Komuna e Ferizajt me shkelje të shumta nëpër tenderë

Komuna e Ferizajt është ndër institucionet që në 2018 ka marrë më së shumti rekomandime nga Auditori për të adresuar lëshimet e shkeljet në këtë komunë.

25 rekomandime ka marrë kjo komunë nga Zyra Kombëtare e Auditimit në vitin 2018, që krahasuar me vitin 2017 kur i kishte pranuar 17 rekomandime kemi një rritje për 7 sosh. Rekordi i kësaj komune sa i përket numrit të rekomandimeve ishte shënuar në vitin 2016m, kur kishte pranuar 29 rekomandime ng auditori i jashtëm.

Prej 17 rekomandimeve të vitit 2014, vetëm 1 prej tyre është adresuar gjatë vitit 2015, 8 nuk janë adresuar dhe 8 kanë qenë në proces të adresimit.

Kurse, 6 rekomandime të vitit 2015 janë adresuar nga Komuna e Ferizajt në vitin 2016, 6 prej tyre kanë qenë në proces në kohën kur është finalizuar raporti i auditimit, si dhe 8 prej tyre kanë mbetur të pa adresuara.

Prej 29 rekomandimeve të vitit 2016, në vitin 2017 kanë mbetur të pa adresuara 24 prej tyre, ndërsa vetëm 5 janë adresuar nga Komuna e Ferizajt.

Pra numri më i madh i rekomandimeve të pa zbatuara nga Komuna e Ferizajt ka qenë në vitin 2017, ku nga viti 2016 nuk janë zbatuar 24 rekomandime nga 29 sa kanë qenë gjithsej.

Përformanc të mirë sa i përket zbatimit të rekomandimeve nuk kishte as gjatë vitit të kaluar. Prej 17 rekomandimeve të Auditorit në adresë të Komunës së Ferizajt, deri në fund të auditimit për vitin 2018, kjo Komunë ka zbatuar vetëm 4 rekomandime, 5 rekomandime nuk i ka zbatuar, 5 rekomandime të pazbatuara i janë mbyllur kurse 3 rekomandime i ka pasur në proces të zbatimit.

Fusha e prokurimit është një prej fushave në të cilën Auditori ka gjetur më së shumti parregullsi në vitin 2018. Vetëm në prokurim publik kjo Komunë ka marrë 11 rekomandime në vitin 2018 për 11 dobësi e shkelje të identifikuara në këtë fushë.

Përderisa nga viti 2014 deri në vitin 2017, Auditori ka gjetur parregullsi te pagesat dhe kontratat në asfaltimin e rrugëve e mirëmbajtjen e tyre, në vitin 2018 kjo Komunë ka marrë rekomandime gati për të gjitha fazat e prokurimit.

 

Komuna e Ferizajt ka pasur probleme sistematike në grumbullimin e qirasë dhe menaxhimin e dobët të hapësirave publike ndër vite. Por ndryshe nga vitet 2014, 2015, 2016 kur Komuna e Ferizajt  ka pasur probleme me inkasimin e qirasë për parkingjet që janë marrë në shfrytëzim nga shoqatat e dala nga lufta, në vitin 2018, qiramarrësit janë vonuar për të shlyer obligimet që i kanë pasur ndaj Komunës së Ferizajt.

Rekrutimi i stafit vazhdon të mbetet sfidë në Komunën e Ferizajt edhe në vitin 2018. Në vitet 2014, 2016 dhe 2017, Auditori kishte theksuar parregullsi në pranimin e stafit pa konkurs publik dhe vonesa në evidentim në listën e pagave.

Ndërsa në raportin e vitit 2018, Auditori ka evidentuar parregullsi në angazhimin e stafit me marrëveshje për shërbim të veçanta. Në raportin e auditimit është prezantuar mos përputhja mes të dhënave të shpalosura nga Komuna e Ferizajt dhe thesari sa i përket punëtorëve të angazhuar me kontrata mbi vepër.

Çështja e subvencioneve dhe transfereve në Komunën e Ferizajt është trajtuar nga Auditori në vitin 2014, 2015 dhe 2016. Kurse në vitin 2017 nuk ka pasur asnjë rekomandim në lidhje me këtë çështje, duke potencuar se Komuna e Ferizajt ka menaxhuar subvencionet dhe transferet në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. Por problemi me subvencione dhe transfereve në Komunën e Ferizajt është rikthyer përsëri në vitin 2018.

