Gjykimi për vrasjen në Vushtrri - Foto: KALLXO.com

E akuzuara tregon detaje nga momenti i vrasjes mizore që tronditi Vushtrrinë

Në gjykimin për vrasjen mizore të Kujtim Mehollit, e cila kishte ndodhur në gusht të vitit 2017 në Vushtrri, në Gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar marrja në pyetje e të akuzuarës Rejhan Ajazaj.

Përveç Rejhan Ajazajt, në këtë rast po gjykohen edhe Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli.

Të akuzuarit Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli janë motër e vëlla. Ndërsa, i akuzuari Liburn Ajazaj është bashkëshorti i Rejhan Ajazajt.

Në seancën e sotme, e akuzuara Rejhan Ajazaj tregoi se para se të martohej me Liburn Ajazajn kishte qenë në lidhje dashurie me tashmë viktimën – Kujtim Mehollin.

“Unë isha në lidhje me Kujtim Mehollin 8 muaj para se me njoftë Liburn Ajazajn dhe lidhja me të nuk ka vazhduar gjatë martesës sime”, tha ajo.

“Kur e ka kuptuar Liburn Ajazaj  që unë kam qenë në lidhje me Kujtim Mehollin nuk u pajtu me këtë fakt dhe unë i kam thënë se nëse do – ndahemi”, deklaroi e akuzuara Rejhan Ajazaj.

“Ndërsa vëllai im Qëndrim Xhakolli nuk ka ditur asgjë për lidhjen time me Kujtim Mehollin”, tha ajo.

Tutje ajo shtoi se Liburn Ajazaj e kishte përdorur numrin e saj dhe sa ishte në Gjermani rreth një muaj kishte komunikuar me Kujtim Mehollin.

Ajo foli edhe për mënyrën e kontaktit dhe caktimin e takimit te lumi Sitnica.

“Liburn Ajazaj ka shkru me Kujtim Mehollin, vetëm kur ka ardhë puna me folë, me ma dëgju zanin, më ka detyru me folë unë me Kujtim Mehollin në telefon dhe m’i thanë hajde këtu”, tha ajo duke aluduar në sheshin në afërsi të lumit Sitnicë.

“Unë bashkë me Liburn Ajazajn  e kemi pritur Qëndrim Xhakollin, mandej jemi nisur për në Sitnicë. Para se të vinte Kujtim Meholli, Liburn Ajazaj  më ka thënë se edhe nëse të përqafon Kujtimi s’ka lidhje, mos u tut, unë jam mbrapa juve”, deklaroi ajo.

“Kur jemi taku me Kujtim Mehollin u afru Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, janë kacafytur më fjalë. Kujtim Meholli u ka thënë: Kjo k*** e juve i ka fajet’”, tha Rejhan Ajazaj.

Rrëfimi i Shkëlqimit se si e gjeti vëllain e vrarë

Ajo tha se nuk e di kush e ka sulmuar i pari tashmë të ndjerin Kujtim Meholli.

“Nuk e di kush e ka sulmuar i pari sepse jam largu 10 metra, nuk kam guxuar me ikë se më ka kërcënuar Liburni duke më thënë nuk guxon me ikë, as me bërtitë, as me ardhë me m’nda, as me lajmëru dikë në telefon”, tha ajo.

“Aty Kujtimi ka kërkuar ndihmë duke thënë ndihmë, më ndihmoni, ai mendojke se po e dëgjon dikush”, tha e akuzuara.

“Kujtim Meholli është goditur me pendrek nga Liburn Ajazaj, i cili  e kishte vendosur në çantën time pa e ditur unë”, shtoi ajo.

“Liburn Ajazaj e ka lidhë Kujtim Mehollin  nga mbrapa me lidhëset e patikave që ia ka hequr atij. Pak para se me ia heqë lidhëset, Liburn Ajazaj  i ka thënë Qëndrim Xhakollit: Hajde se koka gjallë. Unë e kam kapur Qëndrimin për dore dhe i kam thënë se s’ki nevojë me shku”, deklaroi e akuzuara Rejhan Ajazaj.

“Përleshja ka zgjatur gjysmë ore por mua më është dukur sikur dy orë”, deklaroi ajo.

“Qëndrim Xhakolli  nuk u konë mirë se ka konsumuar edhe alkool dhe marihuanë. Aty i ka rënë të fikët Qëndrimit edhe ka vjellë, mandej erdh Liburn Ajazaj  dhe u nisëm me shku në shpi”, vazhdoi ajo rrëfimin.

Ajo tha se janë nisur në shtëpi pa guxuar ta shikojë se në çfarë gjendje kishte mbetur Kujtim Meholli.

“Kur kemi shkuar në shtëpi, Liburn Ajazaj i ka pasur krejt rrobat me gjak, i kam bërë tri kafe por unë s’e kam pirë dhe Liburni ka kërkuar rroba të pastra”, shpjegoi ajo.

“Pasi i ka ndërruar rrobat, Liburni ka thënë që po dal po e kryej një punë që më ka mbetë në gjysmë dhe kur u kthye në shtëpi më tha se Kujtim Mehollin e gjuajta në ujë”, vazhdoi rrëfimin Rejhan Ajazaj.

Prokurorja e rastit, Zejnije Kela, e ballafaqoi të akuzuarën me deklaratat e dhëna në Polici dhe i lexoi transkriptet e mesazheve ndërmjet të akuzuarës Rejhan Ajazaj dhe vëllait të saj, të akuzuarit Qëndrim Xhakolli, se më 04.08.2017 kishin komunikuar lidhur me lidhjen e saj me Kujtimin.

“A don me m’shti n’burg e mos me m’lanë m’i çelë sytë kurrë a? Është hera e dytë kjo. Je e martume e po lyp hala në kafiqa”, shkruhej në një SMS.

Rejhan Ajazaj deklaroi se më Qëndrimin – vëllanë e saj  kishte biseduar vetëm një herë për Kujtim Mehollin ndërsa rasti i dytë kishte qenë “për dikë tjetër”.

Seanca e radhës në të cilën do të merret në pyetje i akuzuari Qëndrim Xhakolli do të mbahet më 18 nëntor.

Sipas Prokurorisë, më 06.08.2017 rreth orës 00:50, në shëtitoren afër lumit Sitnica, në Vushtrri, të akuzuarit  me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, vrasja kishte ndodhur në atë mënyrë që e akuzuara Rejhan Ajazaj, e cila ishte në lidhje me Kujtim Mehollin, sipas marrëveshjes paraprake me të akuzuarit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli e kishte ftuar të dilte në takim te shëtitorja afër lumit Sitnica në Vushtrri.

Sipas Prokurorisë, i ndjeri Kujtim Meholli kishte shkuar në vendtakim me biçikletë dhe pasi ishte takuar me të akuzuarën Rejhan Ajazaj, ishin përqafuar, ndërsa Liburn Ajazaj  i cili ishte mbrapa tyre kishte filluar ta shajë dhe e kishte goditur të ndjerin në ballë.

Aktakuza thotë se Kujtim Meholli ishte rrëzuar dhe kishte humbur vetëdijen përderisa Liburn Ajazaj kishte vazhduar ta godiste në kokë me shkop dhe më pas me lidhëset e atleteve të Kujtim Xhakollit atij ia kishin lidhur duart nga mbrapa dhe me lidhësen tjetër e kishin shtrënguar 3 herë në fyt duke i shkaktuar ngufatje ndërsa së bashku me Qëndrim Xhakollin, të lidhur e kishin hedhur në lumin Sitnica.