Dështon seanca gjyqësore për vrajsen e Kujtim Mehollit

Seanca e shqyrtimit gjyqësor e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Mitrovicës kundër tre të akuzuarve për vrasjen të rëndë ka dështuar të mbahet, në mungesë të të akuzuarve.

Liburn e Rejhan Ajazaj si dhe Qëndrim Xhakolli akuzohen se në gusht të vitit 2017, në Vushtrri në shëtitoren “ Enver Zymeri“ afër lumit Sitnica, duke vepruar së bashku dhe me marrëveshje paraprake mes tyre, me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Arsye për mos mbajtjen e kësaj seance ishte mossjellja e tre të akuzuarve nga qendra e paraburgimit.

Kryetari i trupit gjykues Tomislav Petroviq ka njoftuar palët të cilat ishin prezente në gjykatë se, iu kishte dërguar shkres administratës së burgut për sjelljen e të akuzuarve, mirëpo ata sot nuk ishin të pranishëm në gjykatë.

Trupi gjykues i përbërë nga Tomislav Petroviq kryetar dhe Sabit Rama e Radoslav Markoviq anëtaër ka thënë se do ta njoftoj Ministrin e Drejtësisë dhe kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës për këtë.

Ndërsa gjykata do t’i dërgoj ftesë administratës së qendrës së paraburgimit në Lipjan për sjelljen e të akuzuarve në seancën e radhës .

Trupi gjykues ka konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 30 nëntor në objektin e gjykatës Themelore të Mitrovicës në veri.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Liburn Ajazajn, Rejhan Ajazajn dhe Qëndrim Xhakollin se  në gusht të vitit 2017, në Vushtrri, në shëtitoren “ Enver Zymeri“ afër lumit Sitnica, duke vepruar së  bashku dhe me marrëveshje paraprake mes tyre, me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Sipas akuzës, kjo vrasje ishte bërë në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Tutje në aktakuzë thuhet se fillimisht e pandehura Rejhan, sipas planit që  kishte bërë me të pandehurin, Liburn Ajazaj, e kishte ftuar tani të ndjerin, Kujtim Meholli me telefon duke e joshur kinse për një takim dashurie.

Më pas i ndjeri, Kujtim Meholli kishte shkuar me biçikletën e tij për ta takuar të pandehurën Rejhan Ajazaj, derisa të pandehurit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin qenë duke e përcjellë të ndjerin.

Derisa i ndjeri, Kujtim Meholli dhe e pandehura Rejhan Ajazaj kishin qenë duke ecur, dy të pandehurit e tjerë Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin dalë herë përpara dhe herë prapa Kujtimit dhe derisa i pandehuri Liburn Ajazaj kishte qenë prapa tyre ka filluar ta fyente tani të ndjerin.

Më pas i ndjeri iu kishte drejtuar të pandehurit Liburn Ajazaj që të merreshin vesh me fjalë por i njëjti kishte filluar që me pajser (shufër metalike) ta godasë në ballë, goditje nga të cilat ai ka humbur vetëdijen dhe kishte rënë përtokë, ndërsa i pandehuri Liburn Ajazaj prapë kishte vazhduar ta godas prapa në kokë të ndjerin, gjithashtu edhe Qëndrim Xhakolli e kishte goditur disa herë të ndjerin, thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas goditjes me pajser, Liburn Ajazaj i kishte kërkuar të pandehurit Qëndrim Xhakolli që t’i heqë lidhëset e atleteve që i kishte pasur i ndjeri, ku me të njëjtat ia kishte lidhur duart nga prapa të ndjerit, ndërsa me lidhësen tjetër e kishte shtrënguar tre herë rreth fytit, duke i shkaktuar ngufatje – asfiksi, duke e lënë ashtu të lidhur në një vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tre të akuzuarit më pas kishin shkuar në shtëpinë familjare të të pandehurit Qëndrim Xhakolli, kurse rreth orës 3 të mëngjesit dy të pandehurit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli kishin shkuar përsëri te lumi Sitnica dhe të ndjerin Kujtim Meholli ashtu të lidhur e kanë hedhur në lumë, bashkë me pajserin (shufrën metalike).

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” .

Liburn Ajazaj po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”.