Ilustrimi: Trembelat

Kosova keqësohet në shkencë

15 vjeçarët kosovarë kanë performuar më keq në shkencë se sa kishin performuar në vitin 2015.

KALLXO.com sot publikoi raportin e rezultateve të Programit Ndërkombëtar të Vlerësimit të Nxënëve(PISA) ku morën pjesë 79 vende, përfshirë Kosovën.

Kosova për herë të parë kishte marrë pjesë në testin PISA në vitin 2015, ndërsa në vitin 2018 për herën e dytë.

Por edhe pas 3 vitesh, Kosova nuk shënoi ndonjë rritje, madje pati edhe ngecje në shkencë në krahasim me herën e parë.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Këtë mesatare nuk e arriti asnjëherë Kosova.

Nxënësit e Kosovës në vitin 2015 në shkencë kishin mesataren 378, kurse këtë vit ka shënuar rënie në 365, kështu duke shënuar ulje në -13.6 pikë të nivelit të mesatares.

Në raportin e PISA-së të siguruar nga KALLXO.com po ashtu thuhet se në shkencë përqindja e studentëve që janë nën nivelin 2 u rrit për 9 përqind.

Detaji tjetër që vërehet në raportin e PISA-s për njohuritë e shkencës së nxënësve të Kosovës është se nxënësit me performancë më të lartë kanë shënuar rënie të pikëve në krahasim me vitin 2015 për -24.4 pikë.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, ku marrin pjesë 35 shtete nga e gjithë bota, përfshirë vendet më të zhvilluara të Evropës.

Ky program synon testimin e aftësive në shkencë, matematikë dhe lexim të nxënësve 15 vjeçarë të të gjitha vendeve pjesëmarrëse sipas një standardi të përcaktuar nga ekspertët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Gjatë leximit të raportit mund të gjenden raste të vlerësimit me pikë dhe me përqindje. Ndërkaq, ekzistojnë 6 nivele të vlerësimit, ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.