800 milionë euro të hyra nga Dogana në 20 vjetorin e themelimit

Dogana e Kosovës ka arritur një rekord të ri në mbledhjen e të hyrave. Në 20 vjetorin e themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të grumbullojë për herë të parë mbi 800 milionë euro në javën e dytë të shtatorit.

“Pra kjo paraqet një të arritur të madhe si dhe një lajm të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Krahasimi me vitin paraprak tregon se trendi i të hyrave është në rritje. Në të njëjtën periudhë, Dogana kishte grumbulluar rreth 773 milionë euro derisa këtë vit, në po të njëjtën periudhë ka arritur të mbledh mbi 804 milionë euro. Kjo paraqet rritje prej 31 milionë euro apo 4% më shumë të hyra.  

“Kjo rritje tregon edhe një herë përkushtim e Doganës në realizimin dhe mbushjen e buxhetit ashtu që Kosova të ketë fonde të mjaftueshme të cilat rikthehen tek qytetarët e Kosovës përmes investimeve në arsim, shëndetësi, siguri, infrastrukturë dhe shumë nevoja të tjera”, vazhdon njoftimi i Doganës.

Poashtu, Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim.

Foto: Dogana e Kosovës