Foto: Ilustrim

ZKA: Komuna e Prizrenit nisi 13 procedura të prokurimit pa fonde të mjaftueshme

Në 13 raste, Auditori ka gjetur se Komuna e Prizrenit gjatë vitit 2023 kishte iniciuar procedura të prokurimit pa fonde të mjaftueshme.

Raporti i Auditorit për vitin 2023 ka evidentuar se kjo dukuri ka ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit pa pasur zotim të mjeteve.

Sipas Auditorit, hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme, ndikon në rritjen e obligimeve të papaguara, apo implikime buxhetore për vitin aktual, si dhe ngarkesë për buxhetin e vitit vijues.

“Ligji nr. 03/L-221 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/l-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, neni 36, paragrafi 1 përcakton se “Para inicimit të një procesi të prokurimit i cili ka për qëllim të rezultojë në ngritjen e një obligimi në vitin fiskal, Organizata Buxhetore i regjistron të gjitha zotimet e fondeve të ndara në Sistemin Informativ për Menaxhimin Financiar në Kosovë në përputhje me rregullat” – thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA ka rekomanduar që kryetari duhet të forcojë kontrollet gjatë vlerësimit të projekteve, duke u siguruar që para inicimit të procedurave të prokurimit të ketë fonde të mjaftueshme për realizimin e projekteve. në çdo projekt kapital J

13 rastet që ka gjetur Auditori kanë të bëjë me projektet:

– Projekti ‘’Rehabilitimi dhe ndërtimi i rrugëve me asfalt” me vlerë të kontratës prej 3,470,000€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 50,000 euro;

– Projekti ‘’Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit dhe vendosja e ujëmatësve jashtë pronës private në fshatin Zhur’’ me vlerë të kontratës prej 2,497,919€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 50,000 euro;

– Projekti ‘’Rregullimi i ndriçimit publik në fshatin Lubizhdë të Hasit të Prizrenit’’ me vlerë të kontratës prej 444,887€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 14,307 euro;

– Projekti ‘’Shtresimi i rrugëve me asfalt në fshatin Hoqë’’ me vlerë të kontratës prej 248,980 euro, deri sa zotimi i mjeteve ishte 17,801 euro;

– Projekti ‘’Shtresimi i rrugëve me asfalt në fshatin Hoqë të Qytetit’’ me vlerë të kontratës prej 76,671€, deri sa zotimi i mjeteve nuk ishte bashkangjitur deklaratës së nevojave të disponueshmërisë;

– Projekti ‘’Rehabilitimi dhe rivitalizimi i hapësirave publike në zonën e parë të mbrojtur në pjesën e vjetër të qytetit, restaurimi shesheve dhe objekteve’’ me vlerë të kontratës sipas çmimit për njësi 3,360 (vlera e parashikuar 3,000,000) deri sa zotimi i mjeteve ishte 5,914 euri.

– LOT 2 ‘Furnizim me pelet për ngrohje për shkollat e Komunës së Prizrenit 2023/2024 me vlerë totale indikative të kontratës prej 354,042 euro, deri sa zotimi i mjeteve ishte 5,000euro;

– ‘Furnizim me zhavor për rrugët e paasfaltuara në Komunën e Prizrenit” me vlerë të kontratës prej 1,399,255€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 24,312euro;

– ‘Furnizim me lëndë djegëse dru ahu për ngrohje për familjet e dëshmorëve, familjet e invalidëve të luftës dhe familjet skamnore – rastet sociale të Komunës së Prizrenit’ me vlerë totale indikative të kontratës prej 184,161€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 24,000 euro;

– ‘Transporti i mësimdhënësve udhëtar në Komunën e Prizrenit’ me vlerë totale indikative të kontratës prej 266,335€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 10,000euro;

– Revista teatrore’’ me vlerë të parashikuar të kontratës prej 60,000€, deri sa zotimi i mjeteve ishte 19,425euro;

– ‘Hartimi i projekteve sipas nevojave të drejtorisë për Turizëm dhe zhvillim ekonomik’ me vlerë të kontratës totale indikative prej 59,950euro, deri sa zotimi i mjeteve ishte 1,000euro; dhe

– ‘Furnizim me material higjienik për nevojat e KPSH (projekt 2 vjeqar)’ me vlerë totale indikative të kontratës prej 139,935, deri sa zotimi i mjeteve ishte 15,000euro.

Me këtë gjetje të ZKA-së është pajtuar Komuna e Prizrenit.

Komuna e Prizrenit ka marrë opinion të pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Opinioni i pamodifikuar jepet kur Pasqyrat Financiare janë në përputhje të plotë me standardet.

Raporti i vitit 2023 ka rezultuar me 13 rekomandime, prej tyre 7 janë të reja, 5 të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të publikohet në raportin që do të publikohet në vitin 2025.

Auditori në raportin e vitit 2022 kishte dhënë 14 rekomandime për Komunën e Prizrenit. Deri në fund të auditimit për vitin 2023, 7 rekomandime janë zbatuar, pesë nuk janë adresuar ende ndërsa një në proces të zbatimit dhe një nuk është i aplikueshëm.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Prizrenit mund ta lexoni në këtë LINK.