Në dy vitet e fundit (2017 dhe 2018), Komuna e Ferizajt ka marrë Opinion të kualifikuar me theksim të çështjes ndërsa në vitet 2014, 2015 dhe 2016, kjo Komunë nga Auditori ka marrë Opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes.

 

Tenderomania

Prokurimi është një prej fushave në të cilat Auditori ka gjetur shkelje sistematike ndër vite në Komunën e Ferizajt. Vetëm në vitin 2018 janë dhënë rekomandime gati për të gjitha fazat e prokurimit. Parregullsitë janë evidentuar që nga anashkalimi i procedurave të prokurimit, nënshkrimi i parregullt i kontratës, tenderimet jashtë planit të prokurimit, ku janë zhvilluar 30 procedura jashtë këtij plani, specifikimet jo të qarta me rastin e inicimit të tenderit, nënshkrimi i kontratave duke e tejkaluar vlerën e parashikuar të buxhetit dhe probleme të tjera.

Komuna kishte hyrë në marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzimin e shërbimeve për përkrahje mediale në vlerë 600 euro për muaj me kohëzgjatje prej 24 muajsh, pa zhvilluar procedura të prokurimit. Marrëveshja ishte nënshkruar nga drejtori i Financave duke tejkaluar kompetencat për nënshkrim të kontratës sipas Ligjit për prokurim publik. Ky ligj thotë se zyrtari përgjegjës i prokurimit i një autoriteti kontraktues është i vetmi person i autorizuar që të lidh ose të nënshkruajë një kontratë publike në emër të autoritetit të tillë kontraktues.

Sipas Auditorit, për shkak të kontrolleve jo funksionale nuk ishte ndaluar certifikimi i kësaj pagese edhe pse ishte tejkaluar kompetenca për të lidhur marrëveshje dhe ishin anashkaluar procedura e prokurimit me këtë rast.

Gjithashtu, Komuna përmes një operatori ekonomik ishte furnizuar me material administrativ për shkolla sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, me të cilin është lejuar që vetëm një kompani, të bëj botimin e këtij dokumentacioni.

Komuna nuk kishte vepruar në përputhje me rregulloren për shpenzimin e parasë publike pasi ky shpenzim nuk përjashtohet nga prokurimi dhe ekzekutimi i pagesave kërkon të bashkëngjitet kontrata ku do të specifikoheshin çmimet e furnizimit sipas kërkesave të Ligjit të prokurimit publik për lidhjen e kontratës. Shkak ishte vendimi i MASHT i cili lejonte vetëm një kompani për botimin e dokumentacionit pedagogjik për shkolla për vitin 2017/2018.

“Kryetari të sigurohet se zbatohet ligjshmëria për aplikimin e tenderimit të shpenzimet që kërkojnë prokurim dhe monitoroj procesin e certifikimit të pagesave. Gjithashtu, të sigurohet se nënshkrimin i marrëveshjeve apo kontratave për blerjen e shërbimeve, mallrave, bëhet nga personat përgjegjës/ menaxheri i prokurimit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2018.

Parregullsia tjetër që është evidentuar nga Auditori në raportin e vitit 2018 për Komunën e Ferizajt është tenderimi jashtë planit të prokurimit dhe pa njoftimin paraprak në Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP). Komuna kishte zhvilluar jashtë planit të prokurimit procedurat e tenderimit për “Sistemin e referimit për menaxhimin e radhës për shërbimin të gjendjes civile”.

Bazuar në LPP kërkohet që në planin vjetor të prokurimit të përfshihen të gjitha procedurat që autoriteti kontraktues planifikon të tenderoj gjatë vitit fiskal. Gjithashtu, Komuna nuk e kishte bërë njoftimin në AQP me LPP. Kjo ka ndodhur për shkak të planifikimit jo të duhur të kërkesave dhe nevojave për blerje.

Bazuar në raportin për realizimin e planit të prokurimit dhe kontratave të nënshkruara, të ofruar nga Zyra e Prokurimit, gjatë vitit 2018 janë realizuar 30 procedura të cilat nuk kanë qenë në planifikimin e prokurimit. Shkak për zhvillimin e këtyre proceduarve sipas Komunës janë obligimet nga marrëveshjet e bashkëfinancim me nivelin qendror dhe nevojat e pa parashikuar të komunës.

