Apeli dyfishon dënimet për vrasjen e Kujtim Mehollit në Vushtrri

Gjykata e Apelit ka ashpërsuar dënimin për Liburn Ajazin, Rejhan Ajazin dhe Qëndrim Xhikollin të akuzuar për vrasjen e rëndë të Kujtim Mehollit më 6 gusht 2017.

Më 23 dhjetor 2019, Gjykata në Mitrovicë shqiptoi dënim prej 28 vitesh burgim ndaj 3 të akuzuarve për vrasjen e Mehollit në shetitoren “Enver Zymberi” afër lumit Sitnica në Vushtrri.

Apeli e ashpërsoi dënimin për të akuzuarin Liburn Ajazaj nga 18 vjet burgim në 22 vjet burgim për veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa vëllait dhe motrës Rejhan Ajazi dhe Qëndrim Xhekollit iu ashpërsoi dënimet nga 5 në 15 vjet secilit për veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas Prokurorisë, më 06.08.2017 rreth orës 00:50, në shëtitoren afër lumit “Sitnica’’ në Vushtrri, të akuzuarit me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, vrasja kishte ndodhur në atë mënyrë që e akuzuara Rejhan Ajazaj e cila ishte në lidhje me Kujtim Mehollin, sipas marrëveshjes paraprake me të akuzuarit Liburn dhe Qëndrim e kishte ftuar të dilte në takim te shetitorja afër lumit ‘’Sitnica’’ në Vushtrri.

Sipas prokurorisë i ndjeri Kujtim Meholli kishte shkuar në vendtakim me biçikletë dhe pasi ishte takuar me të akuzuarën Rejhan Ajazaj, ishin përqafuar, ndërsa Liburn Ajazaj i cili ishte mbrapa tyre kishte filluar ta shajë dhe e kishte goditur të ndjerin në ballë.

Aktakuza thotë se Kujtim Meholli ishte rrëzuar dhe kishte humbur vetëdijen përderisa Liburn Ajazaj kishte vazhduar ta godiste në kokë me shkop dhe më pas me lidhëset e atleteve të Kujtimi Mehollit atij ia kishin lidhur duart nga mbrapa dhe me lidhësen tjetër e kishin shtrënguar 3 herë në fyt duke i shkaktuar ngufatje ndërsa së bashku me Qëndrimin Xhakollin, të lidhur e kishin hedhur në lumin “Sitnica”.