Veton Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës. Foto: Facebook

Deputeti Egjiptian Kundër Rritjes së Pagave dhe Mëditjeve

Ditëve të fundit, mediat kanë raportuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të marrin paga dhe mëditje më të mëdha gjatë këtij viti, por Veton Berisha, kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) thotë se do të votojë kundër çdo rritjeje që mund të vijë si propozim në Kuvend.

Arsye për këtë ai e përmend pagat që edhe ashtu janë të larta për deputetët, në njërën anë, por edhe gjendjen e vështirë ekonomike të komunitetit që ai e përfaqëson, në anën tjetër.

“Mendoj dhe konsideroj se deputetët shpërblehen mjaftueshëm bile edhe e tejkaluar në krahasim me punën e disa prej neve që e bëjmë dhe atë duke u bazuar edhe në përkushtimin ton të sinqertë për ndryshimin e gjendjes ekonomike për qytetarët tonë”, tha deputeti Berisha në një deklaratë me shkrim.

“Aq më tepër unë kam arsye shumë më të madhe për të votuar kundër nga se përfaqësoj një komunitet i cili gjendja e tij ekonomike nuk është për t’u dëshiruar ku një pjesë e madhe e tyre ballafaqohet me mbijetesën dhe jeton nga asistenca sociale”, shtoi ai.

Sipas tij, rritja ekonomike në Kosovë do të duhej të reflektojë në rritje të gjendjes ekonomike të qytetarëve të Kosovës e “në asnjë mënyrë të deputetëve si përfaqësues të popullit”.