“Kryetari duhet të sigurojë se kontrollet janë funksionale për planifikimin me kohë të nevojave për blerjen e mallrave dhe shërbimeve nga të gjitha njësitë kërkuese dhe të njëjtat të përfshihen në planin e prokurimit që përgatitet nga zyra e prokurimit. Atëherë kur paraqiten nevoja për blerje jashtë planit duhet të vendosen mekanizma për njoftim paraprak të organeve relevante sipas kërkesave ligjore”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Problemi tjetër i radhitur në raportin e auditimit është përshtatja e specifikimeve teknike për kompani të caktuara. Bëhet fjalë për tenderin për “Furnizimi me toner” (ngjyrë për printer) me çmim 3,157 euro. Hartimi i specifikimeve nuk është bërë në harmoni me Ligjin për Prokurim Publik, i cili kërkon që Autoriteti kontraktues do t’i përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe të drejtuara drejt sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik dhe tenderuesit.

Sipas Auditorit, brenda specifikimeve teknike ka pozicione të paqarta dhe jo të specifikuara mirë/saktë, në mënyrë që të gjithë operatorët ekonomik të jenë në gjendje të kuptojnë së për çfarë tonerë bëhet fjalë. Në raport thuhet se nga 75 artikuj respektivisht lloje të tonerëve, 67 prej tyre në ofertën financiare kishin çmimin 0.10 euro për njësi. Gjatë ekzekutimit të kësaj kontrate një shkollë ishte furnizuar me artikuj jashtë kontratës, për të cilin nuk është specifikuar apo përcaktuar çmimi në ofertën financiare të kontraktuar. Ndërsa në të njëjtin rast furnizimi me toner ML-1640 për printer Samsung i cili ishte specifikuar në kontratë dhe kishte çmim prej 0,10 euro, Komuna ka paguar 20 euro për copë apo 80 euro për furnizimin me 4 copë sipas faturës.

Komisioni i pranimit dëshmon se janë pranuar mallrat sipas fletë dërgesave (të nënshkruar nga tre anëtarë), mirëpo gjatë ekzaminimit fizik në bashkëpunim edhe me zyrtarët komunal, tonerët që janë evidentuar në faturë nuk janë pranuar në tërësi, por janë pranuar zëvendësim apo tonerë tjerë për shkak se të njëjtit nuk ishin paraparë në ofertën fituese. Si rezultat i mungesës së theksuar të kompetencës profesionale komuna nuk ka siguruar një listë të printerëve dhe fotokopjeve të cilat i disponon. Mosfunksionim efikas i kontrollit te zyra e prokurimit, ka sjell deri te publikimi i dosjes së tenderit me pozicione të paqarta apo të pa saktësuar të cilat reflektoje edhe furnizime me artikuj të pa kontraktuar.

“Kryetari të sigurohet se zyrtarët kompetent nga njësitë kërkuese hartojnë specifikime teknike të qarta dhe të kompletuara bazuar në nevojat reale për prokurim. Gjithashtu, zyra e prokurimi të forcoj kontrollet duke u siguruar paraprakisht se kërkesat janë të plota dhe në dosjen e tenderit përfshihen pozicione të qartësuara saktë”, theksohet në raportin e auditimit.

Gjetja tjetër e Auditorit në Komunën e Ferizajt sa i përket prokurimit është edhe mungesa e planit për menaxhimin e kontratave. Komuna nuk kishte vendosur kontrolle të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave siç kërkohet me Ligjin e Prokurimit Publik që menaxheret e caktuar të kontratës të hartojnë planin për menaxhim të kontratave. Në gjashtë raste, plani për menaxhimin e kontratës nuk ishte hartuar.

“Kryetari duhet të sigurojë se është ndërmarrë një rishikim rreth dobësive të identifikuara, si dhe të analizojë pse nuk është aplikuar mbikëqyrja efektive e menaxhimit të kontratave. Duhet të sigurohet se kontrollet e vendosura, menaxheret e kontratave përgatisin dhe rishikojnë planin e kontratave sipas kërkesave ligjore”, vazhdon rekomandimi i Auditorit.

Po ashtu, Komuna e Ferizajt ka nënshkruar aneks të parregullt të kontratës kornizë dhe ka bërë pagesa për punë të dyfishuara për rrugë të njëjta. Në raportin e përpiluar për Auditorin thuhet që në disa rrugë është intervenuar në pranverën e vitit 2016, mandej në të njëjtat është intervenuar edhe gjatë fushatës zgjedhore lokale të vitit 2017.

