janë kontraktuar dhe atyre që janë realizuar në terren.

Në raportin e auditimit për vitin 2018 thuhet se këto ndryshime janë bërë si rezultat i kërkesës së banorëve dhe të cilat ndryshime që nuk janë aprovuar nga Kuvendi Komunal në pajtueshmëri me procedurat.

Si rezultat i vendimit të Kuvendit Komunal punët e shtratit dhe kanalizimit ishin të kontraktuara në vlerë 1,818,730 euro ndërsa janë ekzekutuar 538,189 euro apo 70% më pak, punët e mbulimit në kanalizim ishin të kontraktuara 389,088 euro ndërsa janë realizuar 1,208,033 euro apo 210% me shumë.

Kjo e gjetur ka ardhur si rezultat i kontrollimit të pesë pagesave të realizuara nga Komuna e Gjilanit në vlerë prej 89,948 euro.

Auditori ka thënë se Kryesuesja e Kuvendit është vet caktuar si menaxhere kontratës për rregullimin e shtratit të lumit Mirusha derisa emërimin e menaxherit të projektit e cakton ZKA.

Ndryshimi i projektit apo kontratës së shpërblyer fillestare ndryshohet dhe përgatitet nga ana e Departamentit të Prokurimit si dhe merret aprovimi nga ZKA për ndryshim.

Gjithashtu, zyrtari përgjegjës i caktuar nga ZKA duhet të ketë parasysh se me ndryshimin e kontratës së punëve të projektit të cilat nuk ishin paraparë në kontratën fillestare, vlera e punës së pjesës së ndryshuar nuk duhet të jetë më e madhe se 10% e vlerës së kontratës fillestare.

Në raportin e auditimit thuhet se mangësitë në menaxhimin e kontratave zvogëlojnë sigurinë që kontratat janë duke u realizuar në përputhje me kushtet dhe specifikat e kontratës.  Poashtu, Auditori ka shtuar se mos respektimi i kritereve të vendosura në dosjen e tenderit mund të rezultojë me trajtim jo të barabartë të ofertuesve, pagesa të parregullta dhe vlerë të ulët për para.

“Kryetari duhet të sigurojë respektimin konsistentë dhe efektiv të rregullave të prokurimit, në lidhje me menaxhimin e kontratave. Gjithashtu edhe kuvendi duhet të veproje në bazë të kompetencave me qëllim të respektimit të rregullave dhe mos tejkalimit të kompetencave”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.