FOTO ILUSTRIM PROKURIMI
ZKA: Komuna e Fushë Kosovës përzgjodhi një kompani të papërgjegjshme në tenderin rreth 500 mijë euro për vendosjen e kamerave
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2023 Komuna e Fushë Kosovës ka zgjedhur një kompani të papërgjegjshme në tenderin në vlerë 498,369 euro për vendosjen e kamerave për ta rritur nivelin e sigurisë në Fushë Kosovë dhe në fshatra.
Në raportin e Auditorit, theksohet se në bazë të dosjes së tenderit të datës 13.04.2023 dhe njoftimit për informata shtesë ose korrigjim të gabimit të datës 14.04.2023, në kërkesën e përshtatshmërisë profesionale 7.1 & 7.2: operatori ekonomik duhet të ofrojë certifikatat si në vijim: a) ISO 9001:2015, b) ISO 14001:2015 , c) ISO 45001:2018.
Por siç thuhet në raport, Auditori ka vërejtur se operatori fitues në listën e certifikatave ISO të ofruara kishte siguruar vetëm ato të partnerit të dytë të konsorciumit, por jo edhe të partnerit të parë.
“Pra, lideri i Grupit të Operatorëve Ekonomik të shpërblyer me kontratë nuk i kishte bashkangjitur në dosjen e ofertës për këtë tender çertifikatat e ISO standardeve siç kërkohen në dosje të tenderit dhe në Rregulloren e KRPP- së Nr. 001/2022 të prokurimit Publik që thotë se të gjithë anëtarët e grupit duhet që t’i plotësojnë të gjitha kriteret e pajtueshmërisë profesionale” – thuhet në raportin e ZKA-së për vitin 2023.
Sipas Auditorit, këto mangësi kishin ndodhur si “pasojë e vlerësimit jokorrekt apo moskompetencës së komisioneve të vlerësimit, për t`i vlerësuar me kujdes ofertat dhe për t`i analizuar dëshmitë e ofruara në raport me kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit”.
“Po ashtu për raste të caktuara, mosaplikimi i qartë i specifikave që duhet t’i plotësojnë anëtarët e grupit duke përcaktuar dëshmitë që duhet të sillen nga secili anëtar i grupit së bashku me tenderin e tyre” – thuhet në raport tutje.
Si rrjedhojë, Auditori ka vlerësuar se kontraktimi i operatorit ekonomik pa i përmbushur kriteret e vendosura në dosjen e tenderit, eliminon mundësinë e një procesi të mirëfilltë të prokurimit, i cili mund të përjashtojë nga procesi operatorin ekonomik të përgjegjshëm dhe mund të ndikojë që kontrata të mos realizohet.
“Kryetari duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e prokurimit, në mënyrë që vlerësimi i ofertave të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e vendosura në dosjet e tenderit dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. Po ashtu, përmes zyrtarëve përgjegjës të sigurojë se anëtarët e komisioneve i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në angazhimet përkatëse, dhe në rast të gabimeve eventuale këto të evidentohen nga zyrtarët e prokurimit para nënshkrimit të raportit të vlerësimit” – ka rekomanduar Auditori.
Me këtë gjetje, nuk është pajtuar Komuna e Fushë Kosovës.
“Ne si Autoritet Kontraktues ju dëshmojmë se kemi bërë vlerësim korrekt dhe kemi analizuar detajisht të gjitha dëshmitë e ofruara nga GOE, i cili është shpërblyer me kontratë pasi që ka plotësuar në përpikmëri kriteret e përcaktuara nga ne si AK” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e Komunës së Fushë Kosovës lidhur me këtë çështje.
Komuna e Fushë Kosovës ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Komunën e Fushë Kosovës në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Raporti i vitit 2023 për Komunën e Fushë Kosovës ka rezultuar me 20 rekomandime, prej tyre 7 janë rekomandime të reja dhe 13 të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e vitit 2022, Komuna e Fushë Kosovës kishte marrë 14 rekomandime. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2023, një rekomandim ishte zbatuar, ndërsa 13 rekomandime nuk ishin zbatuar.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Fushë Kosovës mund ta lexoni në këtë LINK.