Për projektin “Shtruarja e rrugëve me zhavorr dhe hapja e rrugëve të reja”, kontratë publike kornizë e nënshkruar më 25 shtator 2013 dhe me afat deri më 24 shtator 2015, me vlerën e paraparë të kontratës 99,990 euro, Komuna kishte vazhduar punimet edhe pas përfundimit të afatit të kontratës. Kjo duke u thirrur në aneks kontratën me vazhdim të afatit deri 25 tetor 2016, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.

Vlera e punëve të kryera prej 646,372 euro (edhe për 2017) tejkalon edhe 30% e vlerës së kontratës kornizë. Sipas Auditorit, kjo nuk është e lejuar pasi LPP parasheh që mospërputhja e lejuar nuk mund të jetë më e lartë se plus/minus 30%.

“Nëse urdhër blerjet e tejkalojnë këtë kufizim kontrata duhet të ndërpritet automatikisht”, ka theksuar Auditori.

Bazuar në situacionin e III-të dhe listën e rrugëve që janë mirëmbajtur, Auditori ka identifikuar se ka përsëritje të emrit të rrugëve duke bërë dyfishim të punës së kryer. Për 16 rrugët e dyfishuara sasia e zhavorrit arrinte 1,761 metra kub ose vlerën prej 20,252 euro.

Raporti i pranimit të punimeve në shumë prej 496,371 euro, i nënshkruar nga menaxheri i projektit, i takonte datës 11 tetor 2016, ndërkaq fatura ishte pranuar pas një viti, më 20 nëntor 2017. Në raportin e përpiluar për Ekipin e auditimit nga mbikëqyrësi i projektit thuhet që në këto rrugë është intervenuar në pranverën e vitit 2016, mandej në të njëjtat është intervenuar edhe gjatë fushatës zgjedhore lokale të vitit 2017.

“Kryetari duhet t’i analizojë arsyet e dështimit të kontrolleve dhe të identifikojë faktorët që kanë shkaktuar problemet në realizimin e projekteve. Një ri dizajnim i kontrolleve efektive, në pajtueshmëri të plotë me ligjet dhe rregulloret, duhet të sigurohet dhe të monitorohet në mënyrë sistematike nga ana e menaxhmentit”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

Gjithashtu, Auditori ka gjetur se Komuna e Ferizajt ka nënshkruar 5 kontrata duke e tejkaluar vlerën e parashikuar të buxhetit. Shuma për të cilën është tejkaluar buxheti në këto pesë kontrata në total është 875,242 euro. Në kontratën e parë është tejkaluar për 11,995 euro, në të dytën për 532,078 euro, në kontratën e tretë për 60 mijë, në projektin e katërt Komuna e Ferizajt ka tejkaluar buxhetin për 239,129 euro dhe në kontratën e fundit për 32,040 euro.

Sipas Ligjit të prokurimit publik, kërkohet që Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit i cili nuk do të rezultojë në dhënie të kontratës vetëm për njërën nga arsyet, nëse të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për dhënien aktivitetin e prokurimit.

Te projekti “Ndërtimi i garazheve, depos dhe hapësirave të punës në Shtëpinë për Komunitete për persona me Aftësi të Kufizuar Mendore”, vlera e parashikuar dhe e buxhetuar ishte 21,305 euro ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë 33,300 euro.

Te projekti i dytë, “Rregullimi dhe zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik- kontratë kornizë”, vlera e parashikuar sipas njoftimit për kontratë ishte 108 mijë euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë 34,224 euro në muaj, për 36 muaj në shumë prej 1,232,078 euro. Sipas Ligjit të buxhetit ishin të planifikuara vetëm 700 mijë euro.

Te projekti tjetër ku është tejkaluar buxheti i planifikuar është “Hartimi i projektit Bashkimi i Qytetit”. Kontrata është paraparë të arrijë vlerën 85 mijë euro derisa në buxhet janë paraparë 25 mijë euro për vitin 2018.

“Asfaltimi i rrugëve në fshatin Neredime e Epërme”, me kontratë tri vjeçare është paraparë të arrijë vlerën 369,129 euro kurse në buxhet janë paraparë 130,000 euro.

