Gjykimi për vrasje - Foto: KALLXO.com

Gjykata dënon me gjobë avokatin për mosprani në gjykimin për vrasjen në Vushtrri

Gjyqtari i rastit të vrasjes së Kujtim Mehollit, rast që ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar në Vushtrri, për çka akuzohen Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, e ka dënuar me gjobë avokatin Musa Damati.

Sipas vendimit të gjyqtarit Tomisllav Petroviq, avokati Damati u dënua me 250 euro gjobë.

Ky vendim erdhi për shkak të mosprenzencës së avokatit të të akuzuarës Rejhan Ajazaj, i cili nuk erdhi edhe pas pritjes prej 30 minutave siç kishte kërkuar ai vetë.

Mosprezenca e tij në gjykatore ishte shkaku që seanca e sotme të shtyhej për një datë të pacaktuar.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Liburn Ajazajn, Rejhan Ajazajn dhe Qëndrim Xhakollin se në gusht të vitit 2017, në Vushtrri, në shëtitoren “Enver Zymberi“, afër lumit Sitnica, duke vepruar së bashku dhe me marrëveshje paraprake mes tyre, me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Sipas akuzës, kjo vrasje ishte bërë në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Tutje në aktakuzë thuhet se fillimisht e pandehura Rejhan, sipas planit që  kishte bërë me të pandehurin, Liburn Ajazaj, e kishte ftuar tani të ndjerin, Kujtim Meholli, me telefon duke e joshur kinse për një takim dashurie.

Më pas i ndjeri, Kujtim Meholli kishte shkuar me biçikletën e tij për ta takuar të pandehurën Rejhan Ajazaj, derisa të pandehurit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin qenë duke e përcjellë të ndjerin.

Derisa i ndjeri, Kujtim Meholli dhe e pandehura Rejhan Ajazaj kishin qenë duke ecur, dy të pandehurit e tjerë Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin dalë herë përpara dhe herë prapa Kujtimit dhe derisa i pandehuri Liburn Ajazaj kishte qenë prapa tyre ka filluar ta fyente tani të ndjerin.

Më pas i ndjeri iu kishte drejtuar të pandehurit Liburn Ajazaj që të merreshin vesh me fjalë por i njëjti kishte filluar që me pajser (shufër metalike) ta godasë në ballë, goditje nga të cilat ai ka humbur vetëdijen dhe kishte rënë përtokë, ndërsa i pandehuri Liburn Ajazaj prapë kishte vazhduar ta godas prapa në kokë të ndjerin, gjithashtu edhe Qëndrim Xhakolli e kishte goditur disa herë të ndjerin, thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas goditjes me pajser, Liburn Ajazaj i kishte kërkuar të pandehurit Qëndrim Xhakolli që t’i heqë lidhëset e atleteve që i kishte pasur i ndjeri, ku me të njëjtat ia kishte lidhur duart nga prapa të ndjerit, ndërsa me lidhësen tjetër e kishte shtrënguar tre herë rreth fytit, duke i shkaktuar ngufatje – asfiksi, duke e lënë ashtu të lidhur në një vend.

https://kallxo.com/aktakuza-pershkruan-vrasjen-ne-menyre-mizore-ne-vushtrri/

Gjithnjë sipas aktakuzës, tre të akuzuarit më pas kishin shkuar në shtëpinë familjare të të pandehurit Qëndrim Xhakolli, kurse rreth orës 3 të mëngjesit dy të pandehurit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli kishin shkuar përsëri te lumi Sitnica dhe të ndjerin Kujtim Meholli ashtu të lidhur e kanë hedhur në lumë, bashkë me pajserin (shufrën metalike).

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” .

Liburn Ajazaj po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”.

Në anën e tjetër në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në korrik të këtij viti të akuzuarit Rejhan dhe Liburn Ajazi e kishin pranuar fajësinë lidhur me veprën për të cilën akuzoheshin nga Prokuroria.

Por ky pranim nuk ishte aprovuar nga gjyqtari Petroviq, i cili lidhur me arsyetimin e refuzimit të pranimit të fajësisë ka thënë se ekzistojnë lidhja objektive dhe subjektive se tre të pandehurit e kanë kryer veprën penale.

Ndërsa, sot u kuptua se familja e të akuzuarit Qëndrim Xhakolli kishte angazhuar avokatin Skender Musa për ta mbrojtur të familjarin e tyre, duke refuzuar kështu mbrojtjen nga avokati Berat Peci, i caktuar përmes Odës së Avokatëve.

Por për këtë nuk ishte njoftuar më herët Gjykata, andaj kryetari i trupit gjykues Tomislav Petroviq njoftoi palët se pasi që nuk u prit derisa të vijë avokati Musa Damati, nuk do ta presin as avokatin Skender Musa për të cilin nëna e të pandehurit Qëndrim Xhakolli njoftoi se do të vijë në orën 10:30.

Petroviq gjithashtu tha se nuk kishte shkresa të lëndës andaj do t’i duhej kohë për t’u përgatitur.