Dëshmitari: Në Makinën e Policisë Dëgjohej Kënga “Oj Drenicë, Drenicë”

Në gjykimin kundër 11 policëve kosovarë të akuzuar për keqtrajtmin e shoqëruesve të ish-ministrit serb për Kosovën Aleksandar Vulin dëshmoi të premten i dëmtuari Bojan Mihajlloviq. Ai edhe pse deklaroi se nuk di shqip, tha se në makinën e policisë dëgjohej kënga “Oj Drenicë, Drenicë”.

Në këtë seancë pati një debat tejet të ashpër mes prokurorit të EULEX-it dhe avokatit Xhafer Maliqi. Sidomos prokurori ngriti shumë lart zërin duke bërë me gisht drejt avokatit.

Gjyqtari Vladimir Micula u desh të ulë gjakrat, duke ua bërë me dije të dyve se janë profesionistë.

Të premten dëshminë e tij e dha i dëmtuari Bojan Mihajlloviq që së pari u mor në pyetje nga avokati Bajram Maraj që në këtë proces mbron Naim Durmishin, njërin nga policët e akuzuar.

Maraj kërkoi të dijë nga dëshmitari dhe i dëmtuari nëse vazhdon ta mbrojë qëndrimin se gjatë transportimit drejt stacionit të policisë me makinë zyrtare të forcave të rendit, policët kanë lëshuar muzikë.

Dëshmitari u përgjigj me “Po”, ndërsa avokati tha se furgonët e policisë nuk kanë radio për lëshimin e muzikës.

Për muzikën në mjetin transportues të policisë u interesua edhe avokati Xhafer Maliqi.

Ai e pyeti dėshmitarin se nga e kishte kuptuar qė muzika ishte nė gjuhėn shqipe, pasi që kishte deklaruar se nuk e kuptonte këtë gjuhë.

“E kam kuptuar se ishte në gjuhën shqipe, sepse në tekstin e këngës thuhej  ‘Oj Drenicë, Drenicë’, u pėrgjigj dėshmitari.

Avokati Maraj vazhdoi edhe me pyetje tjera. E pyeti dëshmitarin se pse ai në qendrën e mbajtjes në polici kishte thënë se policët e kanë njoftuar me të drejtat e veta, ndërsa para prokurorit të EULEX-it Danilo Ceccareli kishte mohuar këtë gjë.

Dëshmitari e deklaroi edhe njëherë atë që e kishte thënë para prokurorit: “Jo ata nuk më kanë njoftuar për asgjë”.

Dëshmitari pranoi se e ka nënshkruar deklaratën e dhënë në polici, por tha se nuk e dinte çfarë përmbante ajo.

Avokati Maraj e pyeti nëse të njëjtën deklaratë e ka nënshkruar edhe avokati i tij.

“Nuk e di, nuk më kujtohet se a e ka nënshkruar edhe avokati, e me sa di ka pasur përkthyes” , u përgjigj dëshmitari.

Ai në deklaratën e dhënë para gjyqtarit për kundërvajtje kishte thënë se “Policët kishin qenë super korrektë me ne”, ndërsa tash deklaronte ndryshe. Maraj e pyeti cila ishte e vërteta.

“Jam frikësuar se do të na rrahin edhe më shumë“, u pėrgjigj dėshmitari.

Shoqëruesit e Vulinit pas ndalimit nga policia më 7 janar të vitit të kaluar kur ish-ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë po vizitonte Graçanicën, pasi shkuan në Leposaviq u kthyen për kontrollim mjekësor në spitalin e veriut të Mitrovicës.

Avokati Maraj e pyeti dëshmitarin Mihajlloviq pse ai dhe kolegët e tij nuk u trajtuan në Shtëpinë e Shëndetit të Leposaviqit.

“Po ka shtëpi shëndeti nė Leposaviq, po ata nuk kanë kapacitet e nevojshme sikur i ka spitali në Mitrovicėn Veriore”, tha dëshmitari.

Avokati gjithashtu pyeti nëse të arrestuarit nga Policia e Kosovës kishin mbajtur atëherë një konferencë për gazetarë në veri të Mitrovicës. Dëshmitari u përgjigj me “po”.

Avokati mė pas e pyeti  të dëmtuarin se a kishte qenë i pranishëm në atë konferencë edhe Krstimir Pantiqi, ish-kryetari i pjesës veriore të Mitrovicës, i vënë në këtë pozitë nga strukturat paralele.

“Nuk e di a ka qenë “, tha dëshmitari.

Mihajlloviq u pyet më pas nga avokati për veshjen e tij dhe shoqëruesve tjerë të Vulinit. Ai tha se kishte të veshur gjinse dhe xhaketë të zezë, ndërsa mohoi se kjo ishte uniformë, por tha se kështu serbët vishen për liturgji.

Maraj pastaj insistoi të dijë se si janë identifikuar dhe arrestuar vetëm ata atë ditë, nëse nuk kanë pasur veshje të njëjtë. Dëshmitari u përgjigj shkurt: “Nuk e di”.

Gjatë seanës ndërhyri edhe avokati Xhafer Maliqi, kur akuzoi avokatin e Mihajlloviqit se po e këshillon dëshmitarin se si të përgjigjet.

Mbrojtësi i Mihajlloviqit mohoi këshillimin, por më pas u tërhoq më në thellësi të sallës.

Në këtë proces gjyqësor për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ngarkohen Gani Konjuhi, Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Sevdaim Abdullahu, Nexhmedin Sahiti, Jeton Ramadani, Nexhat Shabani, Xhafer Hyseni, Visar Kerqeli, Zenel Salihu dhe Ilmi Rexhepi.

Seanca do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarit tjetër Branko Millojeviq.