Mjete të pamjaftueshme me buxhet kishin edhe projektet e bashkëfinancimit me nivelin qendror. Për projektin “Riparimi i kanalizimit dhe rrugës “Halil Alidemaj” në vlerë prej 154,813 euro, bashkëfinancim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas Memorandumit të mirëkuptimit, Ministria do të financonte me 77,670 euro ndërsa Komuna e Ferizajt me 77,143 euro. Komuna kishte nënshkruar kontratë në vlerë 188,547 euro, e cila tejkalon shumën e paraparë në memorandum për këtë projekt, derisa kishte ofruar deklaratën e nevojave dhe disponushmerisë së fondeve me vlerë të parashikuar prej 32,040 euro.

“Kryetari duhet të forcoj kontrollet duke siguruar që para inicimit të procedurave të prokurimit çdo projekt kapital të ketë fonde të mjaftueshme për realizim, dhe para nënshkrimit të kontratës të rikonfimohet se mjetet janë në dispozicion”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Telashet në inkasimin e qirasë

Komuna e Ferizajt ka pasur probleme sistematike në grumbullimin e qirasë dhe menaxhimin e dobët të hapësirave publike ndër vite. Njëjtë si në katër vitet e kaluara, edhe në vitin 2018, Komuna e ka pasur vonesa në arkëtimin e qirasë.

Por ndryshe nga vitet 2014, 2015, 2016 kur Komuna e Ferizajt  ka pasur probleme me inkasimin e qirasë për parkingjet që janë marrë në shfrytëzim nga shoqatat e dala nga lufta, në vitin 2018, qiramarrësit janë vonuar për të shlyer obligimet që i kanë pasur ndaj Komunës së Ferizajt.

Sipas kontratave të nënshkruara nga ana e komunës si qiradhënës për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës, qiraja mujore duhet të paguhet më së largu deri në ditën e 5-të muajit rrjedhës.

Në katër raste nga pesë sa janë audituar, kishte vonesa në shlyerjen e obligime të qiramarrësve ndaj Komunës, në tre prej tyre Komuna nuk kishte ndërmarr asnjë hap për arkëtimin e këtyre të hyrave.

Shuma totale e borxhit që këta qiramarrës kishin ndaj komunës ishte 20,108 euro.

“Kryetari të siguroj një menaxhim efektiv të kontratave të qiradhënies dhe të vendos mekanizma efikas për realizimin e të hyrave në pajtim me kushtet e kontraktuara, përkatësisht zbatimin e afateve për faturimin dhe arkëtimin e mjeteve nga qiraja”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

Përveç problemit të inkasimit të qirasë, në vitin 2018 Auditori ka gjetur se Komuna e Ferizajt ka bërë menaxhim të dobët të hapësirave publike të dhëna në shfrytëzim.

Bazuar në rregulloren e të hyrave vetjake të Komunës së Ferizajt, ngarkesa për dhënien me qira të pronës komunale të hapur (pa objekte), për destinim jobujqësor, është mujore dhe përcaktohet në lartësi të ndryshme, varësisht nga zona e ndodhjes së pronës.

Me rastin e verifikimit në teren të hapësirave komunale/publike të dhëna në shfrytëzim të përkohshëm në sheshin kryesor të qytetit (së bashku me zyrtaret komunalë), nga 10 rastet e ekzaminuara ka rezultuar se dy prej tyre kanë qenë duke operuar me kontratë të skaduar, kurse një pa kontratë.

Sipërfaqja e kontraktuar për shfrytëzim ishte me e vogël se sipërfaqja faktike me një diferencë prej 183 metra katrorë. Sipas Auditorit, kjo ka ndikuar në nënvlerësim të obligimit të shfrytëzuesve dhe pamundësim të arkëtimit të të hyrave në llogari të Komunës në shumë prej 732 euro në muaj, varësisht nga kohëzgjatja dhe sipërfaqja e shfrytëzimit të hapësirave publike.

“Kryetari duhet të siguroj një koordinim më të mirë të punëve në mes të Drejtorisë së Urbanizmit, Zhvillimit Ekonomik dhe Inspektoratit me qëllim të hartimit të një plan konkret për menaxhimi të pronave komunale. Të insistoj në marrjen e masave për moszbatim të kontratave apo harmonizimin e kontratave me gjendjen faktike të shfrytëzimit të hapësirave publike nga bizneset, në mënyrë që të eliminohen dobësitë e identifikuara dhe të rritet efikasiteti në menaxhimin e pronave komunale”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

Një problem tjetër të cilin Auditori e ka evidentuar në raportin e vitit 2018 është shfrytëzimi i pronës komunale me kontrata të skaduara apo me kontrata që nuk janë në përputhje me ligjin.

