Foto: Kallxo.com

Lot e alivanosje në gjykatë, 28 vjet burg për vrasjen në Vushtrri

Me lot, alivanosje dhe dhimbje është përcjellë seanca në gjykatën e Mitrovicës në të cilën tre të akuzuar për vrasjen e Kujtim Mehollit morën 28 vjet burg.

Vrasja e cila kishte tronditur Vushtrrinë në vitin 2017 ndërsa Liburn Ajazaj, i akuzuari kryesor, është dënuar me 18 vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Ai ka marrë edhe një gjobë 300 euro për armëmbajtje pa leje- një ‘pajser’ me të cilin, sipas aktakuzës, e kishte goditur tashmë të ndjerin Kujtim Meholli.

Në këtë dënim të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kurse dy të akuzuarit tjerë në këtë rast Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli janë dënuar me nga 5 vjet burgim.

Rejhan Ajazaj, gruaja e Liburn Ajazajt, dhe Qëndrim Xhakolli, vëllai i Rejhan Ajazajt, janë akuzuar nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkryerje me të akuzuarin Liburin Ajazaj i cili u dënua me 18 vjet burg.

Por për ta, trupi gjykues ka rikualifikuar veprën në “ndihmë në kryerjen  e veprës penale të vrasjes së rëndë”, me çka edhe janë dënuar me nga 5 vjet burg.

Ndërsa lidhur me shpenzimet procedurale të akuzuarit duhet të paguajn 800 euro, përkatësisht Liburn Ajazaj 400 euro, ndërsa e akuzuara Rejhan Ajazaj e Qëndrim Xhakolli nga 200 euro.

Kurse në kontest civil është udhëzuar familja e të dëmtuari.

Foto: Kallxo.com

Shpallja e aktgjykimit u bë nga trupi gjykues me kryetar Tomislav Petroviq dhe anëtarë Sabit Rama e Radoslav Markoviq.

Nëna e dy të akuzuarve Qëndrim dhe Rejhan Ajazaj e priti me përkeqësim të shëndetit shpalljen e këtij aktgjykimi.

Pas shpalljes së aktgjykimit, përderisa policët po e lironin sallën, asaj i ra të fikët dhe për këtë u desh të thirrej ndihma e shpejtë.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Liburn Ajazajn, Rejhan Ajazajn dhe Qëndrim Xhakollin se  në gusht të vitit 2017, në Vushtrri, në shëtitoren “ Enver Zymberi“ afër lumit Sitnica, duke vepruar së  bashku dhe me marrëveshje paraprake mes tyre, me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Sipas akuzës, kjo vrasje ishte bërë në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Tutje në aktakuzë thuhet se fillimisht e pandehura Rejhan, sipas planit që  kishte bërë me të pandehurin, Liburn Ajazaj, e kishte ftuar tani të ndjerin, Kujtim Meholli me telefon duke e joshur kinse për një takim dashurie.Më pas i ndjeri, Kujtim Meholli kishte shkuar me biçikletën e tij për ta takuar të pandehurën Rejhan Ajazaj, derisa të  pandehurit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin qenë duke e përcjellë të ndjerin.

Derisa i ndjeri, Kujtim Meholli dhe e pandehura Rejhan Ajazaj kishin qenë duke ecur, dy të pandehurit e tjerë Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin dalë herë përpara dhe herë prapa Kujtimit dhe derisa i pandehuri Liburn Ajazaj kishte qenë prapa tyre ka filluar ta fyente tani të ndjerin.

Më pas i ndjeri iu kishte drejtuar të pandehurit Liburn Ajazaj që të merreshin vesh me fjalë por i njëjti kishte filluar që me pajser (shufër metalike) ta godasë në ballë, goditje nga të cilat ai ka humbur vetëdijen dhe kishte rënë përtokë, ndërsa i pandehuri Liburn Ajazaj prapë kishte vazhduar ta godas prapa në kokë të ndjerin, gjithashtu edhe Qëndrim Xhakolli e kishte goditur disa herë të ndjerin, thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas goditjes me pajser, Liburn Ajazaj i kishte kërkuar të pandehurit Qëndrim Xhakolli që t’i heqë lidhëset e atleteve që i kishte pasur i ndjeri, ku me të njëjtat ia kishte lidhur duart nga prapa të ndjerit, ndërsa me lidhësen tjetër e kishte shtrënguar tre herë rreth fytit, duke i shkaktuar ngufatje – asfiksi, duke e lënë ashtu të lidhur në një vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tre të akuzuarit më pas kishin shkuar në shtëpinë familjare të të pandehurit Qëndrim Xhakolli, kurse rreth orës 3 të mëngjesit dy të pandehurit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli kishin shkuar përsëri te lumi Sitnica dhe të ndjerin Kujtim Meholli ashtu të lidhur e kanë hedhur në lumë, bashkë me pajserin (shufrën metalike).

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” .

Liburn Ajazaj po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”.

Kurse për Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli trupi gjykues ka rikualifikuar veprën penale nga jo e vrasjës së rëndë në bashkëkryerje në veprën penale “ ndihme në kryerjen e veprës penale “, me çka edhe u dënua me nga 5 vjet burgim secili.