Aktiviteti i Organizatës Studentore "Reforma". FOTO: KALLXO.com

Organizata studentore me kritere për rektorin e ardhshëm të UP-së: Nuk duam rektor të pazareve

Organizata studentore “REFORMA”, ka mbajtur para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” një aktivitet simbolik pas zhvillimeve në UP dhe procesin e zgjedhjes së rektorit të ri.

Gjatë këtij aksionin pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta me mbishkrime si “Nuk duam rektor të pazareve”, “Jo rektor të politizuar”, “Cilësia nuk matet me pozita”, “Universitetet për studentë, jo studentët për universitetet”, të cilat më pas edhe u vendosën nëpër shkallët e Rektoratit.

Bleron Beka, nënkryetar i organizatës “REFORMA” tha para mediave se një aktivitet i tillë qëllim kryesor ka  përpjekjen për mbrojtjen të integritetit të Universitetit të Prishtinës.

Bleron Beka, nënkryetar i organizatës “REFORMA”. FOTO: KALLXO.com

“Ky aktivitet me qëllim parësor ka përpjekjen për mbrojtjen të integritetit të Universitetit të Prishtinës, universitetit tonë. Organizata ‘Reforma’ me shqetësim i sheh me ngjarjet e fundit në Universitetin e Prishtinës, duke i dhënë rëndësi të madhe dhe kryesore zgjedhjes së rektorit” – tha ai.

Beka përmendi edhe disa kritere për të cilat tha se kjo organizatë konsideron nuk duhet të bëhet kompromis kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e rektorit të ri të UP-së.

“Në tentim për të kontribuar në zgjedhjen e rektorit përmes këtij aksioni organizata jonë tenton të përçojë te Këshilli Drejtues disa kritere me të cilat konsiderojmë që në asnjë formë nuk duhet të bëhet kompromis. Nuk duam rektor që keqpërdorë paranë publike, rektor që i përket grupeve të interesit, me theks të veçantë partive politike, duam rektor që kontribuon në rritjen e cilësisë së universitetit, nuk duam rektor të pazareve” – shtoi mes tjerash Beka.

Naser Sahiti është shkarkuar nga pozita e rektorit të UP-së më 21 tetor 2022. Aktualisht ushtruese e detyrës së rektores është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi.

Në konkursin për rektor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë aplikuar gjashtë burra dhe asnjë grua.

Kandidatët që kanë aplikuar në konkursin për rektor janë: Ilir Tolaj, But Deda, Salih Salihu, Sefer Avdijaj, Ermir Rogova, Qerim Qerimi.

Aktiviteti i Organizatës Studentore “Reforma”. FOTO: KALLXO.com