Sipas Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, përcaktohen të drejtat dhe obligimet e organeve të Komunës në menaxhimin e pronës së paluajtshme të Komunës, në raport me personat fizik dhe juridik, institucionet qendrore dhe AKP-në.

Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë bëhet përmes procedurave të ankandit publik të cilat rregullohen me akt nënligjor.

Nga pesë rastet e audituara, në dy raste nuk ishte zbatuar kërkesa ligjore për zhvillimin e ankandit publik. Në njërin rast kontrata edhe pse kishe skaduar më 1 maj 2016, Komuna kishte vazhduar të faturonte në bazë të kësaj kontrate. Kjo ka rezultuar me diferencë prej 15,100 euro/për muaj, për shkak se çmimit i faturuar ishte 900 euro sipas kontratës së skaduar.

“Ndërsa nëse Komuna do të vepronte në bazë të rregullores komunale, neni 11 për Ngarkesat për dhënien e pronës komunale me qira të hyrat e qirasë për një muaj do të ishin 16 mijë euro”, thuhet në raportin e auditimit.

Në rastin e dytë, kontrata ishte lidhur më 1 tetor 2014 duke mos aplikuar formën e ankandit në kundërshtim me procedurat e kërkuara nga ligji, me kohëzgjatje deri në zhvillimin e procedurave të ankandit publik. Sipas Auditorit, sot e asaj dite për pronën në fjalë nuk është hapur ankand.

Më 23 korrik 2018, Komuna kishte nënshkruar aneks kontratë në kundërshtim me ligjin. Komuna nuk ka zhvilluar një sistem të brendshëm formal për menaxhimin e pronave komunale që ofrohen për shfrytëzim, monitorimin e kontratave sa i përket respektimit të kushteve dhe afateve kontraktuale.

“Kryetari duhet të sigurohet se prona publike e destinuar për tu dhënë në shfrytëzim bëhet përmes procedurës së ankandit publik. Gjithashtu, duhet të ndërmerren masa që kontratat ekzistuese me afat të skaduar të ndërpriten duke kërkuar paraprakisht shlyerjen e të gjitha obligimeve kontraktuale nga qiramarrësit”, vazhdon rekomandimi i Auditorit.

Problemet sa i përket qirasë janë shfaqur edhe në një dimension tjetër në vitin 2018. Komuna e Ferizajt nuk e kishte llogaritur çmimin e qirasë siç ishte e përcaktuar nga Rregullorja e të hyrave vetjake që është aplikuar në vitin 2018.

Sipas kësaj rregullore çmimi i përllogaritur për muaj për këtë objekt që gjendet në zonën e II-të do të ishte 1,800 euro. Ndërsa qiraja e këtij objekti është llogaritur sipas kontratës së nënshkruar në vitin 2014, ku shuma e llogaritur mujore për 600 metra katrorë ishte 1,200 euro.

Nënvlerësimi i të hyrave të komunës/obligimit të qiramarrësit në këtë rast për vitin 2018 është 7,200 euro. Kjo ka ndodhur te rasti kur Komuna kishte dhënë në shfrytëzim të përkohshëm/me qira një pjesë të pronës e cila gjendet te rreth rrotullimi i rrugëve D. Islami dhe rruga e Reçakut.

“Kryetari duhet të kërkojë nga sektorët përgjegjës ti rishikojnë të gjitha kontratat në mënyrë që ndryshimet në rregulloren komunale të të hyrave vetjake të reflektojnë në ngarkesat e qirasë”, vazhdon rekomandimi i Auditorit.

Numri i madh i kontratave mbi vepër

Rekrutimi i stafit vazhdon të mbetet sfidë në Komunën e Ferizajt edhe në vitin 2018. Në vitet 2014, 2016 dhe 2017, Auditori kishte theksuar parregullsi në pranimin e stafit pa konkurs publik dhe vonesa në evidentim në listën e pagave.

Komuna e Ferizajt në vitin 2017 ka punësuar 40 mësimdhënës në arsim, pa procedura të rekrutimit (pa shpallje publike), duke anashkaluar plotësisht kërkesat ligjore. Punësimi i tyre ishte bërë me vendim të kryetarit, i cili ishte bazuar në rekomandimin e drejtorit të Arsimit.

