Artan Nimani. FOTO: Facebook.

Rektori i Universitetit të Gjakovës komenton shkarkimin e tij

Këshilli Drejtues i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” në mbledhjen e sotme e ka shkarkuar rektorin Artan Nimani.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar rektorin Nimani.

Ai ka thënë se nuk e ka pranuar njoftimin për shkarkimin e tij.

“Jo nuk e kam pranuar… E patëm një takim ndonëse ishte ilegal, pa kuorum, edhe e kanë kryer mbledhjen, kanë dalë, nuk më kanë njoftuar, po presim nesër me siguri ma sjellin vendimin…” – tha Artan Nimani për KALLXO.com.

Rektori po pretendon se shkarkimi i tij është për arsye politike.

“Thjesht (arsye) politike sepse nuk ka pasur diçka tjetër. Që tri vite ne kemi qenë universiteti që kemi qenë ndër më transparentët, më i avancuari, më i ndërkombëtarizuari, me më së shumti qasje në fondet ndërkombëtare. S’ka pasur diçka tjetër. Nuk iu ka përshtatur emri i përveçëm, me siguri. Nuk e kam ndonjë ide. Ta shohim në arsyetim të vendimit çfarë po shkruajnë” – ka vijuar ai.

Sipas Nimanit, në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues kanë qenë të pranishëm katër anëtarë.

“Nuk e kam parë vendimin, unë e kam lëshuar mbledhjen sepse në statut thuhet që kur fillon mbledhja në Këshill duhet të jenë pesë anëtarë. Ata kanë qenë katër anëtarë ndonëse njëri ka qenë në konflikt interesi për shkak se kam një informacion për konflikt interesi. Po megjithatë i paralajmërova, edhe sekretarja edhe unë, që mbledhja nuk është legale, ata insistuan që mbledhja është legale…” – është shprehur Nimani.