Gjetjet e ZKA-së, pozitë e opozitë kritikojnë MASHT-in për dështimin e projektit mbi 5 milionë eurosh
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka diskutuar sot lidhur me raportin e auditimit të performancës “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”.
E ftuar për raportim ka qenë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila u përball me kritika nga deputetët e pozitës dhe opozitës lidhur me gjetjet e auditorit për këtë projekt, vlera e të cilit është mbi 5 milionë euro.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj- Sadiku, ka paraqitur para deputetëve raportin duke thënë se një gjetje e ZKA-së është se MASHT-i nuk ka siguruar infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e këtij projekti.
“MASHT-i nuk ka menaxhuar dhe monitoruar mirë projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar. Nuk ka përgatitur raport për realizimin e projektit”- ka thënë ajo. Sipas saj, është e papranueshme që të dështojë ky projekt.
“Është një marrëveshje ndërkombëtare që ka kaluar edhe në Kuvend. Si paguhen më shumë se 5 milionë euro dhe procesi dështon në të gjitha fazat? Si ka mundësi mos me qenë funksional. Këto janë taksa të qytetarëve. Ministre, në të ardhmen e ke paraparë që të bëhet edhe digjitalizimi i E-Shkolla, jemi në 2024, dhe me gjithë këto probleme të trashëguara, si do të adresohet kjo. Është e papranueshme që të hyjmë në borxhe e projekti të dështojë. A e keni dërguar lëndën në prokurori dhe a e keni adresuar?”- tha Tishukaj- Sadiku.
Kritika pati edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Ajo tha se për të është e paqartë se si paguhen 4.9 milionë euro pa pasur një raport të pranimit teknik.
“Edhe para raportit të auditimit ju e keni ditur gjendjen për këtë projekt. Projekti ka dështuar ndërsa nuk ka asnjë përgjegjësi si nga operatori ekonomik, si nga ai ndërkombëtar. Në raport të auditimit flitet se ministria ka dështuar të vendos menaxher të kontratës. Sipas informacioneve që posedoj është se askush nuk ka pranuar të qëndroj gjatë në pozita të tilla, ka pasë herë koordinator herë komisione. Si ka mundësi që të përfundohen të gjitha pagesat pa pasur nënshkrime të raporteve. Për mua është e paqartë se si paguhen 4.9 milionë euro pa pasur një raport të pranimit teknik”- tha Bajrami.
Teksa u përgjigj kritikave, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ky projekt është negociuar gjatë kohës kur ajo nuk ka qenë ministre.
Ajo ka thënë se pasi e ka marrë mandatin ka kërkuar që projekti të auditohet.
“Projekti është negociuar dhe ka filluar të implementohet në vitet 2013-2017. Bëhet fjalë për mbi 5 milionë euro për të cilat nuk kemi asnjë produkt. Projekti në fjalë nuk është funksionalizuar. Qëllimi i këtij projekti ka qenë për komponentin e mësimit elektronik edhe provimit të maturës. Me të marrë mandatin kam kërkuar që ky projekt fillimisht të auditohet. Përveç se projekti është filluar pa asnjë analizë, pa asnjë vlerësim, Ministria e Arsimit që në atë kohë e deri në marrjen e mandatit nuk ka pasur as zyrtar kompetent për këtë proces. Kur kam pranuar detyrën, në takimet që kam pasur jam informuar se është iniciuar një projekt i radhës në vlerë 5 milionë euro, por nuk kemi ndërmarrë një veprim të tillë, për vazhdimin e projektit”- shtoi ajo.
Ajo tha se çështja është adresuar më 26.04.2024 në prokurori në mënyrë që të shqyrtohet.
Gjetjet e auditorit për këtë projekt mund t’i gjeni në këtë LINK.