Ndërsa në raportin e vitit 2018, Auditori ka evidentuar parregullsi në angazhimin e stafit me marrëveshje për shërbim të veçanta. Në raportin e auditimit është prezantuar mos përputhja mes të dhënave të shpalosura nga Komuna e Ferizajt dhe thesari sa i përket punëtorëve të angazhuar me kontrata mbi vepër.

Komuna e Ferizajt kishte shpalosur 188 punëtorë të angazhuar me kontrata mbi vepër. Ndërsa nga Zyra e Personelit me kërkesën e Auditorit janë prezantuar raportet/dëshmitë se vetëm 53 punëtorë kanë qenë të angazhuar me kontrata mbi vepër. Kurse bazuar në të dhënat e Thesarit (regjistri i furnitorëve), Auditori ka thënë se Komuna ka paguar 246 punëtorë për shërbime intelektuale dhe shërbime kontraktuese tjera, në vlerë prej 292,247 euro.

Sipas Rregullës për shpenzimin e parasë publike, organizata buxhetore duhet të plotësoj një formular në të cilin specifikohet që është zbatuar testi i marrëdhënies së punës dhe që individi nuk është në marrëdhënie pune dhe pagesa është blerje e shërbimeve për organizatën buxhetore.

Në gjashtë raste të audituara, Auditori ka gjetur se ky test nuk është zbatuar me rastin e angazhimi.

Gjithashtu, Auditori ka identifikuar se angazhimi me marrëveshje për shërbime të veçanta kryesisht është bërë në programet e përhershme të punës si ofiqarë, inspektorë, zyrtarë të lartë, regjistrues, anketues etj.

“Kryetari duhet t’i rishikojë nevojat reale për angazhim të punëtorëve me kontrata për shërbime të veçanta. Nevoja për staf shtesë për pozitat e karrierës duhet të analizohet dhe nëse rritja e numrit të stafit është e domosdoshme, kjo të inkorporohet edhe në planifikimet buxhetore. Barrierat eventuale lidhur me rritjen e stafit, duhet të diskutohen edhe me Ministrinë e Financave dhe akterët tjerë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Rikthimi i problemit me subvencione dhe transfere

Çështja e subvencioneve dhe transfereve në Komunën e Ferizajt është trajtuar nga Auditori në vitin 2014, 2015 dhe 2016. Kurse në vitin 2017 nuk ka pasur asnjë rekomandim në lidhje me këtë çështje, duke potencuar se Komuna e Ferizajt ka menaxhuar subvencionet dhe transferet në pajtueshmëri me kërkesat ligjore.

Por problemi me subvencione dhe transfereve në Komunën e Ferizajt është rikthyer përsëri në vitin 2018. Në vitet 2014, 2015, 2016, janë evidentuar parregullsi të ndryshme si, pagesa nga kodi i gabuar, dobësitë në ndarjen e subvencioneve dhe mungesa e monitorimit të subvencioneve nga Komuna. Ndryshe nga vitet e kaluara, në vitin 2018, Auditori ka gjetur se Komuna e Ferizajt ka pasur vonesa në liferim të mallit të blerë.

Komuna përmes prokurimit kishte tenderuar sera, lopë dhe koshere bletësh për t’iu shpërndarë si subvencione përfituesve. Në kontratë te kushtet e dërgesës ishte përcaktuar edhe data e fundit për furnizim por nuk ishte respektuar nga Komuna.

Te projekti “Furnizim i fermerëve me pesë sera me sipërfaqe prej 300 metra katrorë dhe sistem të ujitjes”, data e liferimit të mallit ishte caktuar më 18 maj ndërkaq shpërndarja është bërë me 6 korrik, gati 20 ditë me vonesë.

Edhe te projekti “Furnizim i fermerëve me lopë të racës së kombinuar mish qumësht”, shpërndarja është dashur të bëhet më së largu me 2 dhjetor ndërsa është realizuar me 22 dhjetor, 20 ditë me vonesë. Sipas zyrtarëve komunal shkak i vonesave ishin kërkesat e banorëve.

“Kryetari duhet të sigurojë që kontrollet e vendosura për menaxhim të kontratave janë funksionale dhe obligimet kontraktuale realizohen brenda afatit kohor”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2018.